Kujtohet Fahri Hysaj

Fahri Hysaj ka jetuar në një vend të vogël, por shtëpinë e ka ndërtuar të madhe. Kështu ka thënë të hënën regjisori Ilir Kabashi, në mbledhjen komemorative kushtuar regjisorit Fahri Hysaj.
“Kudo ku ai ka qenë prezent, ose kudo që vepra e tij është shfaqur profesori ka bërë shtëpi. Ai ka mbjellë shumë fruta anembanë ku flitet shqip dhe disa nga to tashmë janë pjekur. Për pesë vjet studime, ne studentët e tij kemi marrë dije si profesor, pasi gjithmonë na ka konsideruar si kolegë”, ka theksuar Kabashi, i cili ka qenë edhe student i Hysajt.
Miku i Hysajt, Don Lush Gjergji, ka thënë se vdekja e hershme e tij është dhimbje e madhe për të gjithë, por ngushëllim është që ai ka ditur që jetën ta mbushte me porosi e virtyte të mira.
“Ndarjet e tilla, sidomos edhe të papritura krijojnë në ne një dhembje, një zbrazëti, një pikëllim, por jemi edhe të ngushëlluar sepse vëllai ynë Fahriu diti që atë kohë dhe atë jetë që ia dhuroi Zoti, ta mbushte plotë me porosi, vlera dhe virtyte e krijimtari”.
Në mbledhjen komemorative është shfaqur edhe filmi i të ndjerit Hysaj, kushtuar jetës dhe veprimtarisë se komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani.
Fahri Hysaj lindi në vitin 1956 në Shtime. Ka studiuar regjinë e filmit në Zagreb. Është autor i shumë filmave dokumentarë dhe programeve televizive të të gjitha zhanreve. Ishte përgjegjës artistik i programeve satelitore në TVSH.
Po ashtu, ishte një ndër themeluesit dhe pedagogët e drejtimit të Artit Dramatik në Universitetin e Tetovës dhe themelues i Degës për Regji Filmi në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Më 1999 bashkë me Isa Qosjen themeloi Degën e Regjisë së Filmit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku punoi profesor. Ishte fitues i çmimit të parë të Ministrisë së Kulturës të Kosovës në vitin 2004 për skenarin e filmit dokumentar "Tri vrasje në derë të shtëpisë". Hysaj ishte, po ashtu, një ndër themeluesit e Tirana Film Festival.