Lamtumirë lagjes me drita të kuqe
Edhe “parfumi” ka ndryshuar. Nga bari i kafenesë së vjetër “Oude Kerk” nuk vjen më aromë marijuane, por qumësht i freskët. Pak metra më tutje, vitrina e “Mariska”-s, një nga prostitutat e hershme të zonës, është shndërruar në një dyqan çaji dhe kompletesh të rafinuara porcelani. Grumbuj meshkujsh vazhdojnë të qëndrojnë në radhë përpara Shtëpisë së Kuqe, “teatri më i madh i seksit” në qytet, i rihapur pas një debati të gjatë gjyqësor. Pronarit Jan Otten iu hoq licenca, e kishin akuzuar për pastrim parash. “Kur filloi procesi gjyqësor mendoja se ishte një komedi”, thotë ai. “Tani kam frikë se mos përfundoj si personazh në ndonjë film të tmerrshëm maskilizmi”. Otten duket sikur është sozia e Mick Jagger. Ka fytyrë të plakur, rrudha që duken si kanale të ndara nga njëri-tjetri, rrica të bardha deri te shpatullat dhe ka 40 vjet që merret me tregti në lagjen e seksit të qytetit. “Pas pak kohësh gjithçka do të mbyllet dhe njerëzit do ta kujtojnë këtë vend si një hotel të vjetër, siç thotë edhe një këngë e grupit ‘Rolling Stones’”, shpjegon ai.
Jan Otten është një nga liderët e komisionit të sapokrijuar “kundër imborgjezizmit” të Amsterdamit. Ishte edhe ai në sheshin “Dam” duke protestuar me intelektualët, gazetarët dhe njerëzit e zakonshëm. çështja quhet “rindërtim”. Teknikisht do të thotë: “rindërtimi i një lagjeje të shkatërruar nga ana e banorëve, të cilët janë më të pasur se ata që jetojnë prej kohësh aty”. Plani i ri rregullues parashikon që “De Wallen”, lagjja me drita të kuqe, të pastrohet e gjitha dhe të zëvendësohet nga butikë modernë, bare të kohës dhe restorante biologjike: transformimi sapo ka filluar. çmimi i shtëpive është dyfishuar, po ashtu edhe licencat. Komisioni po mbledh firmat e qytetarëve dhe është mobilizuar edhe në çështje të tjera. Kundërshtuesit premtojnë se kjo do të jetë një pranverë e nxehtë, si në kohërat e vjetra.
Els Iping, kryetari i qarkut, nuk dëshiron që të tjerët ta quajnë një njeri moralist. “Problemi nuk janë droga dhe seksi, por gjërat e turpshme”. Ronald Wiggers, menaxheri i një prej shoqërive më të fuqishme imobilare në vend, i cili ka vënë dorë mbi zonën, është më pak diplomat. “Amsterdami nuk mund të vazhdojë të ketë një qendër historike, që është një ‘arkë plehrash’ e njerëzimit”. Projekti urban, i financuar me disa miliona euro, është quajturat “1012”, si kodi postar i zonës. Pas dhjetë vjetësh, bulevardi i madh që fillon nga stacioni qendror do të pastrohet krejtësisht nga kafenetë, dyqanet e seksit, ato të kebabit dhe suvenireve. Gjithashtu projekti parashikon ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, magazinave të mëdha si galeria “Lafayette” e Parisit, ose “Harrod’s” e Londrës. Amsterdami duhet të bëhet një Venecia e vogël, ose një Bruzh i madh.
Nuk bëhet fjalë vetëm për lagjen me drita të kuqe, por edhe për një epokë që duket se do të marrë fund shumë shpejt, një qytet që ka ndryshuar shpirt pa e vënë re dhe tani po qan atë të vjetrin. Shumë nga shtëpitë e vjetra publike do të deklarohen të paligjshme, sepse nuk do të jenë të lidhura në rrjetin e kanalizimeve komunale. Cigarja me drogë do t’u lejohet vetëm rezidentëve lokalë. Një grup të rinjsh sapo kanë paraqitur manifestin e tyre “Ai! Amsterdam” për t’u ankuar për mbylljen e parakohshme të lokaleve, ndalimin e të pirit në këmbë në ambient të hapur, si dhe për shtimin e kontrolleve të higjienës dhe atyre policore.
Sociologia Anne Hemker është fataliste. “Ishte e pashmangshme. Amsterdami do të bëhet si kryeqytetet e tjera europiane”. Sipas Hemker, qyteti i projektuar nga qeveria aktuale do të jetë “një kuti sterile”. Kriza ekonomike i ka ulur shumë çmimet e pallateve holandeze. Megjithatë diçka është e qartë: laboratori i tolerancës në Europë rrezikon të zhduket. Për shumë qytetarë ky është një lajm i mirë, por edhe i keq. Kryetari i bashkisë, Job Cohen, nuk ka ndërmend të derdhë asnjë pikë loti për të kaluarën, madje është ai i cili i ka dhënë një shtysë “tolerancës zero”, që është bërë flamur i të majtës së re holandeze. “Duhet të kthejmë faqe, sepse lëshimet e dekadës së fundit e kanë transformuar Amsterdamin në qendrën europiane të krimit të organizuar”, thotë ai.
I ulur në një kafene përballë librarisë “Spui”, shkrimtari Herman Koch shprehet kështu: “Amsterdami nuk do të vdesë nga zemërimi”. Në romanin e tij shkrimtari flet për një shoqëri që e ka humbur pafajësinë dhe vlerat e saj. “Ligjshmëria më duket diçka nga e cila mund t’ia nisim. Pikërisht për këtë arsye e vlerësoj punën që ka bërë Cohen”. Pas fushatës së tij “ligj dhe rregull”, kryetari i bashkisë është bërë lider i Partisë Laburiste. Ndërkohë, nëpër baraka kanë filluar të shiten revista të viteve ’70. Në qytetin që po ndryshon, e vetmja gjë e sigurt është tregu i nostalgjisë i kohërave të kaluara.
#