Lamtumirë Kapiten Feti Vogli
Shteti shqiptar ka nderuar sot Dëshmorin e Atdheut, Kapitenin Feti Vogli, i cili mbeti i vrarë 4 ditë më parë në Kandahar të Afganistanit. Trupi i Voglit ka mbërritur rreth orës 03:05 të mëngjesit të sotëm në aeroportin “Nënë Tereza” me anë të një avioni të NATO-s.
Në orën 04 e 30 minuta kortezhi është nisur në drejtim të fshatit Baldushk, ku u zhvilluar ceremonia mortore familjare ndërsa më pas trupi i të ndjerit u transportua drejt Pallatit të Kongreseve ku janë zhvilluar edhe homazhet për nder të tij.
I pari që ka zhvilluar homazhe në hollin e Pallatit të Kongreseve ka qënë ministri i mbrojtjes Arben Imami dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Xhemal Gjunkshi të cilët kanë vendosur edhe kurora me lule pranë arkivolit të Kapitenit Feti Vogli.
Homazhe kanë zhvilluar krerët më të lartë të shtetit, presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli të cilët pasi vendosën kurora me lule pranë arkivolit të Kapitenit Vogli ngushëlluan familjarët dhe më pas kanë lënë edhe shënimet e tyre në librin e ngushëllimeve.
Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar Zv. kryeministri dhe ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto, ministra, kryeprokurorja Ina Rama, deputetë të Partisë Demokratike, kreu i LSI-së Ilir Meta, ish-kryeministri Fatos Nano, etj.
Nderime për nder të Kapitenit kanë zhvilluar edhe ambasadorë të akredituar në Tiranë si ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së Ettore Sequi, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, ambasadorja britanike, ambasadori italian, ambasadori holandez dhe ambasadorë të tjerë.
Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, deputetë socialistë, drejtues të mediave, të afërm, miq, kolegë dhe ushtarakë të lartë.
Ndërsa në orën 13:00 arkivoli me trupin e pajetë të kapitenit Feti Vogli u vendosnë një shtrat topi përpara Pallatit të Kongreseve dhe nën tingujt e himnit kombëtar u mbajt edhe ceremonia e lamtumirës së fundit.
Fjalën e lamtumirës përpara të pranishmëve e ka mbajtuar shefi i shtabit të përgjithshëm Xhemal Gjunkshi i cili i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të Kapitenit të vrarë.
“Kapiteni Feti Vogli ra heroikisht në krye të detyrës. Ne shprehim ngushëllimet dhe dhimbjen tonë më të thellë për Kapitetnin. Familja Vogli do të ketë respektin dhe mbështetjen e të gjithve. Me dhimbjen tonë janë bashkuar sot edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s. I shprehim mirënjohjen Kapiten Feti Voglit për sakrificat e tij. Akti i tij heroik i bën Forcat e Armatosura të ndihen krenare” ka theksuar Gjunkshi.
Më pas arkivoli me trupin e Kapitenit Feti Vogli është nisur drejt Varrezave të Dëshmorëve ku ai u varros me të gjitha nderimet ushtarake dhe një fjalim të mbajtur nga koloneli Dritan Demiri.