E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë Roland Trebicka!

teater ska te ngopur roland trebicka ALNAKa ndërruar jetë në moshën 66 vjeçare aktori i njohur Roland Trebicka. I njohur si Jovan Bregu i “Pallatit 176″ Trebicka është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila ishte prekur prej kohësh. Me gjithë luftën ndaj një sëmundje të gjatë, Trebicka nuk e la pasionin e tij për aktrimin, duke u aktivizuar deri para pak javësh në Teatrin Kombëtar, me pjesën Ëndrra e Ismail Qemalit, ku interpretonte rolin e Seit Beut. Një interpretim, mes shumë e shumë të tjerësh, që u prit suksesshëm nga publiku vendas.
Familja
Familja e aktorit Roland Trebicka ka hapur dyert e mortit. Vajza e aktorit të madh ka deklaruar për median se babai i saj vdiq duke menduar për familjen ndërsa la si amanet të fundit që të mos mërziteshin nga humbja e tij. Na tha mos qani për mua, kanë thënë të afërmit. Ndërkaq në dyert e Teatrit Kombëtar është vendosur edhe lajmërimi për vdekjen e aktorit të madh, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në ambientet e Teatrit nga ora 11:00-13:00.
Jeta e një Artisti të Merituar
Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin Debatik, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të privilegjuar në kohën e shërbimit ushtarak: shërbeu si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt Estrada e Ushtarit. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktore të tjerë të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Kocco Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera, etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai u bë anëtar i kompanisë së Teatrit Kombëtar më 1971 dhe punoi aty deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë Publimedia, u kthye në Teatrin Kombëtar, ku punonte deri dje.
Vlerësimet
Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Ishte mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër ishte kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët.
Kulmi i suksesit
Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime TV dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, Jovan Bregu është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek Magjia e madhe, Zganarelit tek Don Zhuani, Hlestakovit tek Inspektori (Revizori). tek Një burrë me trandafil. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek Mbreti po vdes, Trebicka ishte kantidat për Çmimin Aktori më i Mirë Mbështetës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936 (Nasi). Është nderuar me titullin Artist i merituar.

Filmografia
-Te gjithë kanë huqe (2009) teatër, komedi
- Kohë për tu çmendur (2009) teatër
- Tifozët (2004)
-Po vjen ai (1999)Jovan Bregu
-8 persona plus (1994) komedi-teatër
-Valsi i Titanikut (1990) teatër
- Pallati 176 (1985) komediJovan Bregu
-Ëndërr për një karrige (1984) Vaska
- Koncert në vitin 1936 (1978)..Nesti
- Debatik (1961) . Kosta
-Martesa e avokatit
-Dua një gënjeshtar
- Berberi i Seviljes

Rama: Komik i pashoq, njeri i mrekullueshëm

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama vetëm pak momente pas lajmit për ndarjen nga jetë të ikonës së teatrit, Roland Trebicka ka ngushëlluar familjarët dhe miqtë. Çfarë lajmi i keq vdekja e Roland Trebickës! Komik i pashoq, njeri i mrekullueshëm. I lehtë dheu, ngushëllime familjes e miqve të të ndjerit, shkruante Rama në Tëitter.

Dhembje e thellë për Trebickën, rrjetet
sociale mbushen me ngushëllime

Si rrallëherë, një lajm tërhoqi vëmendjen e publikut në mënyrë të rrufeshme dhe masive. Ndarja nga jeta e aktorit të madh të humorit shqiptar, Roland Trebicka, pushoi brenda pak sekondash rrjetet sociale. Dhjetëra fotografi të Roland Trebickës, ku padyshim dominonin ato të rolit të Jovan Bregut tek komedia Pallati 176, e cila prej 25 vitesh vazhdon të jetë ende një nga më të shikuarat. Batutat e famshme të Jovan Bregut, ato që tashmë thuajse i dinë të gjithë, janë postuar nga adhuruesit e aktorit të madh. Shumica e komentuesve në rrjetet sociale kanë preferuar që Trebickës të mos i drejtohen me emrin tij, por me emrin e përsonazhit të famshëm Jovan Bregu. Dhe kanë qenë të gjithë të një mendjeje. Roland Trebicka u nda nga jeta, por ai tashmë jeton si Jovan Bregu, që do të vazhdojë të na dhurojë humor përjetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›