E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 mijë infermierë, kushte për të mbajtur vendin e punës

Largimet nga administrata, pas stomatologëve radhën e kanë infermierët

Një pjesë e infermierëve, të cilët aktualisht punojnë në një nga spitalet e vendit, do të përfshihen në një reformë, e cila është “veshur” me uniformën e arsimit. Konkretisht nga 1500 deri në 1700 ndihmësmjekë, të cilët janë evidentuar pa kualifikimin e nevojshëm, duhet t’i futen rrugës së specializimit, kualifikimit dhe përvetësimit të mëtejshëm të dijeve, në mënyrë që të kenë mundësi të ruajnë vendin e punës, apo të pretendojnë për t’u rritur në detyrë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë evidentuar mbi 1500 infermierë, të cilët kanë nevojë për kualifikime, specializime dhe përgatitje të mëtejshme. Nisur nga kjo, është menduar që të gjithë këta punonjës me “mangësi” të kenë të drejtë të ndjekin të gjitha kurset dhe trajtimet për të fituar “pikët” e kërkuara.

Reforma

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk bëhet fjalë për reformë të shkurtimit të stafit, por për një proces edukimi në vazhdimësi, me parametrat që përdor sot çdo shtet europian, që kërkon t’i japë pacientit një kujdes të specializuar. Kështu infermierët duhet të nisin kualifikimin dhe njëkohësisht edhe shkollimin për rastet kur kuadri i formimit profesional nuk është i plotësuar.

Mënyra “delikate” për t’i lënë kohë infermierëve për t’u kualifikuar, është zgjidhja e menduar për këtë kategori, të cilët kërkojnë dhe iu duhet të mbajnë vendin e punës.

Pak kohë më parë, në një takim mes specialistëve të Autoritetit Shëndetësor Rajonal dhe Ministrisë së Shëndetësisë u tha se një grup pune u ngrit për të studiuar dhe përmirësuar rolin dhe funksionin e mjekut të shkollës. Tri javë pas takimit, u firmos vendimi për largimin nga puna të 100 punonjësve, të cilët ushtronin profesionin si ndihmësstomatologë në shkollat e arsimit parauniversitar.

Dokumenti i infermierit

Këtë muaj u publikua udhëzuesi për punën e infermierëve në të gjithë vendin. Ky libër do të jetë “bibla” e të gjithë atyre që punojnë aktualisht si ndihmësmjekë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Urdhri i Infermierit ka publikuar zyrtarisht guidën, e cila do t’i jepet, për ta lexuar, infermierëve duke i informuar ata për sa i takon punëve, detyrave, angazhimeve, të drejtat dhe përgjegjësitë, sipas parashikimeve në legjislacion.

Bëhet fjalë për botimin e dokumentit themeltar të infermierëve, i cili përmban të përfshira brenda tij, Ligjin e Urdhrit të Infermierit, Statutin e Urdhrit të Infermierit, Kodin Etik-Deontologjik, si dhe dokumente të nevojshme për punën e përditshme të infermierëve. I konceptuar në formën e një libri xhepi, ai përfshin të konkretizuara sanksionet që i presin infermierët nëse nuk e zbatojnë siç duhet punën e tyre, raportet me institucionet shëndetësore, deri ku arrin liria dhe detyrimet e një infermieri, pikat e rregullores së punës së tyre të përditshme.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›