E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, ndihmësmjekët në protestë

Reforma në shërbimin shëndetësor kërcënon të largojë nga puna 30 infermiere

Një grup punonjësesh të sistemit shëndetësor, kryesisht infermiere nga institucione të ndryshme të këtij shërbimi në Gjirokastër, kanë protestuar sot para godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik. Kjo, për të kundërshtuar një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë për largimin nga puna e infermiereve pa arsimin e lartë. Reagimi i kësaj kategorie të punonjësve të shëndetësisë, që me shërbimin e tyre janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët, sipas tyre është bërë për kundërshtimin e asaj që ato e konsiderojnë një padrejtësi që u bëhet nga ana e dikasterit dhe që nëse ekzekutohet do të shoqërohet me flakjen nga puna të rreth 300 infermiereve me stazh rreth 20 vjet punë në profesion.

“Kemi qenë jashtëzakonisht të tensionuara nga njohja me këtë vendim, që është një paralajmërim i hapur për largimin nga vendet e punës, ku me eksperiencën tonë shumëvjeçare në punë u kemi shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm pacientëve. Ne nuk mund të pranojmë këtë vendim dhe jemi të vendosura ta përshkallëzojmë protestën tonë”, thanë infermieret protestuese.

Protestueset e kanë quajtur si absurd këtë vendim, jo vetëm sepse lidhet me largimin e tyre nga një vend i pune, por për lënien e tyre përfundimtare pa punë, për shkak të kualifikimit dhe eksperiencës në një fushë të caktuar të shërbimit shëndetësor, kualifikim dhe eksperiencë që nuk krijon mundësi punësimi në institucione të tjera. Të gjitha protestueset kanë marrë kontakt me kreun e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, Igli Kokalari, dhe ky i fundit u ka premtuar atyre se një përgjigje e saktë rreth ecurisë së kësaj problematike do të mësohet pasi të kontaktojë të hënën me ministrin e linjës, Petrit Vasili.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›