E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Ardit Myrtaj, në kërkim autori Ilirjan Lela



Itali

Identifikohet autori i vrasjes së 25-vjeçarit Ardit Myrtaj. Bëhet fjalë për shtetasin Ilirjan Lela nga Berati, edhe ky emigrant në Itali dhe me të cilin viktima ka qenë në burg deri në fund të vitit 2008. Një hakmarrje e nisur pas hekurave të burgut. Ky ka qenë, sipas policisë, motivi i vrasjes së të shtunës mbrëma, ku ka mbetur i vdekur në trotuar pas tri goditjeve me thikë 25-vjeçari Ardit Myrtaj, i thirrur ndryshe me pseudonimin “Dushi”. I njohur si precedent në shpërndarjen e drogës, i riu u qëllua në tentativë për të dalë nga bari në zemër nga një bashkatdhetar, i cili është identifikuar nga policia, falë edhe dëshmive të dhëna nga miqtë e viktimës. Sipas miqve të tij, në barin “Willy & Coyote”, i cili gjendet mes rrugëve Emilia Ponente e Viola, Arditi ishte zënë me një tjetër shqiptar, Ilirjan Lela, 35 vjeç, edhe ky i fundit i njohur për precedentë në shpërndarjen e drogës, si dhe nën hetim për vrasje me paramendim. Ai ishte shpallur në kërkim nga karabinierët, pasi për të ekzistonte një mandat arresti nga prokuroria. Mes të dyve, sipas dëshmive, vazhdonte një mëri e vjetër, e lindur mes mureve të burgut, ku Arditi dhe Iliri janë gjendur bashkë një vit më parë, ndonëse në seksione të ndryshme. “Iliri e akuzonte Arditin se e kishte fyer në burg, ku ai ishte shprehur se Lela ishte një njeri i poshtër”, - ka rrëfyer duke qarë një nga miqtë e viktimës. Tashmë, organet hetimore janë duke hetuar nëse autori i dyshuar mendonte se viktima ishte një spiun, duke e quajtur atë fajtor për futjen në burg.

Hetimi

Vrasja e ndodhur rreth orës 21:40, gjatë intervalit të ndeshjes Genova-Inter, e cila po transmetohej në bar në një televizion të madh. Rrëfen një mik i viktimës: “Dushi ishte kthyer prej pak ditësh në Itali dhe qëkur kishte dalë nga burgu nuk e kishte parë më tjetrin. Janë zënë në bar dhe unë i kam ndarë. Dushi u largua dhe pastaj u kthye prapë. Atëherë, një tjetër shqiptar kërkoi që të pajtoheshin, duke i detyruar të shtrëngonin duart dhe të përqafoheshin. Por, kur Dushi ktheu krahët për të dalë dhe të pinte një cigare jashtë, Ilir e qëlloi nga pas me thikë drejt e në zemër tri herë”. Krimi ndodhi në dalje të lokalit dhe Ilir iku me vrap nëpër ballkonin e gjatë dhe doli nga porta për në rrugën Emilia Ponente, duke u larguar në të djathtë. Dushi ka ndjekur të njëjtën rrugë, duke u tërhequr me njërën dorë mbi plagë, doli majtas portës dhe ra në tokë 30 metra distancë, para bankës “Etruria”, duke lënë gjurmë gjaku nga vendi i ngjarjes deri aty ku ra përtokë trupi i tij i pajetë. Dje, aty ku u gjet trupi i pajetë i të riut, disa vajza kishin vendosur disa tufa me lule. Kishte edhe një letër të shkruar nga babai i tij, i cili kishte ardhur nga Padova: “Dushi të keqen babi. Të dua shumë”.

Dëshmia

“Iliri e akuzonte Arditin se e kishte fyer në burg, ku ai ishte shprehur se Lela ishte një njeri i poshtër. Dushi ishte kthyer prej pak ditësh në Itali, dhe qëkur kishte dalë nga burgu nuk e kishte parë më tjetrin. Janë zënë në bar dhe unë i kam ndarë. Dushi u largua dhe pastaj u kthye prapë. Atëherë, një tjetër shqiptar kërkoi që të pajtoheshin, duke i detyruar të shtrëngonin duart dhe të përqafoheshin. Por, kur Dushi ktheu krahët për të dalë dhe të pinte një cigare jashtë, Ilir e qëlloi nga pas me thikë, drejt e në zemër tri herë”, - ka rrëfyer duke qarë një nga miqtë e viktimës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›