E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca fiton në DublinTrapatoni: Rezultat i padrejtë

DUBLIN- Franca ka bërë një hap të sigurt drejt Botërorit të Afrikës së Jugut, pas fitores tepër të rëndësishme në shifrat 1-0 të arritur të shtunën në mbrëmje në Dublin. “Gjelat” e kanë bërë gjithçka më të lehtë për ndeshjen e kthimit që do të luhet të mërkurën në Paris, teksa heroi i mbrëmjes ka qenë Nikolas Anelka. Sulmuesi i Çelsit realizoi golin e vetëm të ndeshjes me një goditje të bukur nga jashtë zonës në minutën e 72-të. Topi u devijua edhe nga Lexher, që nuk i la asnjë shans portierit Shei Givën. Para përfundimit të pjesës së parë, skuadra e Trapatonit pati humbur një shans të artë me Liam Lorens që nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Edhe pas pësimit të golit irlandezët nuk u dorëzuan, të nxitur edhe nga një publik i zjarrtë, por goli i barazimit nuk ka ardhur.
Pas ndeshjes trajneri i Irlandës Xhovani Trapatoni tha se nuk do të bëjë asnjë ndryshim në skuadër për ndeshjen e kthimit dhe se si Franca adhtu edhe Irlanda i kanë shanset 50 me 50 për t’u kualifikuar. “Për mendimin tim, barazimi ishte një rezultat i drejtë, - tha Trapatoni. – Ne e dimë sa e fortë është Franca, por duke parë disiplinën që ne treguam në fushë apo cilësitë tona, mendoj se ishte e drejtë të dilte barazim”, shtoi trajneri italian. Trapatoni akuzoi indirekt edhe lojtarin Lasana Diarra për fyerje tepër të rënda sipas tij në adresë të irlandezëve. “Një nga lojtarët më të famshëm francezë, që s’dua tia them emrin, fyeu rëndë një nga tanët”, deklaroi Trapatoni. Ndërkohë trajneri i Francës Rajmond Domenek foli i kujdesshëm pas këtij takimi. “Natyrisht më pëlqen më shumë kur jemi 1-0 për ne se e kundërta, por nuk mund të jem plotësisht i kënaqur sepse ende nuk jemi kualifikuar. Kemi ende edhe 90 minuta. Për fat nuk pësuam gol dhe kjo është gjë e mirë”, tha ai.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›