Pushtetarët, Krishtlindje në paqe
Mes Tiranës dhe Shkodrës u ndanë dje festimet dhe urimet e politikanëve shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve. Në një harmoni dhe me shmangie deklaratash ka kaluar dita e djeshme, duke u përcjellë mesazhi për paqe e më shumë tolerancë mes njerëzve. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli e krerët e partive zhvilluan vizita me rastin e festës së besimtarëve ortodoksë dhe atyre katolikë. "Besoj se nuk e teprojmë të japim të njëjtin mesazh se Festa e Krishtlindjeve është festë për të gjithë shqiptarët, sikurse të gjithë ne festojmë Bajramin. Religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujërave dhe në situatat më të vështira që ka pasur Shqipëria", u shpreh kreu i shtetit. Ndërsa kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi ditën e festës për të bërë dhe një përmbledhje të arritjeve, që sipas tij ka shënuar Shqipëria gjatë këtij viti që po mbyllet. "Ne i kremtojmë sot Krishtlindjet më të lirë se kurrë, i kremtojmë ato me dinjitet më të madh se kurrë. Kosova u bë e pavarur dhe kemi 1 mijë arsye të falënderojmë Zotin për këto Krishtlindje, sepse i festojmë më afër se kurrë në projektet tona të mëdha të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian", pohoi Berisha, duke shtuar se këto Krishtlindje po festohen me rritje ekonomike dyshifrore. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe drejtuesi i PS-së, Edi Rama zgjodhën Shkodrën për të uruar besimtarët për Krishtlindje. Rama zgjodhi katedralen e Shën Shtjefnit për të ndjekur meshën e mesnatës për lindjen e Krishtit, e udhëhequr nga arqipeshkvi metropolit Shkodër-Pult Angelo Masafra. Disa orë pas tij, në qytetin e saj të lindjes ka mbërritur Topalli, njëkohësisht deputete e Shkodrës. Arqipeshkvi Masafra, gjatë fjalës së tij, pasi vlerësoi punën e bërë në zhvillimin e këtij qytetit, i kërkoi kryeparlamentares që pavarësisht përkatësisë politike, të gjithë deputetët të bashkëpunojnë përmes kompromisit, në të mirë të Shqipërisë. Ndërkohë, Topalli evidentoi edhe një herë investimet e realizuara në të gjithë vendin. Ajo ritheksoi ndryshimet e mëdha, që kanë ndodhur në vendin tonë, që nga Krishtlindjet e kaluara. r.d