E Diel, 1 Nëntor 2026

Lambsdorff: Bllokimi i kufirit nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës

“Vetëvendosja ka të drejtë të protestojë, por bllokimi i kufirit nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës. Përkundrazi vetëm e dëmton atë”. Kështu është shprehur sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Nikolaus Graf Lambsdorff, pas takimit që ka patur në Berlin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti.

I pyetur nga Deutsche Welle se cili ishte qëllimi i këtij takimi me politikanin, i cili kohët e fundit ka rënë në sy me aksionet e tij për bllokimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, Lambsdorff ka thënë se Kurti është një prej politikanëve udhëheqës opozitarë në Kosovë, partia e tij është e përfaqësuar në parlament dhe ka pasur dëshirë të informohet për qëndrimet e tij politike ndaj Republikës së Kosovës, për qëndrimet e tij lidhur me raportet me Serbinë dhe me Bashkimin Evropian.

“Kjo është një gjë normale, mua më intereson të dëgjoj edhe prej politikanëve të tjerë. Kurti është natyrisht një rast i posaçëm sepse partia e tij dhe ai vetë bëjnë opozitë jo vetëm në parlament, por edhe jashtë tij” ka theksuar Lambsdorff.

I pyetur se nëse ka ndonjë “recetë” Berlini zyrtar për zgjidhjen e problemeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Lambsdorff ka thënë se kjo recetë ndoshta nuk ekziston, por ekziston dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Kjo është tani për tani mundësia më e mirë që kemi. Prandaj duam që ky dialog të vazhdojë. Nuk e di nëse kjo do të ketë sukses në të gjitha fushat, por të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë për të arritur zgjidhje” ka shtuar Lambsdorff.
 

I pyetur në lidhje me përpjekjet e Vetëvendosjes për të bllokuar dy herë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë Lambsdorff ka thënë se këto aksione nuk vlerësohen. “Ne mendojmë se këto aksione, për shkaqe të ndryshme, nuk janë të mira. Këtë e ka bërë të qartë ambasadori ynë në Prishtinë disa herë, e këtë e kam thënë edhe unë. Një parti, e cila ka përfaqësuesit e vet në parlament, ka dhe përgjegjësi të caktuara. Unë kam biseduar me zotin Kurti për këtë çështje dhe i kam thënë se nga aksionet të tilla ndoshta mund të ketë përfitime afatshkurtëra në skenën e brendshme politike, por kjo nuk e ndihmon Republikën e Kosovës. Përkundrazi e dëmton atë” ka shtuar më tej ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›