E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Cooper-Tahiri pa marrëveshje për përfaqësim rajonal

Zëvendëskryeministrja , njëherësh kryesuese e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, është takuar me ndërmjetësin e BE-së në këtë dialog, Robert Cooper. Ajo ka thënë se takimi ka qenë konstruktiv dhe serioz, dhe se qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog teknik.
 

Pas takimit, Tahiri ka mbajtur një konferencë shtypi ku ka shprehur edhe qëndrimet e delegacionit të Kosovës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, për protokollin teknik të IBM-it dhe proceset e zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

“Për sa i takon bashkëpunimit rajonal qëndrimet janë shumë larg mes palëve. Pozicioni jonë është i qartë, se Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran dhe duhet të përfaqësohet si shtet i pavarur si gjithë shtete e tjera rajonale, me autoritetet e saj, me simbolet shtetërore dhe duhet të jetë nënshkruese e marrëveshjeve rajonale, si dhe duhet të merret parasysh realiteti se Kosova si shtet i pavarur është i njohur nga shumica e vendeve të rajonit, të BE-së, dhe pjesa më e fuqishme e botës, kryesuar nga SHBA-të” ka theksuar Tahiri.

Sipas saj qëndrimi i palës serbe mbetet i njëjtë, pra insiston në rezolutën 1244, ndërkaq për Kosovën kjo është vijë e kuqe.

Tahiri është përgjigjur edhe pyetjes rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjes për përfaqësim rajonal sipas modelit të Maqedonisë, për të cilën kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se do të ishte antikushtetuese. “Modeli i Maqedonisë ka të bëjë me përdorimin e mbishkrimit, për sa i takon asaj, do të përdoret një realitet rajonal. Mirëpo as Maqedonia nuk ka heq dorë nga Republika, Republika e Maqedonisë ekziston, por mbishkrimi shpjegues tregon një realitet”, ka thënë ndër të tjera zëvendëskryeministrja
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›