Takimi u zhvillua me shefin e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë
Menjëherë pas protestës së ish-asistentë stomatologëve të larguar nga puna, ka pasur një takim mes dy palëve, mjekëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë. Një grup nga 100 punonjësit e shkarkuar nga puna kanë takuar shefin e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, Klodjan Rrjepaj. Sipas ish-stomatologëve, në këtë takim është folur për vendimin e marrë nga strukturat shëndetësore për largimin e tyre, ndërkohë që u është premtuar se me hapjen e sektorëve të rinj, apo me realizimin e projekteve të ardhshme të shëndetësisë, punonjësit e larguar do të thërriten për t’u ofruar vende pune.
Pas njoftimit se stomatologët do të thërriteshin për një takim zyrtar me përfaqësuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, është marrë vendimi për pezullimin e protestës paqësore dhe hyrjen në bisedime mes palëve. Sakaq, punonjësit e shëndetësisë, të cilët aktualisht punojnë në një nga shkollat e arsimit parauniversitar do të përfshihen në një reformë sa i takon funksionit të tyre në punë. Këta punonjës nuk do të jenë në detyrë vetëm për të bërë depistimet e dhëmbëve dhe dhëmballëve, por edhe për të zhvilluar orë suplementare për çështjet aktuale që shqetësojnë adoleshentët e sotëm. Diskutimet do të jenë më të shumta në fushën e edukatës seksuale, për të cilat informacioni duhet të jetë i përhershëm i vazhdueshëm, duke sensibilizuar të rinjtë për problemet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe tema të lidhura me pyetjet dhe paqartësitë e adoleshentëve. Sakaq, pas largimit nga puna të 100 asistentë stomatologëve, që aktualisht punonin në shkolla, pritet që grupi i punës i ngritur posaçërisht për të studiuar përmirësimin e punës në shkolla, do të vendosë për largime të tjera, për rritje page apo për detyra e përgjegjësi shtesë që do t’u jepen mjekëve të shkollave.
#