E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgar ani mund te quhet personazhi i momentit ne futbollin shqiptar

Palermo nuk e vlerësoi. Ndoshta, i verbuar nga shkëlqimi i Havier Pastores dhe Edinson Kavanit, presidenti i siçilianëve, Mauricio Xamparini, nuk kishte shumë kohë që të merrej me këtë djalosh shqiptar edhe pse për të ishin paguar 1.2 milionë euro kur Edgar Çani ishte vetëm 19 vjeç. Jo pak, nëse mendon se për Kavanin 21-vjeçar u paguan 5 milionë euro.

Edgari u huazua disa herë dhe pastaj u lejua të shkonte pa asnjë shpërblim tek Polonia e Varshavës, në kampionatin polak. Sërish Xamparini nuk u mor me të, ndërsa nga Napoli u fituan gati 20 milionë euro për Kavanin dhe nga Paris SG, 42 milionë për Pastoren.

Veçse, ky shqiptar i ri dhe shtatlartë, u bë një yll në Ekstraklasën polake, me 9 gola në 18 ndeshje dhe me një mesatare prej 1 goli çdo 100 minuta lojë.

Debutimi për kombëtaren shqiptare ishte si prej ëndrrash, pasi 22-vjeçari shënoi me të parën, madje një gol krejtësisht personal në portën e Gjeorgjisë në Tbilisi.

Duke folur për mediat polake, Çani nuk ngurron të akuzojë se “Palermo nuk pati kurrë besim tek unë” dhe po ashtu shton se “një ditë do të doja të kthehesha në Serinë A, në atë kampionat që unë e quaj më të fortin në botë”.

Aftësia e tij shënuese ka tërhequr edhe vëmendjen e njërës prej legjendave më të mëdha të futbollit të Polonisë, Zbignjev Bonjekut. Ylli i dikurshëm i Juventusit, me shaka thotë se “përveç modelit të flokëve, gjithçka tjetër tek Çani më pëlqen”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›