E Diel, 1 Nëntor 2026

Frymëzim për bashkëpunim

Skenaristi shqiptar Andamion Murataj, bashkë me tre aktorë që morën pjesë në filmin “Falja e gjakut”, u takuan me ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi. Biseduan me të dhe i bënë elozhe njëri-tjetrit. Filmi i regjisorit Joshua Marston, në Berlinale fitoi çmimin Ariu i Argjendtë, për skenarin më të mirë. Nga Alfred Beka më 23 mars 2011 në ora 13:01

Ministri i Kulturës Memli Krasniqi, në takimin që e pati me skenaristin shqiptar Andamion Murataj dhe tre aktorë që luajtën në filmin “Falja e gjakut”, me skenar të Muratajt dhe regji të regjisorit amerikan Joshua Marston, nuk pushoi se lavdëruari këta të fundit, duke i përgëzuar për suksesin e jashtëzakonshëm që ata kanë arritur në Festivalin e Filmit në Berlin.

“Ishte kënaqësi për mua sot që të takoj zotin Andamion Murataj bashkë me aktorët tanë Çun Lajçi, Ilire Vinca-Çelaj dhe Refet Abazi për t’i përgëzuar për suksesin e jashtëzakonshëm që ata kanë arritur në festivalin e filmit në Berlin, duke marrë shpërblimin Ariu i argjendtë për filmin tashmë të njohur ‘Falja e gjakut’”, u shpreh ministri Krasniqi, duke shtuar se e ka përgëzuar zotin Murataj dhe përmes tij edhe regjisorin dhe producentin dhe të gjithë të tjerët që kanë qenë të angazhuar në film për angazhimin e tyre, për përzgjedhjen e një teme tepër të rëndësishme dhe ndoshta edhe për dhënien e një dimensioni të ri kësaj teme të vjetër.

Sipas tij, suksesi i tyre është një frymëzim për të gjithë krijuesit e artit dhe kulturës dhe veçanërisht krijuesit e filmit në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në gjithë rajonin. “Shpresojmë që do të kemi mundësi në të ardhmen që të kemi një prodhim të një filmi të këtyre përmasave, pse jo një film që do të arrinte suksese edhe më të mëdha, i cili do të trajtojë si temë një storie apo një ngjarje që do të lidhej me Kosovën”, u shpreh Krasniqi.

Sa i përket realizimit të një filmi që ka të bëjë me Kosovën e që do të mbështetej financiarisht nga kjo ministri, Krasniqi tha se kur flitet për buxhetin ekzistojnë dy qasje.

Qasja e parë, e cila sipas ministrit, ndalet te ankesa për buxhetin e vogël që zakonisht shfrytëzohet si një arsyetim paraprak për mungesën e rezultateve. Ndërsa qasja e dytë, sipas tij, është se si shfrytëzohet ky buxhet.

“Unë konsideroj se është më të vërtet buxhet i vogël edhe përkundër faktit se këtë vit ka pasur rritje buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës por gjithashtu mendoj se edhe me atë buxhet është absolutisht e mundshme të krijohen partneritete të nivelit ndërkombëtar siç ishte rasti me filmin ‘Falja e gjakut’, të cilat do të mund të rezultonin me realizimin e një filmi të niveleve më të larta ndërkombëtare, i cili pa dyshim se do të mund të na përfaqësonte denjësisht në festivale të nivelit të atij të Berlinit, por pse jo edhe në festivale të tjera me renome”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, skenaristi Andamion Murataj, duke e lavdëruar po ashtu ministrin Krasniqi, tha se është shumë i lumtur që e takon një ministër të ri të kulturës me ide të reja, me ambicie të reja dhe të mëdha për Kosovën. Ai më pas falënderoi popullin e Kosovës që, sipas tij, ka dhënë talente të nivelit botëror.

“Së pari do të falënderoja së tepërmi popullin e Kosovës se ka në gjirin e tij disa nga talentet të shkëlqyera të nivelit botëror, siç u tregua edhe në festivalin e Berlinit. Jam i sigurt për fushën e aktrimit dhe kinematografisë, të cilat i kam prekur me dorën time por edhe në fushat tjera të artit”, tha Murataj, duke shtuar se për një film është e rëndësishme të flitet shqip dhe nuk ka rëndësi a është në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni.

Në anën tjetër, aktori Çun Lajçi theksoi se e kanë hapur një portë ku mund të bëjnë marrëveshje, bashkëprodhime me firma të ndryshme.

“Aq më mirë kur kësaj radhe kemi qenë me një amerikan, i cili e di se çka dëshiron dhe i cili e ka një ëndërr që filmin e tretë ta bëjë me aktorët kosovarë dhe me temë kosovare dhe ne në një mënyrë këtë e transmetuam te ministri dhe i kërkuam që ose ky ose askush tjetër të na mbështesë sepse nëse ky s’e kupton ëndrrën e aktorit, të tjerët s’besoj që e kuptojnë dhe besoj që do të hasim në mirëkuptim dhe do të na mbështesë”, tha Lajçi, duke treguar se në shtator do të vijnë edhe regjisori edhe producenti në festivalin PriFilmFest.

Ilire Vinca-Çelaj po ashtu e falënderoi ministrin dhe tha se “të flasësh shqip në një festival ashtu siç e përjetuam ne në Berlin është një kënaqësi e rrallë”. Ajo shpreson që këtë kënaqësi do ta përjetojë prapë.

Ndërkaq, aktori tjetër, Refet Abazi tha se në të ardhmen llogarisin në mbështetjen institucionale të shtetit të Kosovës. “Dhe po që se në të ardhmen kjo mbështetje nuk mungon, ne mund të themi që garantojmë për projekte edhe më të suksesshme dhe prezantimin e kulturës shqiptare në mënyrë më dinjitoze në festivalet ndërkombëtare”, tha Abazi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›