E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë frikë!

Studentja e grafikës Erilda Selaj flet për frikën njerëzore që fotografoi për "Sotirin", ku mori vendin e dytë. Selaj mes pasionit të grafikës, fotografisë dhe pikturës


Në këtë paradite të nxehtë qershori, nuk arrin të kapësh pasiguri në portretin e qeshur të Erilda Selajt që i bën hije kapela Adidas. E megjithatë pasiguria e ka ndjekur nga shkolla fillore "Drita" e Burrelit, në Liceun Artistik dhe deri ditën kur shkeli në Akademinë e Arteve.


Këto kohë, miqtë e ndalin në rrugë dhe e urojnë 20-vjeçaren për çmimin e dytë që ka marrë në Konkursin Ndërkombëtar për Fotografë të Rinj "Sotiri".


Në tri fotografitë e paraqitura aty tregohej fobia nga mbyllja, izolimi, kufizimi i trupit dhe i shpirtit.


Studentja e vitit të dytë të Grafikës e pa të mishëruar frikën në sytë e njeriut tek një mjedis i ngushtë i pasqyruar në xhamin e një dritareje (imitim i frikës së njeriut) dhe tek silueta e burrit i mbyllur në burgun e tij.


Sapo mori në dorë njoftimin për ekspozitën, Erildën e kapi frika si të realizonte punë që të ngjallte tek të tjerët imazhin e frikës që prodhon truri i njeriut, kur nuk sheh më atë që është reale, dhe çdo objekt i dyzohet, trefishohet, si një lloj tensioni.


Erilda thotë se ka arritur t'i luftojë frikërat e veta. Për të mposhtur ankthin që e pushtonte në vendet me lartësi, realizoi një hedhje të sforcuar me parashutë në Javën e Parashutizmit dhe lamtumirë frikë!


Janë të tjera gjërat që e frikësojnë tani. Ato që mpakin, ndrydhin, lodhin shpirtin. Humbja e njeriut të shtrenjtë e frikëson, ashtu siç e fut në ankth mosrealizimi i vetes. Sipas saj, çdo person ka ardhur në këtë botë me një mision të caktuar dhe zgjedh mjetet e tij për ta realizuar atë.


Rruga e artit, e pikturës, grafikës dhe fotografisë mendon se është rruga ku mund të japë pa ndjerë lodhje. Është një kohë e ngarkuar me provimet e fundvitit, por ajo gjen rastin për të fotografuar.


Çfarë e tërheq? Iluzioni i një cope akulli që lundron në gotën me ujë që shoqëron kafen, një portret që e cfilit ankthi, dhembja, depresioni. Beson se fotografia do të jetë gjithmonë me të, pasion që shpërthen kudo dhe kurdo.


"Grafika ndoshta mund të cilësohet si degë deri diku komerciale, sepse ka filluar reklamimi, art dizajni, por mendoj se të ndihmon në shumë drejtime. Fotografia është komunikim, është një grusht dritë, kurse grafika është një kontrast i fortë dritë-hije. Shpesh shkrihen në një", tregon Selaj.


Është një tip që nuk mund të rrijë duarkryq. Edhe kur detyrimet e shkollës kanë mbaruar, janë ekspozitat dhe konkurset që e presin. Pesë vitet e fundit ka marrë pjesë në ekspozitën "Perlat e historisë shqiptare" (2005), "Tradita nëpërmjet fokusit të objektivit" (2006), "Dëshmi në celuloid" (2007), "Tirana në syrin tim", në tri edicionet e "Blic" nga viti 2007-2009.


Këtë vit ka qenë finaliste e Konkursit Kombëtar të Fotografisë "Kontrast", Vlorë, fituese e çmimit të dytë për pikturë zhvilluar nga fondacioni "Vitrina" dhe në muajin maj ka marrë sërish çmimin e dytë në Konkursin e Fotografisë "Shqipëria është Kulturë", Apoloni.


Kur shterojnë aktivitetet janë librat që e mbushin më së miri kohën e saj, një kulturë që e ka fituar qysh kur ka qenë në Liceu Artistik. Erilda thotë që shkolla ndikon në formimin intelektual të njeriut, po aq sa edhe në brumosjen e karakterit të tij. Për këtë duhet patur kujdes në ushqimin (librat) që konsumohet, të dish çfarë të marrësh.


Një Kafka dhe një Heminguej në këtë kohë i kanë bërë shumë mirë, por edhe një Paolo Coelho ca kohë më vonë. Nga "Alkiministi" i Coelhos ka mësuar që "Njeriu gjithmonë kërkon të marrë atë shpërblimin e madh të jetës së vet, të jetë dikush, të ketë gjithçka dhe në këtë rrugë harron veten e vet".


Erilda ka lindur në qytetin e Burrelit, prej nga është larguar 10 vjet përpara. Burreli është vendi që i fal qetësinë, që i ngjall shpirtin e garës, që e frymëzon të marrë penelin, vendi ku dremit roja në koliben e tij sipër ndërtesës së Postës, ku njerëzit bëjnë xhiro përpara lulishtes afër Bashkisë, vendi ku i pëlqen të kthehet kur e lodh ritmi i Tiranës dhe kur njerëzit nuk merakosen shumë për jetën sociale.


Prandaj ajo është një vajzë që kërkon t'i arrijë me ngulm synimet që i vë vetes.


Qysh kur erdhi në Tiranë, në qytetin ku rrugët nuk mbaronin kurrë dhe duhet t'u tregonte vajzave të shkollës "Hasan Vogli" aftësitë e saj në realizimin e portreteve, t'u ndryshonte paragjykimin zyshave për nxënësit e ardhur nga rrethet, të ishte më e sigurt para telajos kur realizoi modelin e një vogëlusheje për konkursin e pranimit në Akademinë e Arteve. Sot ajo studion në vitin e dytë Grafikë në klasën e piktorëve Ali Oseku dhe Ardian Isufi.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›