E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europe plani i ri

Europa ndodhet në kulmin e ndryshimit. Një samit i krerëve të shteteve anëtare të BE-së, i mbajtur më 16 dhjetor, vuri në udhë një proces që synon shpëtimin e monedhës europiane. Nëse do të jetë i suksesshëm, ky proces do të shënojë hapin më domethënës drejt krijimit të një fuqie të vetme europiane që prej krijimit të vetë Unionit në vitin 1992 – gjithnjë nëse nuk do të shkatërrojë paraprakisht vetë euron.

E parashikuar në Traktatin e Bashkimit Europian përmes Bashkimit Monetar, monedha e përbashkët, euro, është shoqëruar nga dy probleme thelbësore përgjatë gjithë dekadës së ekzistencës së saj: mungesa e një politike paralele të bashkimit dhe çështja e borxhit. Në botën financiare shumë besojnë se ajo çfarë kërkohet për një monedhë të qëndrueshme është një bashkim fiskal me tagrin e taksimit, dhe në fakt kjo është e nevojshme edhe në rastin konkret. Taksimi dhe përpjesëtimi, kush paguan sa dhe kujt, janë akte themelore politike. Askush nuk mund të ketë autoritetin qendror fiskal, pa pasur fillimisht një autoritet qendror politik/ushtarak të aftë për të imponuar dhe zbatuar vullnetin e vet. Grekët nuk do të vënë në jetë një formë taksimi dhe një sistem vlerësimi përpjesëtimor (appropriation) gjerman thjesht dhe vetëm sepse Berlini zyrtar mendon se kjo është një ide e mirë. Pavarësisht se sa shumë u pëlqen financierëve, blloku i çeqeve nuk është fuqia e mbrame në Galaktikë. Fuqia përfundimtare vjen nga ligji që diktohet nga gryka e armës.

Diversiteti i brendshëm i Europës

Ky nuk është një koncept revolucionar, në fakt është një nga ato çështje që shumica e njerëzve e njeh mirë deri në njëfarë niveli. Amerikanët bënë luftën më të përgjakshme në historinë e tyre, 1861-1865, bazuar pikërisht mbi konfliktin dhe idenë e një fuqie qendrore përkundrejt forcave lokale. Ajo çfarë rezultoi ishte një shtet i aftë të funksiononte dhe të përballej deri në nivelin ndërkombëtar. U deshën tri luftëra të ngjashme europiane, edhe në shekullin e 19, që disa dhjetëra principata gjermane të mundeshin më në fund të bashkoheshin në atë që ne sot e njohim si Gjermani. Europa nuk është akoma në fazën që e do bashkimin (shkrirjen) dhe ne nuk po përdorim shembullin amerikan dhe atë gjerman si krahasim, qoftë edhe për së largu. Krijimi paqësor i një autoriteti politik të unifikuar europian është i pamundur, qëkurse pjesët përbërëse të Europës janë ku e ku më të ndryshme sesa ato që sendërgjuan Amerikën dhe Gjermaninë në mesin e shekullit të 19.

Europa Veriore dominohet nga ekonomi teknokrate të zhvilluara, të mundësuara nga gjenerimi i kapitaleve prej burimeve ujore të Rrafshinës së Europës Veriore dhe lumenjve të saj të shumtë të lundrueshëm. (Kushton shumë më pak të transportosh mallrat përmes lumit sesa tokës dhe ky avantazh u lejon vendeve që gjenden në këto rrugëkalime ujore furnizime të qëndrueshme dhe kapitale shtesë). Si rregull, Europa Veriore preferon një monedhë të fortë me synim tërheqjen e investimeve, përballimin e kostove të larta të një arsimimi të avancuar, mbajtjen e infrastrukturës më të zhvilluar në botë dhe një kompleks tejet të avancuar teknik. Për këtë arsye, eksportet e Europës Veriore, shumë të shtrenjta, nuk preken shumë nga një monedhë e fortë. Një nga pasojat kryesore të modelit të zhvillimit është një njeri që identifikohet me sivëllezërit e tij përgjatë luginave lumore dhe në zona të tjera që komunikojnë me atë çfarë është tipike, pra infrastruktura e gjithëpranishme. Kjo modelon një identitet të qartë, më shumë në nivelin kombëtar sesa atë lokal dhe ndihmon me strategjitë e mobilizimit masiv. Për pasojë përmasa është gjithçka.

Europa e Jugut, në krahasim me atë Veriore, vuan nga një topografi dhe realitet gjeografik i thatë, i thyer dhe pa lumenj të lundrueshëm. Kjo mungesë e rrjetit lumor bën më shumë sesa t’i mohojë asaj një kapital të vetin të qëndrueshëm; ajo gjithashtu frenon unifikimin politik. Mungesa e rajoneve të qarta bazike çon te një mënyrë veprimi, sipas së cilës shumë nga këto shtete ballafaqohen me problemet politike të BE-së si një mikrobotë e tij, pra në funksion të vetes. Këtu, identiteti është më i lokalizuar; europianojugorët priren të shqetësohen më shumë për familjet dhe qytetin e tyre sesa për kombin, përderisa ata nuk përfitojnë ndonjë të mirë nga mundësitë e komunikimit të lirë apo edhe nga kontaktet e rregullta të cilat europianoveriorët i kanë pa kosto. Ekonomitë e tyre e reflektojnë këtë gjë për shkak të integrimit që ndodh vetëm në rrafshin lokal. (Ka vetëm një ekuivalent të megarajoneve industriale të Veriut si Rini në Europën Jugore dhe kjo është Lugina e Po-së në Itali). Pa këtë ekonomi të shkallëzuar, ekonomitë e Europës Jugore janë të varura shumë nga një monedhë e dobët për të mundur që t’i bëjnë eksportet e tyre të konkurrueshme jashtë kufijve dhe për ta bërë çdo dollar apo deutschmark që hyn si investim të japë efektin maksimal.

Europa Qendrore, kryesisht ish-territoret sovjetike, kanë ende rregulla të ndryshme sjelljeje. Disa vende, si Polonia, përshtaten mirë me europianët e Veriut, por ato kërkojnë mbrojtje dhe mbështetje nga jashtë, në mënyrë që të mbajnë pozicione të këtilla. Baltiku, i përbërë nga vende me popullsi të kufizuar në një klimë të acartë, i redukton ato në versionin më të mirë në ekonomi satelite të fuqive më të mëdha (ato shpresojnë për Suedinë teksa i frikësohen Rusisë). Bullgaria dhe Rumania janë një miksim i Veriut me Jugun, të vendosura mbi lumin më të gjatë të lundrueshëm të Europës, i cili edhe pse mbetet ende larg nga qendra e kontinentit, e vendos zhvillimin e tyre në një varësi të madhe të asaj se çfarë ndodh në Turqi, një vend që as nuk është anëtar i BE-së. Teksa shtete që i përkasin këtij grupi shpesh përfshihen në Samitet e BE-së, në të vërtetë e përbashkëta e tyre e vetme me vendet e Unionit është vetëm një gjysmë shekulli i humbur, të cilin ato po përpiqen të mbushin. Dhe ato kanë nevojë për aq shumë kapital sa të mund të kapin një gjendje aftësie. Për aq sa ky vlerësim bën të kuptueshëm, disa prej këtyre vendeve bëjnë pjesë në eurozonë, ndërsa disa të tjera nuk ka gjasë të hyjnë edhe për dekadën e ardhshme.

Dhe ky vlerësim nuk ka marrë ende në konsideratë disa shtete të BE-së që kanë refuzuar euron, Danimarka, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, apo edhe faktin se BE-ja është tanimë një organizëm i përbërë nga 27 vende me kombësi të ndryshme që e mbrojnë me xhelozi autonominë e tyre politike (dhe në shumë raste edhe atë fiskale).

Çështja është kjo: Me Europën me kaq shumë thyerje gjeografike, ekonomi dhe sisteme politike të ndryshme, çdo bashkim politik apo fiskal do të ishte i ngarkuar që në fillesë me komplikime dhe keqkuptime. Shkurt, ky është një defekt i euros që nuk po korrigjohet, po shtyhet, pse nuk është kjo çfarë europianët po përpiqen të rregullojnë tani.

Problemi i borxhit

Nëse ka diçka që po bëhet kjo është përpjekja për të trajtuar problemin e dytë, borxhin. Bashkim Monetar do të thotë që të gjitha shtetet pjesëmarrëse janë subjekt i diktatit të një banke qendrore, në këtë rast i Bankës Qendrore Europiane me seli në Frankfurt. Detyra kryesore e BQE-së (vetëm pjesërisht e deklaruar) është të mbajë një rritje të qëndrueshme afatgjatë, në ekonominë më të madhe të eurozonës, Gjermaninë, bazuar në teorinë se ajo që është e mirë për motorin ekonomik të kontinentit është e mirë për vetë Europën. Një nga pasojat e këtij angazhimi është se normat e ulëta të interesit të Gjermanisë aplikohen përmes monedhës së përbashkët, edhe për shtete me nivele të ardhurash mediokre, standarde më të ulëta arsimi, infrastrukturë më të dobët dhe me perspektivë afatgjatë të ulët të rritjes ekonomike. Menjëherë pas hyrjes së tyre në eurozonë, kapitali u mohoi europianëve të Jugut të drejtën e përdorimit të normave prej 10-15% duke e gjetur veten të detyruar të veprojnë në një mjedis që operon me shifra prej 2-5% (aktualisht është 1.0%). Përkthimi i kësaj në një përfitim të përllogaritshëm dhe të identifikueshëm, do të thotë që për një standard hipotekimi prej 30 vjetësh të reduktosh këstet mujore me 60%. Sipas logjikës së kësaj teorie, kostot më të ulëta të kapitalit do të nxisin zhvillimin në shtetet periferike dhe do t’u lejojë atyre që të ndjekin Gjermaninë. Por këto vende tradicionalisht vuajnë nga norma të larta interesi, të tilla për arsye të qenësishme. Ekonomitë më të vogla dhe më të varfra janë më të paqëndrueshme, përderisa edhe ndryshimet më elementare në mjedisin ndërkombëtar mund t’i degdisin ato në çdo pikë, si lart në tavan ashtu edhe në dysheme. Rreziqe më të mëdha dhe paqëndrueshmëria nënkuptojnë kosto më të larta kapitali. Rajonalizimi i tyre gjithashtu çon në shpenzime të rritura publike, teksa qeveria qendrore përpiqet të kontrollojë progresin e rajoneve që kanë prirje centrifugale. (Në thelb qendra josh rajonet që të qëndrojnë brenda shtetit). Kjo do të thotë se kur eurozona depërtoi në këto vende, teoria thjesht u zhvlerësua. Në praktikë, rritja në periferi u përshpejtua, por kjo rritje nuk ishte as e lehtë dhe as e qëndrueshme. Unifikimi i kostove të kapitalit është provuar më shumë i ngjashëm me atë sikur t’i japësh një studenti të vitit të parë një ‘Black Card’ (kartë e vlefshme për tregje të caktuara, pajisja me të cilën vjen pas plotësimit të kritereve të ‘American Express’, një kompani shërbimesh financiare) të ‘American Express’. Tradicionalisht, shtetet me kapital të varfër (por edhe qytetarët) kanë prirjen që të rrisin shpenzimet në situata kur kostot e blerjeve janë të ulëta, për shkak të mungesës së një kuadri referencial domethënës. Rezultati ka qenë një rritje e jashtëzakonshme kredie nga korporatat, konsumatorët dhe qeveritë, duke çuar në mënyrë të pashmangshme në krijimin e flluskave (si zona fiktive dhe pa bazament) në një shumicë sektorësh. Dhe pikërisht këto shtete që u ngjitën shumë shpejt lart, në dekadën e parë pas hyrjes së euros, u plandosën përdhe vitin e shkuar. Kriza e borxheve e vitit 2010, deri tani shpëtimi financiar nga borxhet i Greqisë dhe Irlandës, apo edhe ndërhyrja e paprecedentë për një bankë irlandeze, mund të shtrihet në bazë të këtij superbollëku që nxitet nga euro. Është pikërisht kjo e dyta, e meta që sjell me vete borxhi ajo që liderët europianë diskutuan më 16 dhjetor. Asnjë prej tyre nuk dëshiron të mbyllë hesapet me euron tani dhe është e lehtë të kuptohet pse. Ndërsa monedha aktuale mbetet një pikë dominuese në politikat e brendshme, përfitimet prej saj, kosto më të ulëta transaksioni, fuqi më e madhe blerëse, e drejtë e lirë për të hyrë në tregje, si dhe kapital më i lirë dhe më i bollshëm vlerësohen shumë seriozisht nga të gjitha qeveritë pjesëmarrëse. Pyetja nuk është “për ku shkon euro”, por sesi të sigurohet një rrjetë shpëtimtare për një euro më pak të dëshirueshme, që është edhe pasoja që vjen nga borxhi. Konkretisht duhet sanksionuar një mekanizëm i aftë të menaxhojë një ndërhyrje shpëtimtare edhe për ekonomitë më të mëdha të eurozonës, atëherë kur borxhi i tyre të jetë shumë i lartë. Në teori, kjo mund të sjellë me vete presionet kontradiktore që euro krijoi, ndërsa i garantonte të gjithë zonës përfitimet që buronin prej saj.

Pengesat drejt rrjetit të shpëtimit (garancisë)

Tri komplikacione gjithsesi mbeten. Së pari, kur kërkohet një ndërhyrje shpëtuese, kjo është e qartë, sepse diçka ka shkuar tmerrësisht gabim. Në rastin e Greqisë, shpenzimet publike ishin jashtë kontrollit dhe pa menduar fare për të ardhmen; në thelb Athina mori një ‘Black Card’ dhe kërceu direkt e në honin e ekonomisë. Në rastin e Irlandës, ishte abuzimi i sektorit privat, i cili e ktheu përmasën e sektorit financiar në një flluskë katër herë më të madhe sesa prodhimi i brendshëm bruto. Në të dyja rastet, ringritja ishte fare e pamundur pa partnerët e eurozonës dhe deklarimin nga ana a tyre e një lloj pushimi të borxhit; rezultati ishte financimi i të gjithë deficitit të Greqisë dhe Irlandës për tre vjet derisa këto dy vende të mund të vënë rregull në shtëpinë e tyre. “Shtëpitë në rregull” janë fjalët kyçe në këtë rast. Në kohën kur vende jo dhe aq të dëshpëruara të eurozonës ndërhynë me disa miliardë euro për të qenë të saktë 223 miliardë deri më tani, ato jo vetëm që i duan paratë sërish, por madje kërkojnë edhe disa siguri se abuzime të këtilla nuk do të përsëriten sërish. Rezultati është një seri me kërkesa të thella të një politike që duhet adaptuar nëse ndërhyrjet shpëtuese do të bëhen efektive. Të njohura gjerësisht si masat e rrepta (asketike), këto kërkesa rezultojnë në shkurtime të thella në shërbimet sociale, tërheqje e përfitimeve dhe rrogave. Askush nuk është i kënaqur. E menduar thjesht: Gjermania po përpiqet të tregtojë përfitimet financiare për të drejtën e rregullimeve në politikën e përgjithshme që normalisht do të duhet të realizohej nga një bashkësi politike. Një plan i shkëlqyer, por që nuk po ndodh në boshllëk. Këtu do pasur në mendje se ka edhe dy komplikime të tjera. I dyti lidhet me faktin se marrëveshja e 16 dhjetorit është vetëm në parim. Përpara se të festohet me shampanjë, duhet konsideruar fakti se “hollësitë” e marrëveshjes shtrojnë më shumë sesa “thjesht” çështjen e disa triliona eurove. STRATFOR hamendëson se për të besuar te ndërhyrjet shpëtuese, fondi i përhershëm për këtë gjë (aktualisht është ngritur një fond i përkohshëm që shkon në 750 miliardë euro) duhet të rritet deri në tre trilionë euro. Pse kaq shumë? Ndërhyrjet për borxhin në rastin e Greqisë dhe Irlandës u hartuan për të izoluar plotësisht këto shtete nga borxhi në tregje, duke u vënë në dispozicion qeverive përkatëse të gjithë sasinë e nevojshme të parave që do t’u duhej për të financuar të gjithë buxhetin për tre vjet rresht. Kjo lëvizje e mençur ndikoi për të izoluar kontaminimin dhe për të mos lejuar përhapjen e tij në pjesën tjetër të eurozonës. Çdo financim i besueshëm do të thotë që të aplikosh këtë precedent në të gjitha vendet e eurozonës që ballafaqohen me presionin e borxhit të lartë, duke përdorur sa më shumë të dhëna të vlefshme, që e mban koston e ndërhyrjes poshtë 2.2 trilionë euro. Përfshirja e një shume ekstra, për t’i lejuar eurozonës municionin e mjaftueshëm për të luftuar ndonjë infeksion tjetër, kërkon një fond prej 3 trilionë eurosh. Masat antikrizë në këtë pikë kanë pasur ndihmën e BQE-së dhe FMN-së, por deri më tani figurat kryesore më shumë janë përmbajtur dhe kufizuar në përqasjen ndaj së ardhmes. E panevojshme për t’u thënë; procesi i rritjes së fondeve në përmasa të këtilla në një kohë kur është bërë e qartë për pjesën tjetër të Europës se kjo duhet, në zemrën e saj, një lojë force e Gjermanisë është me vend për t’u diskutuar nëse është apo jo më e mira.

Komplikimi i tretë është se mekanizmi i ndërhyrjes është aktualisht një gjysmë plani. Gjysma tjetër konsiston në lejimin e shteteve, të paktën pjesërisht, të mos paguajnë borxhin (në zhargonin diplomatik të BE-së kjo quhet “përfshirje e interesave private në financimin e ndërhyrjeve shpëtuese). Kur investitorët që përballojnë borxhin kombëtar të tregut në eurozonë e dëgjojnë këtë atë në mënyrë të kuptueshme rrëqethen, pasi kjo do të thotë që BE-ja ka ndërmend të kodifikojë të drejtën e shteteve për t’iu shmangur borxhit, duke i mbajtur investitorët të lidhur me humbjet. Kjo gjithashtu është më shumë sesa thjesht një çështje e triliona eurove. Investitorët privatë së bashku zotërojnë afërsisht të gjithë shumën e diskutuar të borxhit shtetëror (sipas vendeve) prej 7.5 trilionë eurosh. Dhe në rastin e Italisë, Austrisë, Belgjikës, Portugalisë dhe Greqisë volumi i borxheve arrin në gjysmën apo më shumë të vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto të secilit prej shteteve që mbahen në këmbë nga të huajt.

Duke marrë me mend vendimin e investitorëve, se është më mirë të vijohet me blerjen (financimin) e borxhit qeveritar, atyre u mbetet vetëm një rrugë për të zbutur këtë rrezik: të rrisin këstet. Rezultati ka gjasë të jetë një borxh më i madh përmes financimit të kostove për të gjithë, barrë dyfishe pra si/ose për ekonomitë e dobëta ashtu edhe për të tjerat.

Më tepër në kohën e euros, normat e interesit për bondet qeveritare kanë qenë të njëjta nëpër të gjithë eurozonën, ngritur mbi besimin (supozimin) e gabuar se vendet e eurozonës do të ishin të gjitha në pikëpamje fiskale po aq konservatore apo edhe me të njëjtën ritëm/peshë ekonomike si Gjermania. Ky besim tanimë është rrëzuar dhe interesi për borxhin e Greqisë dhe Irlandës është rritur nga 4.5% në vitin 2008 në respektivisht 11.9% dhe 8.6% këtë javë. Duke marrë parasysh politikat e pakujdesshme të së shkuarës këto interesa kanë prirjen për t’u rritur edhe më shumë. Në kohën para se Bashkimi Monetar të kthehej në qëllim të BE-së, borxhi qeveritar i Greqisë dhe Irlandës shkonte respektivisht në 20% dhe 10%. Me adaptimin e euros, presioni mbi këto interesa mund të sillte pak qetësim, por kjo do të jetë më shumë sesa e pakalueshme, pasi në thelb të dyja vendet dominohen nga sistemi financiar konservator. Ky nuk është thjesht një problem për botën e pas vitit 2013. Pikërisht pse tashmë investitorët e dinë që BE-ja ka për qëllim që t’i lidhë ata me të paktën një pjesë të faturës në fjalë, ata do të kërkojnë kthime më të larta si garanci, qoftë për sa u përket borxheve të reja, ashtu edhe për ato ekzistuese, për të cilat kërkohet rifinancimi. Kjo nënkupton se shtetet që u tronditën në vitin 2010 do të ndëshkohen edhe më rëndë në 2011, sidomos nëse ato do të varen shumë nga investitorët e huaj për të financuar deficitin e tyre buxhetor. Të gjithë do të përballen me kosto më të larta financuese dhe rifinancuese teksa investitorët reagojnë ndaj asaj që pritet ende të vijë lidhur me atë sesa sektori privat do të kontribuojë. Duke lënë mënjanë dy shtetet që tashmë kanë përfituar nga mekanizmi shpëtues (bailout – Greqia dhe Irlanda) janë katër shtetet e eurozonës që Stratfor gjykon se përballen me probleme serioze, Portugalia, Belgjika, Spanja dhe Austria, sipas radhës, përderisa planifikojnë të rrisin apo rifinancojnë një shifër prej çerek trilioni eurosh vetëm për vitin 2011. Italia dhe Franca, dy të mëdhenjtë që janë jo shumë larg zonës së rrezikut, planifikojnë të rrisin shumën e paketës financuese me një tjetër gjysmë trilioni eurosh. Nëse e shkuara merret si shembull, atëherë është e qartë se anëtarët më të dobët të kësaj katërsheje mund të përballen me nevojën për të financuar kosto dyfishe në raport me atë çfarë u desh të bëhej në vitin 2008. Për disa shtete të tjera si këto, kosto të tilla kaq të larta mund të t’i çojë ato drejt nevojës për ndërhyrje financuese, edhe pse tanimë investitorë të padroje nuk kanë mbetur më. Mekanizmi ekzistues i financimit ndoshta mund të përballojë 4 shtetet e para (pothuajse dhe gjithnjë nëse supozohet se do të funksionojë sikurse është paralajmëruar), por përtej kësaj pjesa tjetër e eurozonës do të duhet t’ia dalë vetëm me një fond prej disa trilionë eurosh në një mjedis ku me gjasë investitorët privatë do të zhgënjejnë. Padyshim që euro ka nevojë për një mekanizëm të ri që të mund të mbijetojë. Por duke bërë përpara me drojën ndaj atyre që financojnë deficitin buxhetor të qeverive, europianët kanë të garantuar se kriza financiare e Europës do të përkeqësohet edhe më shumë përpara se situata të fillojë të përmirësohet. Por le të supozojmë për një çast se kjo gjë do të funksionojë, pra se euro do të mbijetojë deri në momentin kur mekanizmi i ri do të vihet në jetë për ta mbështetur atë. Merrni me mend sesi do të jetë eurozona në vitin 2013, nëse ajo çfarë u vendos në samitin e 16 dhjetorit do të bëhet realitet. Të gjitha shtetet që janë “përlyer” me mekanizmin financues sikurse në 2010, pritet të kenë barrë më të lartë borxhi në dy vitet që do të vijnë. Kështu që investitorët do të kenë aplikuar kosto financiare ndëshkuese mbi të gjithë ata. Vetëm, mes shumicës së vendeve të eurozonës, e vetmja që nuk do të përballet me kosto të kësaj natyre është Gjermania, vendi që hartoi rregullat e paketave financiare shpëtuese dhe që është indirekt përgjegjëse për menaxhimin dhe ligjërimin e tyre deri në këtë pikë. Berlini do të komandojë valixhen e parave dhe rregullat financiare, ende të çliruara nga rregullat e mësipërme apo edhe nga kostot e larta financiare që shoqërojnë ato. Një kontroll i këtillë nuk ngjan mirëfilli si një politikë e Unionit (e unifikuar), por për aq sa pjesa tjetër e eurozonës është e gatshme të tregtojë sovranitetin financiar për të përfituar të mirat e euros, ajo mbetet gjëja më e mirë për t’u bërë.

Përktheu:
Skerdilajd Zaimi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›