Lamtumira e Robert Enkes, 45 mijë tifozë në stadium
GJERMANI- Gjermania i ka dhënë lamtumirën e fundit portierit Robert Enke, i vetëvrarë të enjten në mbrëmje duke u hedhur në shinat e trenit. Në stadiumin e Hanoverit, “AVD Arena” është zhvilluar një ceremoni vërtetë prekëse, ku kanë marrë pjesë 45 mijë tifozë, thuajse të gjithë të përlotur. Momenti më emocionues ishte kur lojtarët e skuadrës së Hanoverit, me në krye kapitenin shqiptar Altin Lala, kanë vendosur në qendër të fushës arkivolin e portierit 32 vjeçar. Nuk kanë munguar në ceremoni as trajneri Joakim Lëv dhe futbollistët e kombëtares gjermane, të cilët të shtunën nuk kanë qenë në gjendje të luanin miqësoren me Kilin për shkak të dhimbjes për shokun e vdekur. Po kështu, të pranishëm kanë qenë edhe drejtues të lartë të politikës dhe të futbollit gjerman. Në fund, lojtarët e skuadrës kanë zbritur në fushë të ndarë në dy grupe dhe në mes tyre ka kaluar arkivoli. Ndërsa në ekran ekspozoheshin imazhet e Enkes, kuarteti i harqeve luante këngën “You’ll never ëalk alone”, një hit i njohur i tifozëve të Liverpulit. Ceremonia e ish-portierit të Hanoverit dhe kombëtares gjermane u transmetua direkt në disa kanale televizive vendase. Funerali i tij do të zhvillohet në formë private në Empede, një lokalitet në periferi të Hanoverit, ku është varrosur edhe vajza e tij Lara Enke, e vdekur në vitin 2006 për shkak të një defekti në zemër.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)