Pyjet, shfarosen 2 milionë metër kub
Hapësira pyjore në vendin tonë reduktohet me 2 milionë metër kub në vit. Rreth 90% e drurëve priten në mënyrë ilegale. Alarmi për këtë shkatërrim mjedisor ka vite që ngrihet, por çdo ankesë bie në vesh të shurdhër. Sipas përfaqësuesve të Federatës Kombëtareve të Pyjeve, nga 2 milionë m3 që priten në vit, shteti shet më pak se 200 mijë m3. E gjithë pjesa tjetër pritet ilegalisht, që do të thotë se shteti kontrollon më pak se 10% të prerjeve. Sipas tyre, rrëshqitjet masive po dëshmojnë se pylli është lodhur dhe nuk po e kryen funksionin e mbrojtjes së tokës, aq i rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas të dhënave që vijnë nga ekspertët, në Shqipëri numërohen rreth 415 njësi përpunimi druri, të cilat përpunojnë një sasi prej 3600.000 m3 lëndë drusore çdo vit. Sasia e dokumentuar e konsumit të druve të zjarrit për familjet fshatare është 1.6 milionë m3 dru zjarri në vit.