E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë e Leonardos, Interi pranon kontaktet me Bielsën

ITALI- Në fund është dorëzuar edhe Masimo Morati. Pas përgënjeshtrimeve të bëra një ditë më parë, se nuk kishte folur në telefon me Marselo Bielsën, presidenti i Interit ka konfirmuar largimin e brazilianit Leonardo dhe ka pranuar se me kilianin ka patur një kontakt të parë. “Leonardo ka një mundësi të madhe, do të mundohemi që të kënaqim atë dhe klubin. Ka bërë punën e trajnerit me shumë vullnet të mirë dhe pasion, por kjo punë nuk duket dëshira e tij për të ardhmen. I leverdis që të ndjekë rrugën e tij, ndërsa ne të kërkojmë një trajner të ri”, shtoi kreu i klubit zikaltër. Sipas tij, largimi i trajnerit nuk ishte aspak i papritur. “Nuk ishte një surprizë e keqe, sepse ai më kishte lajmëruar prej kohësh. Ishte shumë korrekt. Sidoqoftë, ka shanse që Leonardo të ndërrojë ide dhe kështu të bëjmë edhe ne”, shtoi numri 1 i Interit. Gjithsesi, zikaltërit janë duke parë alternativat për stolin e Leonardos dhe Morati ka pranuar kontaktet me kilianin Marselo Bielsa. “Ka patur një kontakt të parë me Bielsën, por nuk kam qenë unë ai që kam folur”, ka thënë presidenti i Interit. E ndërkohë, duket e vështirë që Leonardo të ndërrojë mendje përsa i përket largimit. Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, ai do të jetë drejtori teknik i Paris Sent Zhermen, ku do të ketë pak a shumë të njëjtat kompetenca si Galiani te Milani. Ai ka qenë dy ditë rresht Katar, ku ka folur me aksionerin kryesor të klubit, princin trashëgimtar Tamim bin Hamad Al Thani. Braziliani ka diskutuar me të për një plan 5-vjeçar, në të cilin ai do të ketë rolin kryesor. Vetëm në 3 vitet e para do të investohen 150 milionë euro.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›