Lamtumira e fundit
Në organizim të akademisë Evolucion, ku i ndjeri Mustafa Ferizi, për disa vite, ka punuar si mësimdhënës, në kinemanë ABC, të martën, u mbajt një mbledhje komemorative për t’i dhënë lamtumirën e fundit piktorit dhe kritikut të njohur të artit.
Të pranishëm në këtë mbledhje komemorative, përpos familjarëve, ishin edhe miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.
Duke folur në emër të akademisë Evolucion, ku i ndjeri Ferizi ka punuar për disa vjet si mësimdhënës, foli Faik Shatri, i cili tha se humbja e papritur e Mustafa Ferizit ka shkaktuar dhembje, pikëllim dhe ndjenjë të humbjes së pakompenzueshme për të gjithë ata që e njohën, e deshën dhe punuan me të.
Ndërkaq, Adem Rusinovci, dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, tha se më 20 mars 2011 mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut, familjarit, artistit dhe kritikut tonë të mirënjohur Mustafa Ferizit.
“Artet pamore shqiptare humben artistin e shquar, i cili la pas vetes mbi 20 ekspozita personale dhe mbi njëqind kolektive në vend dhe jashtë vendit. Përveç pikturës, profesor Mustafa Ferizi dy dekadat e fundit është marrë me shkrime teorike, me filozofinë dhe estetikën e artit”, tha Rusinovci.
Sipas tij, Mustafa ishte dhe do të mbetet një ndër kritikët dhe estetët më të mirë që ka pasur Kosova.
“Ai ia përkushtoi tërë jetën me profesionalizëm pikturës, teorisë së artit, filozofisë si dhe vlerave më të spikatura qytetare për shqiptarët, arsimimin e artistëve të rinj”, u shpreh Rusinovci.
Në emër të Radio Televizionit të Kosovës, ku Ferizi ka punuar për realizimin e emisionit dyjavor që u kushtohej arteve pamore, foli Sadedin Prekazi, i cili rikujtoi se Mustafa Ferizi ishte autor dhe krijues i emisioneve për artet pamore që nëntë vite pranë RTK-së.
“Mendoj se RTK ishte i vetmi televizion në rajon, i cili u kushtoi emision të veçantë arteve pamore dhe atë dy herë në muaj vetëm në saje të aftësive dhe vullnetit të madh të profesorit Mustafë që i sajoi këto emisione”, tha Prekazi.
Ndërkaq, duke folur në emër të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, Haki Xhakli theksoi se Mustafa Ferizi ishte një krijues, pedagog dhe ekspert i mirë i vlerësimit të veprave të artit.