E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zona Ekonomike, peng i ndërtimeve pa leje



SHKODER - Me vendim të Këshillit të Ministrave, ish-zona industriale në Shkodër është shpallur Zonë Ekonomike-Park Industrial. Tashmë bizneset në kryeqendrën e veriut do të kenë hapësira të reja zhvillimi, ndërsa bashkia ka nisur punën për zbatimin në praktikë të këtij projekti. Por, nga drejtues të Bashkisë së Shkodrës mësohet se ka pasur ekuivoke juridike, paqartësi në çështje pronësie, si dhe mungesë informacioni mbi mënyrën e organizimit. Sipas specialistëve, ndërtimet e shumta të bëra pas '90-ës kanë krijuar një situatë të paqartë mbi përqendrimin e objekteve në këtë zonë. Ky fakt ka bërë që të ulet përkohësisht interesimi nga ana e përfaqësuesve të bizneseve. Nga ana tjetër, Bashkia e Shkodrës është e interesuar shumë që të nxisë zhvillimin potencial ekonomik të qytetit. Për zgjidhjen e kësaj situate, përfaqësues të këtij institucioni në bashkëpunim me USAID/LGPA dhe METE kanë hartuar një dokument të përbashkët bashkëpunimi. Ky dokument synon, së pari identifikimin dhe analizën e situatës ligjore për projektin e Parkut Industrial dhe së dyti identifikimin dhe analizën e çështjeve të pronësisë në territorin e këtij parku. Jo vetëm kaq, por Bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes ka ngritur një grup pune të përbashkët dhe është hartuar një plan veprimi të detajuar për rikonceptimin e planit të zhvillimit të Zonës Industriale. Sipas bashkiakëve, puna nuk do të jetë e lehtë pasi vitet e kaluara në tranzicion kanë sjellë ndryshime të mëdha dhe të paplanifikuara. "Deri në vitin 1990 zona industriale ishte në periferi të qytetit të Shkodrës. Aty ishin përqendruar të gjitha ndërmarrjet shtetërore. Pas '90-ës me zhvillimet e reja, kjo zonë pësoi ndryshime të mëdha. Janë bërë privatizime nga më të ndryshmet, janë ndryshuar destinacionet e ndërtesave, si dhe shumë ndërtesa janë të shkatërruara", pohojnë burimet nga Bashkia e Shkodrës. Jo vetëm kaq, por në zonën industriale janë ndërtuar dhe shtëpi banimi nga të ardhur nga zonat malore. Kjo situatë ka vështirësuar punën. Për të gjetur një zgjidhje të shpejtë është kërkuar edhe ndihma e ALUIZN-it, pasi është marrë lista e të gjitha ndërtimeve pa leje që kanë hyrë në proces legalizimi. "Zona Ekonomike-Park Kombëtar do të jetë një model zhvillimi. Ne synojmë që kjo zonë të kthehet në potencial jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë rajonin", shprehet kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka. Sipas Lukës, ndërhyrjet që do të realizohen edhe me ndihmën e të huajve do të bëjnë që kjo zonë të ketë një infrastrukturë model si në rrugë, ndriçim dhe në projekte të tjera. Ndërsa, është parashikuar dhe hapja e filialeve të bankave, hoteleve etj. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›