E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lamtumirë Shqipëri e Kupës së Europës!"

BESNIK DIZDARI

Vetëm kështu mund ta përcaktosh braktisjen që shqiptarët i kanë bërë futbollit të tyre, sportit "dikur" më popullor dhe më kombëtar të tyre. Prova e fundit ishte ndeshja Kupës së Ligës së Europës, ajo SK Tirana - Zalaegerszegi, e qytetit me të njëjtin emër të Hungarisë, i vendosur paksa në perëndim të Liqenit të famshëm Balaton.
Në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" mu në çastin kur po bëhej gati të fillonte ndeshja, në tribunën e madhe përballë asaj qendrore nuk ishin as 70 vetë! Ndërkohë që tribuna e ashtuquajtur qendrore natyrisht ishte edhe më me pak spektatorë. Madje këtu gjatë gjithë ndeshjes rolin kryesor e luajti një grup prej nja tridhjetë djemsh, tifozë të flaktë hungarezë, të cilët kishin fluturuar nga Zalaegerszegi jo fort i afërt, për të mbështetur skuadrën e tyre.
Vetëm më vonë, tepër vonë, kur numri i tifozëve shqiptarë pa bileta zakonisht vjen e shtohet, tribunat u populluan paksa. Por nuk është kjo e vërteta e vërtetë. Ajo që është e vërtetë dhe që do të thotë shumë, është pamja pa spektatorë që kishte heshtur stadiumin kombëtar.
Kështu, të enjten që shkoi, 1 korrik 2010, futbolldashësit shqiptarë dhanë edhe një shembull tjetër të shkëlqyeshëm të braktisjes së futbollit të kombit të tyre. Madje ata vendosën edhe një rekord absolut të llojit: asnjëherë nuk kishte ndodhur tash 45 vjet, qysh nga 1965 kur SK Tirana (17 Nëntori i atëhershëm) mori pjesë për herë të parë në Kupat e Europës, që ajo të ndiqej vetëm nga nja 300 spektatorë si në këtë 1 korrik 2010. Kjo tregon se shqiptarët nuk e duan më futbollin shqiptar, nuk i duan më klubet e tyre më të famshme, nuk duan të shkojnë më në stadiumet e tyre shqiptare, edhe nëse ndeshja i përket rangut të lartë të Kupës së Europës!
Dhe kur kështu ngjet me Sportklub Tiranën, shtjellimi duket krejt i tepërt. Sepse Sporklub Tirana është plot 24 herë Kampion i Shqipërisë, është plot 13 herë fituese e Kupës Kombëtare dhe plot 23 edicione pjesëmarrëse e Kupave të Europës. është skuadra, e cila në këtë histori modeste tonën ruan megjithatë, ndeshje të paharrueshme, por që për fat nuk mund t'i arrijë më.
Sepse është kohë tjetër, e futbollistët më të mirë shqiptarë kërkojnë të luajnë jashtë e klubet tona nuk kanë financa për të blerë qoftë edhe futbollistë të tjerë si ata. Sepse futbolli i klubeve në Shqipëri, jo vetëm për këtë arsye, ka një rënie të pashembullt, por edhe sepse në Shqipëri tash nuk ka më një ndjenjë kombëtare futbolli, por ka një ndjenjë absurde ndërkombëtare të futbollit. Dhe e gjithë kjo ndjenjë "e re" ndërkombëtare në Shqipëri është fort e mbështetur sa prej televizioneve "të pamëshirshëm" prirës të mëdhenj të "ndërkombëtarizimit" tonë shpirtëror futbollistik, po aq prej shtypit sportiv, sidomos duke u formuar kësisoj në tokën e ashtuquajtur "arbnore" një opinion futbolldashës, që asesi nuk ka punë me Shqipërinë, por me klubet e shtetet e tjera. Me një fjalë, nuk i përngjasojmë as Zalaegerszegi-it të vogël hungarez me vetëm 60.000 banorë, i cili guxon të vijë në Tiranë edhe me tifozë! Interesant vërtet, në tribunën fjalamane të shtypit të Stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa", të vetmit njerëz që dërsinin duke punuar pa pushim me kompjuterët e blloqet e tyre të shënimit, ishin tre gazetarë hungarezë të Zalaegerszegi-it!
Ndërkaq, ishte vërtet e çuditshme se si ndodhi që edhe ditën e enjte, që ishte një ditë pa ndeshje të Kampionatit Botëror, në ndeshjen e SK Tiranës nuk erdhën më së shumti as besnikët më të mëdhenj të Sportklubit. E kishin braktisur edhe ata!
Pata një diskutim tejet "interesant" me një mikun tim që e do dhe ndjek futbollin kombëtar. Ai hodhi sytë te një gazetë e jona sportive dhe mbasi lexoi se "sot në orën 17:30 në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" zhvillohet ndeshja SK Tirana - Zalaegerszegi për Ligën Europës", vuri buzën në gaz dhe plot siguri tha se ky njoftim duhet të jetë një gabim shtypi. "Ndeshja do edhe disa ditë për t'u zhvilluar", shtoi ai. Unë këmbëngula se ndeshja luhej në këtë ditë, siç shkruante gazeta, por ai këmbëngulte për të kundërtën përderisa, siç thoshte, gjatë ditëve të fundit askush nuk e kishte vendosë një herë të vetme në krye të vendit këtë ndeshje, askush nuk ishte marrë mirëfilli me përgatitjen për këtë ndeshje, për gjendjen e lojtarëve, për emrat, për vlerën e ndeshjes, për historinë, për synimet...
Ndoshta kishte të drejtë, sepse në Shqipëri nuk përbën më ngjarje as pjesëmarrja e klubeve më të mira shqiptare në Kupat e Europës. Kësisoj edhe nëse është fjala për Sportklub Tiranën tonë të famshme.
E vërteta ishte se për ditë të tana SK Tirana - Zalaegerszegi nuk ekzistoi ashtu siç duhej, askund, as në TV, as në emisione, as në problematikë, as para e as mbrapa zhvillimit të saj. As atë ditë. As në mbrëmje. E jo më të të shkonte ndër mend se dikush mund të kishte një ndjenjë kombëtare sado të vogël për të bërë një emision të shpejtë për këtë start, edhe pse "platonik", të klubeve shqiptare për në edicionin 2010-11 në Kupën e Europës.
E vetmja strehë ende e qëndrueshme mbeti Radio Tirana, e cila si gjithmonë transmetoi drejtpërdrejt, si SK Tiranën nga Tirana (0-0) si dhe KF Laçin në debutimin e tij nga Durrësi (1-1) me Dnjepr të Mogilit. Mirëpo, sot në Shqipëri "cara amica veçhia radio", siç thotë sentenca e fqinjëve tanë këtu ngjitur, të cilët me Marconi-n e kanë shpikur radion, në Shqipëri ajo është më e nënvleftësuara.
Mbas gjithë kësaj "tjerrje", nuk na mbetet tjetër për të thënë përveçse "Lamtumirë Shqipëri e Kupës së Europës, sepse tashmâ as kjo nuk na intereson!"
Ajo që na intereson deri në ekstazë, është vetëm Brazili e Holanda, Gjermania e Spanja, Argjentina e Italia, Reali e Barcelona, Interi e Bayerni, Manchesteri e Chelsea!
E për rrjedhim, edhe gjithçka tjetër që lidhet me to: emisionet televizive, komentet e pa pushim, deri teknike e taktike, të përgatitjes a të stërvitjes. Të "tifozerisë" (për fat italisht edhe kjo) e të "dyqaneve" të loterisë së gjithëpushtetshme, në çdo 20 metra një! Deri dhe me terminologjinë e re, falë së cilës gjuha shqipe sportive sapo ka humbur fjalët "fitore", "humbje" dhe "barazim". Njerëzit flasin me gjuhën e re loteristike të shifrave të mahnitshëm "1", "X", "2"! Ata nuk thonë më ndeshja përfundoi barazim, por përfundoi "X". Nuk thonë më që ndeshja përfundoi me fitore", por "përfundoi "2" apo "1"!
Dhe me një larmi të papame "kompetentësh". "Jemi duke i bërë kritikën Kampionatit Botëror", siç më thoshte një nga trajnerët tonë më të mençur dy-tri ditë më parë, i cili në ndryshim nga shumë kolegë, ndonëse ka mbi shpinë vite të tëra si trajner, në emisionet ku merr pjesë nuk hutohet, nuk ia merr mendtë Zoti deri aty sa të guxojë që nga një studio modeste televizive e Shqipërisë së bregut të Adriatikut, ai t'iu japë mend trajnerëve të skuadrave të "Afrika 2010", teksa përveç të tjerave, e di fort mirë se ata nuk mund t'ia arrijnë që ta dëgjojnë këtë zë "të fuqishëm" kritik që vjen nga Shqipëria e vogël - braktisëse e pashembullt e futbollit të vet kombëtar.
Vërtet, asnjëherë nuk është folur për "tifozin" si këto ditë në Shqipëri.
Me këtë fjalë nisin të gjithë emisionet televizive, shkëlqejnë qysh në krye faqet e gazetave, ndrisin fytyrat e tifozëve "VIP". Pa pushim, të gjithë vetëm duan të shfaqen si tifozë krenarë të skuadrave të shteteve të tjera: vajza e gra, artiste e modiste, deputete e deputetë, ministra e shefa, juristë e drejtorë, aktorë e regjisorë, televizista e teknicienë, gazetarë e kryeredaktorë, paraqitës ekranesh e bastexhinj publikë.
Mungon vetëm njëri: "tifozi shqiptar" i futbollit shqiptar.
Deri aty saqë e ke tejet të vështirë të gjesh një tifoz të Sportklub Tiranës deri edhe për Kupën e Europës, që dihet, është pjesëmarrja më e rëndësishme e klubeve në kontinent.
E, çka nuk mu kujtua tek shihja tribunat e zbrazëta të Stadiumit Kombëtar të ndeshjes sonë SK Tirana - Zalaegerszegi! Mu kujtua stadium i ynë i stërmbushur kur zhvilloheshin ndeshjet shqiptare të klubeve në Kupat e Europës të tilla si:
Norkoping - Partizani 1-1, Partizani - Spartak i Plovdivit 1-0, Partizani - Këln 0-0, Partizani - Torino 1-0, 17 Nëntori - Ajax 2-2, Partizani - Advidaberg 2-0, Vllaznia - Asutria 2-0, Partizani - Celtic 1-0, Partizani - Austria 1-0, Dinamo - Karl Zais Jena 1-0, Dinamo - Aberdin 0-0, Dinamo - Sporting 0-0, 17 Nëntori - Dinamo e Bukureshtit 1-0, Flamurtari - Barcelona 1-1, Flamurtari - Partizan i Beogradit 2-0, Flamurtari - Barcelona 1-0, Dinamo - O.Marseille 0-0, Partizani - Feyenoord 0-0, Vllaznia - Dinamo Tblis 3-1, SK Tirana - Dinamo Tbilis 3-0…
E di që këto ndeshje nuk vijnë më. Por nuk e dija se do të vinte një kohë që Sportklub Tirana do të braktisej kështu siç u braktis në këtë 1 korrik 2010 në ndeshjen e parë të saj për edicionin e ri të Kupës së Europës.
Lamtumirë Shqipëri e Kupës së Europës!
Ky është sa çkombëtarizmi dhe në rezultate po aq çeuropianizimi i yt i pamëshirshëm. Dhe nuk je vetëm ti fajtore. Bashkë me ty janë edhe vetë shqiptarët, që po e drejtojnë thuajse me histeri "sportive" rininë e tyre vetëm te futbolli i të tjerëve. Ku për fat të keq rolin kryesor po e luajnë ata midis të cilëve bën pjesë edhe autori i këtij editoriali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›