E Diel, 1 Nëntor 2026

Abortet të larta, informacion i paktë për kontraceptivët



zirina llambro

Tabu për metodat kontraceptive moderne, pamundësi financiere për t'i blerë, por edhe një mentalitet i prapambetur. Gjithashtu, mungesë informacioni nga profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë detyrimin për t'u treguar femrave efektet anësore dhe dobitë. Sakaq, një pjesë e mirë e çifteve janë akoma të mbyllur për të diskutuar mbi këto tema. Femrat preferojnë t'i përshtaten asaj që duan partnerët. Aborti vijon të shihet si zgjidhje për të evituar një shtatëzani të padëshiruar. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të studimit "Perspektiva e femrave për metodat kontraceptive moderne", të kryer nga USAID në kuadër të projektit të planifikimit familjar "C-Change". Objekt i tij kanë qenë femrat që kanë nisur tashmë universitetin në kryeqytet. Gjysma e tyre nga Tirana, ndërsa pjesa tjetër nga qytetet e mëdha si Korçë, Vlorë, Durrës dhe Shkodër. "Ajo që u vu re ishte mungesa e informacionit rreth kontraceptivëve. Vajzat ishin të shqetësuara për sterilitetin në qoftë përdorej për një kohë të gjatë kontraceptivi oral. Një shqetësim tjetër ishin efektet e mundshme anësore, të tilla si çrregullime menstruale, dhimbje koke, dhimbje të trupit, shtim në peshë, aknet, ndjenja e mërzitjes, marrje mendsh dhe dobësi, të përziera", thuhet në studim. Sipas tij, pjesa më e madhe e femrave ishin të informuara se prezervativët janë e vetmja metodë që mbron kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Problematikat
Sa u përket grupeve të tjera të kontraceptivëve ato janë të paqarta nëse kanë të njëjtat efekte. "Disa pjesëmarrëse deklaruan se partnerët bëjnë kujdes vetëm për të shmangur një shtatzëni dhe nuk janë të shqetësuar në lidhje me SST-të. Shumica e tyre pranuan se meshkujt preferojnë "tërheqjen" si metodë kontraceptive me shumë se kondomët. Kjo edhe pse e dinë se kjo metode është 70% efektive", konkludon studimi. Sipas tij, femrat kanë pranuar se meshkujt duan të jenë dominantë në marrëdhënie seksuale. Kur bëhet fjalë për abortin ato theksojnë se sidomos për studentët ai është i papërballueshëm në çmim. Por kjo nuk i pengon çiftet që të zgjedhin klinikat private për të kryer një abort, pasi kushtet janë më të mira dhe u ruhet privatësia. Në përgjithësi farmacistët janë parë si jokomunikues, të shqetësuar më tepër për të shitur produktet sesa për të informuar për efektet anësore. Jo pak pakënaqësi janë shprehur edhe për partnerët. "Femrat në përgjithësi ndjeheshin të afta për të diskutuar, por mendonin se meshkujt kanë tendencë të jetë mospërfillës ose të painformuar në lidhje me kontraceptivët. Ata sipas tyre janë të painformuar në lidhje me metodat që përdoren nga përdoren nga gratë. Disa janë shprehur se as burrat, as gratë nuk marrin iniciativën për të diskutuar dhe vendosur mbi një metodë së bashku: çiftet kanë më shumë gjasa për të folur për metodat e kur në një marrëdhënie është e gjatë dhe më të thellë", saktëson studimi. Arsyet kryesore pse femrat përdorin një metodë kontraceptive është shmangia e një shtatzënie të padëshiruar. Sakaq është raportuar se është përdorur shpesh edhe pilula e emergjencës. Kjo në shumicën e rasteve kur femrat kanë pasur frikë nga ndonjë shtatzëni, pasi kanë kryer seks të pambrojtur. Gjithashtu në studim theksohet se, edhe pse e dinë se këto pilula nuk mund të përdoren shpesh, shumë prej femrave pa qenë të informuara i kanë marrë edhe disa herë brenda pak muajsh.

Problematikat për kontraceptivët

Shpesh aborti zgjidhet si një mënyrë për të parandaluar një shtatzëni, ndonëse ka pasoja për shëndetin e femrës. Kryerja e një aborti zakonisht mbahet e fshehtë, pasi mentaliteti shqiptar e konsideron atë si një tabu.

Studimi tregon se femrat përballen me pengesa për të bërë zgjedhjen e duhur në lidhje me kontraceptivët. Ekziston nevoja për më shumë informacion lidhur me metodat e ndryshme të planifikimit familjar.

Një pjesë e mirë e çifteve janë akoma të mbyllur për të diskutuar mbi metodat moderne kontraceptive. Femrat preferojnë t'i përshtaten asaj që duan partnerët.

Mungon informacioni nga profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë detyrimin për t'u treguar femrave efektet anësore dhe dobitë.

Femrat, por më shumë meshkujt janë të painformuar për metodat kontraceptive moderne. Një pjesë e mirë e femrave kanë frikë nga efektet anësore që mund të kenë nga përdorimi i pilulave.

Meshkujt janë shpërfillës sa u përket metodave për t'u mbrojtur për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënitë e padëshiruara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›