E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Dhimitër Xhuvani!



Një sëmundjeje e rëndë i mori jetën shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit dhe publicistit të mirënjohur Dhimitër Xhuvani. Dje, në orët e para të mëngjesit, ndërroi jetë në Tiranë artisti i njohur, Xhuvani. Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë kulturën dhe letërsinë kombëtare dhe për ata mijëra lexues e shikues që kanë ndjekur me interes e vëmendje veprat e krijuara prej Dhimitër Xhuvanit gjatë gjithë jetës së tij.

Dhimitër Xhuvani u lind më 23 maj 1934 në Pogradec, në një familje intelektuale. Pas mbarimit të shkollës së mesme për mjekësi ka punuar për disa vjet me radhë në zonën e Librazhdit. Më pas studioi në Moskë për letërsi. Pas kthimit në Shqipëri, punoi në shtypin letrar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pas botimit të romanit “Tuneli” u dënua nga regjimi i kohës dhe u detyrua të punojë si punëtor në kantiere të ndryshme ndërtimi. Me shpirtin krijues që e karakterizonte, me dashurinë për letërsinë dhe artin, me humanizmin e gjerë dhe të pashoq, shkrimtari vazhdoi të shkruante dhe të botonte deri në fund të jetës së tij. Korpusit të tij krijues i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë etj. Veprat e tij të para “Kambana e fundit”, “Midis dy netëve”, “Tuneli” etj., dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptarë, të cilët bënë përpjekje të shumta për të zhvilluar dhe emancipuar këtë letërsi, për ta zhvilluar atë më tej. Xhuvani deri në fund të jetës së tij i mbeti besnik kësaj prirjeje dhe iu përkushtua me devocion dhe me të gjithë energjitë përparimit të saj. Një kontribut të ndjeshëm që ka dhënë Dhimitër Xhuvani edhe në fushën e dramaturgjisë dhe të kinematografisë kombëtare. Skenarët e shumtë dhe mjaft të njohur e radhisin atë ndër emrat më të përmendur të shkrimtarëve që ndihmuan për zhvillimin e kinematografisë sonë. Një nga skenarët më të njohur të tij, “I dashur armik”, të cilin e realizoi në bashkëpunim të ngushtë me të birin, është pritur mjaft mirë edhe në festival e aktivitete prestigjioze ndërkombëtare. Xhuvani kaloi një jetë, të cilën ia kushtoi me devocion letërsisë, dramaturgjisë dhe kinematografisë shqiptare. Emri i tij do të kujtohet dhe do të nderohet gjatë si një nga emrat me kontribut të shquar në kulturën kombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›