E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira high-tech

Një justifikim i përmbledhur në 160 karakteret e një mesazhi, por edhe përmes e-mail-it dhe “Facebook”-ut: gjysma e atyre që braktisin partnerin e kanë më të lehtë t’ia shpjegojnë kështu ndarjen. Sigurisht që lamtumira në distancë është brutale, por eviton keqkuptimet

Arti i të thënit lamtumirë po shndërrohet në një klikim të thjeshtë në “Facebook”, në një mesazh të shkurtër në celular, apo ndonjë e-mail me fjalë prekëse, por koncize. Tani të ndahesh është një praktikë e thjeshtë dhe pa dhimbje. Mjaftojnë vetëm disa sekonda, me pak fjalë çështje karakteresh apo byte-sh (bajtesh). Një teknikë që eviton ta shohësh tjetrin në sy, por që gjithsesi e saktë në atë çka përçon. “Të ndahesh në mënyrë dixhitale po bëhet gjithmonë e më zakonshme, sepse është më e thjeshtë, më e shpejtë dhe eviton çdo lloj keqkuptimi”, shpjegon Sean Wood, drejtor i marketingut i “DateTHeUk”, një nga sajtet më popullore angleze për takimet online. Vetëm gjysma e të dashuruarve shihen ende në sy, duke i thënë njëri-tjetrit lamtumirë në kohët e sotme, tregon një sondazh i bërë mbi një kampion prej 2 mijë personash. Gjysma tjetër zgjedh për t’u përshëndetur në një nga rrugët e komunikimit virtual: me postën elektronike apo sms (40 për qind), telefoni për më guximtarët (8%), mesazhet në “Twitter” apo thjesht ndryshim statusi në “Facebook” për më të rinjtë (2 për qind). Gjithçka bëhet për të evituar takimin e fundit. “Të shkruash është njëlloj si të puthësh, por pa buzë”, thotë përmes e-mail-it protagonisti i romanit bestseller “A ju kam treguar për erërat e Veriut”. Shkrimtari austriak, Daniel Glattauer, imagjinon një histori dashurie virtuale mes dy të panjohurve që nuk do të takohen kurrë. Në fakt, nëse kontakti i parë nuk ndodh më në shtëpi, në rrugë, zyrë apo kompjuter, nuk duhet të skandalizohemi për ndarje të konsumuara përpara ekranit. “Digital dumping” është shprehja e përdorur nga anglezët, braktisja dixhitale që prej kohësh ka hyrë në fjalorin e dashurisë. E përditshmja “Liberation” e ka interpretuar sms si “shenjë e fatit të keq”, zakonisht paralajmërues se diçka e keqe po ndodh. “Në çdo lloj pjese të historisë së botës, njerëzit e poshtër e kanë gjetur gjithmonë një mënyrë për të evituar përballjen”. Stefania Broadbent është një etnologe që prej 20 vjetësh vëzhgon sjelljet dixhitale, nga e-mail-et e para te rrjetet e tanishme sociale. Për Broadbent, si specialiste e evolucionit të rrjetit nuk ka asgjë të keqe të fshihesh pas një tastiere për të thënë lamtumirë dhe durim, nëse një ikje e tillë mund të fshijë pjesë të paharrueshme të jetës. “Të ndahesh me një njeri është gjithmonë një provë e vështirë verbale dhe të kërkosh një mënyrë për t’u arratisur nga kjo është instiktive”, thotë docentja e University College të Londrës. “Zakonisht mesazhet nuk janë prelud i takimit”, shton ajo me optimizëm. “Nuk është e vërtetë që komunikimi verbal banalizon raportet njerëzore, përkundrazi i forcon. Përdorimi i fiksuar i sms-ve mes të dashuruarve është i krahasueshëm me atë që mes shimpanzeve quhet grooming, gjeste të vogla të përditshme dashurie që forcojnë lidhjen”, tregon etnologia angleze. Tani është provuar, sipas saj, që mjetet teknologjike nuk zvogëlojnë pragun e ndjeshmërisë së njerëzve. Një lamtumirë, edhe pse e shkruar në karaktere elektronike, vazhdon të na bëjë të vuajmë shumë. “Shpesh na ndodh të lexojmë përmes sms një lajm të keq vdekjeje apo një pushim nga puna, kjo tregon se mesazhet janë tashmë pjesë e intimitetit tonë”.

Dhimbja e ndarjes

Dhimbjet e dashurisë janë rikrijuar në laborator përmes një loje, ku pjesëmarrësi përjashtohej herë pas here nga të tjerët: d.m.th. një simulim i refuzimit social. Kur personi refuzohej, rezonanca manjetike funksionale tregonte se nisnin të viheshin në funksionim ato zona të trurit kur kemi një dhimbje fizike, e që aktivizohen kur vritemi apo kemi një shqetësim të vazhdueshëm. "Pacientët me një dëmtim në këto zona e ndiejnë fizikisht dhimbjen, por e përjetojnë në mënyrë të veçuar", sqaron një studiues. Ndërkaq, një mjeke e departamentit të psikiatrisë nga Universiteti i Pisas, që prej vitesh studion biologjinë e dashurisë, komenton: "Nuk mrekullohem aspak se baza biologjike për dhimbjen fizike dhe atë psikologjike është e njëjta. Ne nuk përdorim sisteme të pafundme për funksionet tona, ndaj për situata të ngjashme përshtatemi dhe aktivizojmë një cirkuit të vetëm. Nga ana tjetër, vlera e thellë e dhimbjes, reale apo psikologjike, është një e vetme: na sinjalizon se duhet të evitojmë diçka që mund të na dëmtojë". Nëse uji është i zier apo një lidhje është e gabuar, kjo shumë pak i intereson trurit: sinjalet që dërgon janë identikë. Aty aktivizohen të njëjtët receptorë cerebralë, ku vepron morfina dhe ilaçe të tilla të ngjashme, që jo rastësisht heqin dhimbjen fizike, por edhe stresin emotiv që e shoqëron. Në fakt dashuria modifikon nivelet e serotoninës, të peptideve si ositocinës e vasopresinës, që ushqejnë trurin tonë. Por ilaçet për të kuruar dashurinë nuk është se nuk kanë asnjë rrezik. "Mjafton të mendosh se çfarë ndodh kur kurojmë depresivët, me ilaçe që veprojnë edhe mbi sistemet e përfshira në biologjinë e dashurisë: disa pasi shërohen, dashurohen sërish, të tjerë nuk i rikuperojnë kapacitetet afektive". "Kur dashurojmë aktivizohen të gjitha zonat cerebrale ‘sociale’, d.m.th. rreth 80 për qind e trurit. Të ndërhysh nga jashtë mbi një emocion kaq kompleks rrezikon të provokojë efekte të paparashikueshme", përfundon psikiatrja. Sipas shkencëtarëve amerikanë, e vetmja mënyrë për të mos e dëmtuar shëndetin mendor në raste të tilla është ajo që të kemi një lidhje të gjatë e të lumtur. Përndryshe, një eksperiencë martesore negative dhe problematike çon në mënyrë të pakthyeshme në çrregullime psikofizike. Për shembull, për shumë vite me radhë studimet kanë treguar se ata që janë beqarë kanë një rrezik më të vogël për t’u sëmurur në mënyrë serioze dhe si ata edhe personat që kanë fatin të jetojnë për gjithë jetën në krah të njerëzve të duhur. Për gjithë të tjerët këshilla e ekspertëve është: "Të punosh shumë deri sa martesa funksionon dhe ka jetëgjatësi, me kusht që kjo të mos jetë një lidhje shkatërruese".

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›