E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bleona është vrarë nga halla e saj"



"Bleona Mata është vrarë nga halla e saj, pasi e pa me të dashurin". Këto fjali tronditëse qëndrojnë të shfaqura prej disa orësh në faqen e hapur në rrjetin social Facebook, me emrin e 6-vjeçares së zhdukur prej 1 muaji e gjysmë. Persona që nuk identifikohen dhe që nuk dihet se ku e kanë pasur qëllimin, kanë publikuar lajmin e rëndë se Bleona është vrarë. Shpërndarja e tij është bërë menjëherë dhe në orën 10 e 30 minuta e kanë marrë vesh dhe familjarët e vajzës, kur e kanë parë në një prej televizioneve. Në fakt, ende pa e marrë vesh burimin e këtyre fjalive, në familjen Mata ka mbërritur reagimi se asgjë nuk ishte e vërtetë. Gjithçka e kanë bërë fillimisht të afërm të familjes dhe më pas dhe policia e Kukësit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, duke përgënjeshtruar lajmin dhe duke dhënë shpresë se vogëlushja 6-vjeçare mund të jetë ende gjallë. Drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj tha se lajmi i publikuar nuk është i vërtetë dhe është i pabesueshëm dhe sipas tij nuk duhet luajtur me fatin e Bleonës. Ramçaj menjëherë ka sinjalizuar dhe prokurorët e çështjes në Tiranë, të cilët kanë bërë të njohur nisjen e hetimit për përdoruesit e faqes në Facebook. Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi një komunikatë sipas së cilës lajmi nuk është i vërtetë dhe se kërkimet për Bleonën vijojnë dhe se ka shpresa për gjetjen e saj shëndoshë e mirë. Ndërkohë gjyshi i Bleonës, Zenel Mata tha se "nuk kemi asnjë lajm për vendndodhjen e Bleonës. Lajmin më të fundit e morëm nga mediat. Nuk kemi pasur asnjë telefonatë. Ne ia kemi lënë në dorë shtetit, por nëse dikush di gjë për fatin e Bleonës, edhe këta që kanë shkruar të na e kthejnë të gjallë a të vdekur, vetëm të na vijë në shtëpi". Mata i ka konsideruar absolutisht të pavërteta lajmet dhe thashethemet e fundit se vajza e tij Alketa ka gisht në zhdukjen e Bleonës. "është absolutisht e pavërtetë dhe e pabesueshme. çfarë s'ndodh në këtë botë", e ka komentuar gjyshi i Bleonës këtë "lajm", i cili ka marrë dhenë, duke u lexuar e komentuar nga dhjetëra persona në rrjetin social. Në fakt në opinionin e përditshëm qarkullojnë lloj-lloj variantesh në formë thashethemesh për Bleonën, por deri tani as policia dhe as prokuroria nuk kanë një pistë të qartë të hetimeve. Deri tani janë shoqëruar e pyetur mbi 40 persona. Vajzat që ndodheshin në kullotë atë ditë të 22 majit me Bleonën janë marrë më së shumti në pyetje nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, por sërish janë lënë të lira. Në terren operacionet e kërkimit për Bleonën janë ndërprerë prej disa ditësh, duke bërë që fati i 6-vjeçares të mbetet mister. Veç familjes së saj, i gjithë opinioni publik është i tronditur për këtë ngjarje të ndodhur në fshatin e thellë Zapod të Kukësit. Vajza e vogël u zhduk pak minuta pasi 5 të reja, mes tyre dhe halla e saj, e morën në kullotë, rreth 500 metra larg shtëpisë.

Misteri, asnjë telefonatë për vajzën
Policia e Kukësit, Prokuroria apo familja e Bleona Matës nuk ka marrë asnjë telefonatë që nga zhdukja e 22 majit për fatin e vajzës. Për çdo informator u vu në dispozicion një shumë prej 3 milionë lekësh, ndërsa familja nga ana e saj deklaroi se nuk do t'i bëjnë asgjë autorit të rrëmbimit, vetëm t'ua sjellë vajzën shëndoshë e mirë në shtëpi.

40 vete
janë shoqëruar e marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të zbardhur fatin e Bleonës, por ata kanë qenë kryesisht të afërm, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre për vajzën

1 muaj
e gjysmë kanë kaluar që nga dita e zhdukjes së Bleona Matës, në Zapod të Kukësit. E mitura doli në kullotë me 5 vajza të rritura, të cilat deklaruan më vonë se kur u kthyen nga bagëtitë nuk e gjetën më vajzën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›