E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gra, punë dhe mësime Kurani

Një jetë e re pas viteve të luftës dhe burgut. Në Riad, një qendër për ish të burgosurit e Guantanamos Aty ku riedukohen terroristët

Për zyrtarët amerikanë të bazës së Guantanamos, Ahmed Salem Zuhair është i burgosuri 669: një mysliman i bindur, i dyshuar se ka vrarë një amerikan në Bosnjë, e që më vonë u arrestua në Pakistan. Një i burgosur, që katër vjet nga shtatë të tillë që ka kaluar në burg, ka bërë greva urie, është mbajtur në izolim dhe është ushqyer me forcë. I liruar disa muaj më parë, si pjesë e programit të administratës ‘Obama’ për mbylljen e burgut, Ahmed është kthyer në atdhe, në Arabinë Saudite. Këtu u bë një njeri që e di që ka gabuar, por që kërkon mos ti përsërisë më ato dhe se shumë shpejt mund të bëhet pjesë e shoqërisë si një njeri i lirë: viktimë, jo kriminel. Për një kohë të gjatë Ahmedi 45-vjeçar ka menduar se kjo mund të ishte e mundur. “Nuk doja të rikthehesha në Arabinë Saudite, kisha frikë se aty do të më përzinin”, tregon teksa luan dhe mban veshur një bluzë futbolli. “Jam vetëm një punëtor humanitar. Pakistanezët më arrestuan vetëm sepse kisha qenë në Bosnjë. Isha në Lahore për të punuar me fëmijët afganë: jam i pafajshëm. Por këtu mësova se një mysliman i mirë nuk duhet të vihet kurrë në situata apo vende të dyshuara”. Të ndryshosh mendjen e njerëzve si Ahmed, të çprogramosh xhihadistët që janë brenda tyre, është basti që Arabia Saudite i ka vënë vetes dy vjet më parë. Përballë lirimit të qindra njerëzve nga Guantanamo, arrestimit të mijëra qytetarëve të saj në Irak dhe Afganistan, vendi i Bin Ladenit dhe për një kohë të gjatë furnizues i financimeve për njerëzit e Al-Kaedës, ka zgjedhur një rrugë të veçantë në botë: mos të demoralizohet, por të rikuperohet dhe të ecë përpara. Në rrugën që ka përfshirë më shumë se 400 persona, nga të cilët 300 në qendrën e rehabilitimit për xhihadistët, diamanti i programit, vendi ku subjektet e cilësuara si më në rrezik ndiqen në fazën që shkon nga fundi i dënimit në burg deri te rintiengrimi. Këtu, nën vëzhgimin e policëve dhe profesorëve, ndjekin për orë të tëra mësimet mbi islamin. Pikturojnë, luajnë futboll dhe takojnë familjet me intervale të rregullta. Nuk ka qeli në qendër, por vila të vogla me shumë shtretër, një zonë e rezervuar e takimeve me gratë, një sallë arti dhe të tjera të rregulluara. Të burgosurit lëvizin lirshëm: ka një fushë futbolli dhe një për lojërat me dorë, një zonë ambulatore, kopshte të lulëzuara dhe asnjë barrierë. E vetmja portë që ruhet nga policia dhe mbrohet nga telat me gjemba është ajo në hyrje. “Kjo e jona është një betejë idesh, por nuk duam të detyrojmë asnjërin të ndryshojë. Pjesa më madhe e njerëzve, me të cilët kemi pasur të bëjmë janë mashtruar. U kanë folur për luftën e shenjtë dhe detyrën e luftimit cituar në Kuran: kur e kanë kuptuar se nuk është e vërtetë dhe se i kanë mashtruar janë gati të ndryshojnë”, thotë Abdulraham al Hadlaq, supervizor i programit. Për shumë muaj me radhë eksperimenti është studiuar dhe vlerësuar në të gjithë botën, së pari nga vetë amerikanët në kërkim të gjetjes së zgjidhjeve të problemit të të burgosurve të Guantanamos, që shumë shpejt do të mbyllet. Për shumë kohë është menduar se programi saudit është zgjidhja ideale për një luftë që, në fjalët e përgjegjësit të “Cental Command”, gjeneralit David Petraeus, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të fitojnë vetëm duke luftuar”. Pastaj vjeshtën e kaluar erdhi edhe “dështimi”: 11 njerëzit që dolën nga kjo qendër shkuan në Jemen për të luftuar. Dy prej tyre, Said al Shahri dhe Mohammed al Awfi, themeluan Aqap, organizatën terroriste kreu i së cilës ishte Faruk Abdul Mutallab, atentatori i sulmit të dështuar për Krishtlindje në avionin Amsterdam-Detroid. Polemikat prekën edhe sauditët, që nuk u dekurajuan: “Ne mund të themi se jo të gjithë mund të dalin të pastër. Nuk pretendojmë të kemi sukses gjithmonë. Por, duke parë se suksesi kap shifrën 80 për qind them se ia vlen të vazhdojmë”. Shembujt pozitivë nuk mungojnë: Farah Al Rush, i arrestuar në Irak në vitin 2006, është njëri prej tyre: “Në tre vitet e mia në burg kam kuptuar shumë gjëra. U binda që i kisha idetë e gabuara mbi Xhihadin dhe besimin”, shpjegon. Sot është një njeri i lirë, punon në zyrë, është i martuar dhe ka dy fëmijë. “Përpiqem të mos u them njerëzve për jetën time të mëparshme”. Ishte pikërisht qeveria ajo që i gjeti një punë të re: si të gjithë ata që lënë qendrën ka edhe një shtëpi dhe një makinë. Familja e tij merr 1000 dollarë në muaj që të kujdeset për të. Në disa raste funksionarët e Riadit janë shqetësuar për t’u gjetur personave që strehohen aty një grua, një garanci stabiliteti. “Aspektet materiale janë shumë të rëndësishme. Suporti që u ofrohet ish të burgosurve është me kohë të papërcaktuar: nëse kanë para dhe punë ka shumë pak mundësi që të rikthehen sërish te dhuna. Pastaj janë përfshirë faktorë kulturorë shumë të rëndësishëm në shoqërinë saudite: familja dhe nderi. Këto gjëra ndihmojnë për të parandaluar rëniet e mundshme”, shpjegon Christoipher Boucek, i “Carnagie Endowmment Center for International Peace”. Për këtë është i bindur edhe princi Mohammed Bin Nayef, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe hartues i programit. Me këmbënguljen e tij qeveria ka vendosur ta zgjerojë më tej këtë iniciativë që i kushton rreth 50 milionë dollarë në vit. Në muajt në vazhdim është parashikuar ndërtimi i pesë strukturave të ngjashme me atë të Riadit në të gjithë vendin. Qendra kryesore është transferuar në një vend më të madh, më komod, me vila, pishina private dhe zona kushtuar koktejeve. Selinë e re, Ahmed shpreson të mos e shohë kurrë: data për lirimin e tij nuk është fiksuar ende, por ai uron që të vijë shpejt. Edhe përgjegjësit e tij duken optimistë: “E dimë që këta persona nuk luanin shah në Afganistan, por ajo që kanë bërë më parë për ne është më pak e rëndësishme se ajo që do bëjnë kur të kthehen në shoqëri”. Ahmet e ka vendosur se cilën rrugë do të ndjekë: do të transferohet në Mekë për të nisur një jetë të re me gratë dhe fëmijët e tij: “Nuk dua të largohem më nga Arabia Saudite dhe nuk dua që fëmijët e mi të bëjnë të njëjtat gabime si unë. Nuk kam frikë nga asgjë, vetëm nga gjykimi i Zotit”, përfundon ai.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›