E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Kosova në forumet rajonale tani si e barabartë

SHBA- Shtet e Bashkuara të Amerikës duke përshëndetur arritjen e marrëveshjes së arritur sot në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunimin rajonal, si dhe për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit, janë një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes së tyre të përbashkët evropiane.

Nëpërmjet një komunikimi për mediat, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton nënvizon se marrëveshja e arritur bëjnë të mundur afrimin e Kosovës me integrimin e plotë europian.

“Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Ato e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin. Kosova tani do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten”,-ka thënë shefja e diplomacisë amerikane.

Ndërkohë, Klinton vlerëson se marrëveshjet e arritura do të jenë një hap pozitiv për kandidaturën e Serbisë në BE.

“Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është gjë e mirë për Serbinë, mirë për Kosovën dhe mirë për të ardhmen e tërë rajonit”, ka deklaruar ajo, duke shfaqur shpresën se ”dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të vazhdojë lidhur me çështjet e tjera që ndikojnë në jetën ditore të qytetarëve të të dyja shteteve”,- thekson Klinton.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›