Lamtumire fort i cmueshmi miku im Chotjewitz
Jemi njohur në Romë, nga fundi i viteve ‘60, besoj në vitin 1969. Sigurisht në ndonjë apartament apo studio në Romën intelektuale të atyre viteve, me rastin e festave të shumta, apo darkave mes miqsh që i organizonim shpesh.
Ndoshta mund të jemi takuar edhe në studion e Bruno Caruso-s, apo të Piero Dorazio-s, apo të Franco Angeli a të vetë Carlo Levit. Chotjewits, ndryshe nga unë, që në ato vite kam qenë ende në fazën e belbëzimit, ishte shkrimtar, përkthyes me profesion dhe kishte marrë madje disa çmime për punët që kishte bërë.
Peter O. Chotjewitz lindi më 14 qershor të vitit 1934 në Berlin në lagjen “Schoneberg”. Ishte biri i një familjeje të thjeshtë. Menjëherë pas luftës, ende në vitin 1945, familja e tij transferohet në rajonin e Hessen në një fshat të vogël pranë Kassel. Nga viti 1948 deri në vitin 1951, duke ndjekur të atin, Peter punon si bojaxhi. Përveç punës për profesionin e tij të ri, për të cilin edhe u kualifikua madje si piktor, Chotjewitz frekuentonte edhe shkollën e natës në Kassel dhe e mbaroi me marrjen e diplomës së pjekurisë. Pas kësaj u transferua në Frankfurt mbi Majn e më pas në Monako të Bavarisë, ku studion ligje dhe diplomohet. Në vitin 1961 niset për në Berlin, ku fillon punë si dëgjues gjyqësor pranë Gjykatës së Drejtësisë së Berlinit Perëndimor.
Në të njëjtën kohë studion edhe publicistikë, filozofi dhe histori në universitetin e famshëm të Berlinit, “Freie Universitat”. Ky universitet, disa vjet më pas, u bë edhe qendra e lëvizjes studentore që mbahet mend si “‘68-a gjermane”. Në vitin 1965 përfundon me nota shumë të mira edhe provimin e dytë të shtetit në jurisprudencë. Para tij do të hapej një karrierë e sigurt në fushën e drejtësisë. Ai në fakt nuk zgjedh që të militojë në profesionin për të cilin kishte studiuar me sukses, por i futet pasionit të tij, drejtimit letrar. Si i tillë, merr në vitin 1967 një bursë shumë të mirë për të studiuar në të famshmen “Villa Massimo” në Romë. Niset në këtë vend së bashku me dëshirën dhe ëndrrat e mëdha që kishin shumë shkrimtarë dhe artistë gjermanë, me dëshira që fillimisht i kanë shumë, por që janë të pakët ata që i realizojnë dhe i çojnë deri në fund. Chotjewitz vendoset në Romë dhe kthehet në Gjermani vetëm në vitin 1973. Pas saj nis profesionin e tij, atë të mbrojtjes së personave të persekutuar për shkaqe politike. Motoja e tij ishte: “Filli i kuq jam unë”. Ai ishte një njeri me besim shumë të madh te vetja dhe në mënyrë të tillë i hidhte edhe hapat në jetë. Dhe kjo siguri bazohej në një intuitë të madhe krijuese në shumë drejtime. Ai ishte jashtëzakonisht i shkolluar dhe i aftë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë gjermane të viteve ‘70. Edhe kur mendimtari dhe shkrimtari i madh Hans Magnus Enzensberger shkruante për argumentin e “vdekjes së letërsisë”.
Në fillim Chotjewitz eksperimentonte me forma dhe lloje të ndryshme kolazhesh dhe montazhesh. Publikon fillimisht një seri librash, mes tyre edhe poezi. Në vitin 1978 publikon romanin “Zotërinjtë e tmerrit të mëngjesit”, që ka si temë proceset kundër anëtarëve të RAF (Rote Armee Franktion) Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe. Kërcënimet dhe të gjitha mënyrat e dhunës të përdorura ndaj simpatizantëve të prezumuar në ambientet kulturore. Në këtë atmosferë mjafton të kujtosh vetëm “gjuetinë” që iu bë në këtë kohë të famshmit të letrave gjermane Heinrich Boll. Në atë periudhë nuk ishte diçka e rrallë që të të trokiste policia në derë. Në vitin 1979 u publikua romani tjetër “Saumlos”. Në fillim të këtij romani është një burrë në moshë të pjekur, i cili ka ndërmend që të blejë një shtëpi të vogël në fshat në rajonin e Essen-it. Ajo që i bën përshtypje dhe e bën dyshues dhe të lëkundur në planin e tij është historia e fshatit.
Saumlos. Në vitin 1973 ishte edhe periudha më e vështirë e reprezaljeve dhe e histerisë nga shteti gjerman drejt shumë formave të ndryshme të opozitave. Është periudha e ashtuquajtur “Berufsverbot”-en, pra e ndalimit që iu bë disa njerëzve që të ushtronin profesionet në institucionet shtetërore përfshi edhe hekurudhën e shtetit. Në fillim të shekullit të 20, në fshatin Saumlos jetonte një pjesë e madhe banorësh hebrenj, të cilët në vitin 1938 ishin zhdukur të gjithë.... Chotjewitz ka publikuar rreth 30 libra dhe bëri emër si përkthyes në gjuhën italiane. Ishte përkthyesi unik i veprave të nobelistit Dario Fo dhe Franca Rame, Leonardo Sciascia dhe të tjerëve.
Në vitin 2004 publikon një libër për Leonardo da Vinci-n. Edhe në këtë vepër tregohet i shkëlqyer, sepse bëhej fjalë për një libër enciklopedik me shumë lajm, informacione, fragmente, letra e vizatime të panjohura. Ai ka kërkuar që të tregojë me anë të këtij libri metodën personale të kërkimit krahasuar me atë të një gjeniu universal, duke hyrë në një dialog me Leonardon e Madh.
Vitet e fundit Chotjewitz kishte gjetur një shtëpi të re botuese në Berlin “Verbrecher Verlag”, që kishte nisur të botonte veprat e tij të plota. Vëllimet e fundit karakterizoheshin nga një ndjenjë e hollë ironie, duke qenë se ai ishte në dijeni të sëmundjes që kishte. Katër vëllimet e publikuara këto ditë quhen: “Tregimet e mia thuajse të fundit”.
Peter O. Chotjewitz do të mbetet një nga zërat më të shkëlqyer, jo koherentë dhe shumë ironikë të letërsisë gjermane të pjesës së dytë të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Më 21 dhjetor 2010 trupi i tij u transferua në Shtutgart, ku tani prehet në nëntokën e këtij qyteti.