Berisha: Rama ka lobuar kundër vizave
ALDI KOZARJA/ elbasan
Kryeministri Sali Berisha akuzon sërish kundërshtarin e tij politik Edi Rama, duke përsëritur se me darët e ligjit do t’i shkulë dhëmbët, ndoshta edhe nofullën mafies. Nga qyteti i Elbasanit, ku mori pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 100 vjetorit të themelimit të shkollës së parë Normale në Elbasan dhe Kongresit të parë të Arsimit, kreu i ekzekutivit tha se deputeti i PS-së, Ditmir Bushati është dërguar në Bruksel nga kryetari socialist Edi Rama për të lobuar kundër marrjes së vizave. “Ju keni bërë pyetje me dhjetëra herë përse nuk ka ecur më shpejt problemi i pronësisë, por ky problem ecën më shpejt kur t’i shkulësh dhëmbët, ndofta dhe nofullën, me darët e ligjit mafies. Ndryshe nuk zgjidhet problemi, sepse ata janë ngulur aty”, theksoi Kryeministri Berisha. Kreu i maxhorancës akuzoi ashpër kreun e asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi si ideatorin e tërheqjes së opozitës në zgjedhjet e majit 1996 dhe Skënder Gjinushin, si ministri tjetër punist në krah të Ramës. “Ishte terroristi Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, në vitin ’96, që, me një skenar të kobshëm për vendin, tërhoqi Partinë Socialiste, dy orë para mbylljes së kutive të votimit. Sot, ky punist, me dy-tre pinjollë të bllokut, siç janë Edi Rama e ndonjë tjetër si ky fatziu, që shkon në Bruksel për të trilluar për vizat, në traditën e etërve të tyre nuk munden kurrë që të pranojnë votën e lirë. Këta duan pushtet dhe vetëm pushtet. Një ministër i Enver Hoxhës është punisti tjetër, Skënder Gjinushi”, u shpreh më tej Berisha. Nga qyteti, i cili i dha PD-së shtatë deputetë, po aq sa edhe opozitës, kreu i maxhorancës hodhi akuza edhe ndaj liderit të PS-së, lidhur me të kaluarën e tij familjare. “Mos mendoni se i ati i tij u fut për konceptet demokratike në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ose për koncepte demokratike skaliste shtatoret e diktatorit. Jo! Për bindjet që ndante me të dhe krimet që miratonte me ta. Kjo është e vërteta. Asnjëherë nuk kam marrë dhe nuk marr kurrë përgjegjës djalin për të atin, por, kur djali dëshmon se është i ati i ‘nxjerrë nga hunda’, unë nuk kam ç’ti bëj”, u shpreh kryeministri. I pyetur nga mediat mbi kërkesat e përfaqësuesve të majtë vendorë për sa i përket kërkesave të tyre, Berisha tha se autonomia e pushtetit lokal nuk preket në asnjë pikë të saj. Sipas kreut të ekzekutivit qeveria ka mbështetur me grante lokalët, që janë rritur nga viti në vit. Ai i bëri thirrje kryetarëve të bashkive, që të mos vënë si parësore interesat e tyre, por ato të qytetarëve.