Lamtumirë Gjergj Zheji!
Familjarë, miq, të afërm, kolegë, politikanë e dashamirës janë mbledhur dje për t’i dhënë lamtumirën e fundit Gjergj Zhejit. Shkrimtari, përkthyesi, studiuesi i letërsisë e i folklorit dhe i kulturës shqiptare ndërroi jetë të enjten në banesën e tij në Rrugën e Durrësit. Të pikëlluar, bashkëshortja Janulla dhe nipërit e mbesat që i qëndruan pranë deri ditën e fundit, e kanë përcjellë me lot njeriun e dashur. Në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, muzika mortore shoqëronte të pranishmit. Mes punëve të pakryera, Gjergj Zheji la dorëshkrim edhe kujtimet e tij, të cilat mendonte t’i botonte. Kishte mbërritur deri te periudha e rinisë, në kohën e studimeve në Itali. Gjergj Zheji studioi folklorin për një arsye të thjeshtë, sepse u rrit me të, të shkruarin e quante një oaz ku gjen kënaqësinë, ndërsa përkthimin e konsideronte një art më vete. Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasarin, Gjergj Zheji do të kujtohet nga shqiptarët në të gjitha moshat, që nga fëmijëria kur lexohen “Aventurat e pupagjelit” ose “Aventurat e çipolinos” deri në moshën e pleqërisë, ku lexohet “Republika” e Platonit ose shkrimet filozofike të Benedeto Kroçes. “Ndoshta pa dashur, pa e llogaritur edhe ai vetë, u ka ofruar këtë ushqim fisnik shqiptarëve për ta kujtuar vazhdimisht në të gjitha stadet e moshës së tyre. Besoj se është një gjetje për ta pasur zili. Jo të gjithë ia arrijnë që ta përmbushin këtë gamë ushqimi shpirtëror për popullin e tyre”, tha Plasari. Sipas tij, Gjergj Zheji u shndërrua në një përkthyes në periudhën e vështirë, në periudhën e diktaturës, kur përkthimi i letërsisë së madhe botërore ishte një lloj ikjeje nga diktatura, ishte një lloj kundërvënie, ishte hapja e një dritare të madhe. Këtë bënte Gjergj Zheji kur përkthente dramat e Ibsenit, kur përkthente Gëten, kur përkthente Kiplingun etj. Po dashuria për letërsinë botërore te Zheji është për t’u vënë re që nuk i humbi edhe në periudhën e lirisë, kur realizoi disa nga ëndrrat e tij që ishin “Republika” e Platonit, Benedeto Kroçe, tekste filozofike, Shopenhauer etj. Ishin autorë që i ëndërronte në atë kohë e që përkthimet i realizoi në një epokë tjetër. “Besoj që edhe në fushën e përkthimit ai e përmbushi veten, e mbushi me këto dy dimensionet e dy epokave. Gjergj Zheji deri në kohët e fundit të pleqërisë, ëndërronte të përkthente edhe më tej, të përkthente sidomos libra estetike dhe filozofie. Në këtë kuptim është një model për t’u lakmuar”, tha Plasari. Ndërsa për përkthyesin Piro Misha, nderet që iu bënë dje Gjergj Zhejit do të kishte qenë mirë të ishin bërë sa ishte gjallë, sepse i ka merituar plotësisht. “Humbja e Gjergj Zhejit është një keqardhje e madhe, sepse ka qenë një nga personalitetet vërtet me vlera si përkthyes, studiues, njeri i kulturës shqiptare. Unë kam bashkëpunuar me të gjatë, si para rënies së komunizmit, edhe pas dhe ka qenë një nga njerëzit për të cilin kam pasur respekt të thellë. Ka qenë njeri euridit, por fatkeqësisht shpeshherë humbjet ndien pas vdekjes, kur nuk i kemi më pranë njerëzit, ndaj është mirë t’i nderojmë e t’i respektojnë sa janë gjallë”, tha ai. Për të nderuar kujtimin e këtij personaliteti të madh të kulturës shqiptare mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i cili i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjarëve. “Ndihem i trishtuar. është ndarë nga gjiri i familjes dhe nga gjiri i shoqërisë një nga figurat më intelektuale të kombit, një njeri që do të mbahet mend jo vetëm si përkthyes me vlera të jashtëzakonshme, por edhe si hulumtues, studiues i rrënjëve të veprave më të çmuara të literaturës botërore”, u shpreh Topi. Nuk mungoi edhe Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, i cili tha se bota e mendimit shqiptar humbi një prej kolosëve të tyre të vërtetë, Gjergj Zhejin. “Ai i përkiste asaj elite shqiptare, që me punën e tij i pasuroi aq shumë letrat shqipe, bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore. Sot ne ndahemi prej tij, por ai lë një emër të madh, një trashëgimi të shkëlqyer për familjen, për miqtë, për botën intelektuale dhe mbarë kombin shqiptar”, përfundoi Kryeministri.
#