E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha “President”

Të gjithë u bëmë dëshmitarë të një procesi sa të guximshëm për palët aq edhe dinak nga ta. Them i guximshëm pasi si e majta ashtu edhe e djathta u duk sikur ishin të gatshme që të sakrifikonin edhe integrimin e vendit nëpër aleancat ndërkombëtare duke pranuar në një farë mënyre zgjedhjet e parkohshme kundrejt një posti presidencial që duhet të vinte nga pala respektive. Nga ana tjetër, dinakëria qëndron në politikën e kryeministrit Berisha dhe në tradhëtinë e ish kryeministrit Nano.

Ishte një politikë tepër dinake ajo që shefi i ekzekutivit Berisha ndoqi deri në momentin e fundit. Dëshira e tij e zjarrtë për të zgjedhur Bamir Topin në postin e kreut të shtetit, duket se i kishtë rrënjët në tjetër vend. Bamir Topi përbënte një nga figurat politike më të dashura për elektoratin e djathtë shqiptar, por pse jo edhe për një pjesë të mirë të atij të majtë. Potenciali që ai gëzonte në masa, përbënte një rrezik për pozicionin e zotit Berisha, i cili kërkonte me cdo kusht që të shmangte Topin nga kjo konkurencë. Vënia në krye të Partisë Demokratike të zotit Topi, pavarësisht se do të shoqërohej me një fitore të sigurtë të partisë, do t’i jepte fund karrierës politike të Berishës.

Nga ana tjetër, ish kryeministri Fatos Nano, qe me fjalët e liderit socialist Edi Rama, së bashku me bashkëpuntërët e tij u vetëlarguan nga kjo parti me titullin “Tradhëtar”. Kjo “tradhëti” duket se nuk i ka kushtuar shumë zotit Rama, për vetë faktin se pozicioni i tij në rradhët e elektoratit socialist do të fitoj një mbështetje akoma më të madhe. Ndërsa Rama shpallet heroi i situatës, Nano është i kundërti. Pavarësisht shpëtimit të situatës që zoti Nano i bëri vendit, ai tashmë në rradhët e e të majtëve do të mbajë emrin e “tradhëtarit”.

Edi Rama tashmë është i sigurtë se asnjë lloj lëvizjeje që e Fatos Nanos brenda PS-së nuk do të cënojë pozicionin e tij. Veprimi i paraardhësit të tij në detyrë, është një fitore për të.

Ndërkohë që Rama përforcon pozicionin e tij në PS dhe Nano është politikani më i djegur, në kampin e djathtë më i fituari duket të jetë kryeministri Berisha. Ai, me disa premtime për poste ministrore arriti të bind ish përkrahësin e tij të fillim viteve ’90 Neritan Ceka që të rikthehet në misionin fillestar dhe t’i jap mësimin e rradhës së majtës. Loja u zhvillua mbi dinakëri dhe tradhëti në të dyja kampet. Është tashmë Berisha që ka marrë në dorë edhe marshin edhe timonin e politikës së Tiranës.

Edhe pse Bamir Topi u zgjodh President i Pepublikës, edhe pse ai premtoi objektivitet dhe depolitizim, ai nuk do të mund të shkëputet nga ndikimi i atyre që e sollën në postin e “Garantit të Kushtetutës”. Është e qartë se do të jetë vetë shefi i ekzekutivit që do të ketë në dorën edhe presidencën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›