E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mrekullueshmja Grace: përse do ta duam gjithmonë

Ajo magjepsi Hiçkokun, futi “në kurth” princin Ranier dhe pushtoi me imazhin e saj gjithë kinemanë amerikane dhe atë europiane. Grace Kelly vazhdon të mbetet e fundit e racës së biondeve “të akullta”, që do të mbeten të pavdekshme në kujtesën e shumë brezave

Ajo nuk ka reshtur kurrë së qenët jashtë memories së shumë njerëzve, edhe pse arriti të interpretonte vetëm në 11 filma artistikë. Karriera e saj ishte shumë e shkurtër, vetëm 6 vjet, por pavarësisht kësaj Grace mbetet ende një yll në qiellin e idhujve të Hollivudit dhe jo vetëm. Gjithçka u ndërpre në mënyrë të menjëhershme, kur aktorja bukuroshe amerikane, ëndrra e shumë regjisorëve dhe e miliona amerikanëve, u martua në vitin 1956 me princin Ranier III dhe u shndërrua nga zonjusha Grace në Lartësia e Saj, princesha Grace e Monakos. Sapo të dy vunë kurorë në Montekarlo në një ceremoni madhështore, princi ndaloi filmat e bashkëshortes së tij që të shfaqeshin në kinematë e principatës dhe sigurisht i ndërpreu të gjitha ofertat që i erdhën asaj për të vazhduar karrierën kinematografike, madje edhe atë nga i famshmi Hiçkok, i cili e donte Grace për të interpretuar rolin kryesor në filmin e tij “Marnie”. Në njëfarë mënyre Grace u shndërrua me vullnetin e saj të lirë në një princeshë të bukur e gjysmë të burgosur në një kështjellë të pasur e plot shkëlqim të një principate të vogël. Energjitë dhe sharmi i saj tashmë iu kushtuan plotësisht dhe vetëm familjes, bamirësive, leximit të poezive dhe kopshtarisë. Pas vdekjes së saj tragjike në vitin 1982, kishte gazeta dashakeqe që nisën të botonin histori nga më të çmendurat në lidhje me sjelljen morale të Grace në fillimet e karrierës së saj artistike. Për të u shkrua se ajo e kishte zakon që të shkonte në shtrat me të gjithë partnerët aktorë, me të cilët kishte interpretuar në kinema, duke filluar nga Gary Cooper, Cary Grand, Clark Gable, Ray Milland, James Stewart, Bing Cosby e të tjerë, e të tjerë… Me kalimin e kohës lista e të dashurve të saj të supozuar shtohej. Edhe para martesës ajo u përfol për shumë lidhje, madje edhe mamaja e saj pak para dasmës së të bijës foli para shtypit në lidhje me “arritjet sentimentale” të së bijës gjatë periudhës së karrierës kinematografike. Vitin e kaluar, një biografi e re e saj “Grace Kelly dhe Hollivudi” tentoi që të përgënjeshtronte shumë nga hamendësimet dhe thashethemet për princeshën. Shenjtore, apo njeri normal kjo nuk ka shumë rëndësi kur flitet për Grace, sepse Grace mbetet Grace, pra një yll i padiskutueshëm. Përveç librave dhe ekspozitave të shumta që janë hapur për të, edhe interneti është i mbushur me dedikime të fansave të saj. Freskia dhe bukuria e elegancës së saj vlerësohen në çdo kohë dhe nga të gjithë. Po çfarë ka kjo grua ende kaq magjike dhe të mrekullueshme, që vazhdon të na bëjë për vete edhe kaq vite pas ikjes?

Pa asnjë dyshim ajo ishte aktorja më e bukur e Hollivudit e periudhës së artë. E kush vallë mund ta kundërshtojë një fakt të tillë? Marylin, Liz, Vivien, Ava, Rita, Lauren dhe Lana të gjitha kishin anët e tyre të mrekullueshme dhe unike, mënyrën për të elektrizuar skenën dhe ekranin, por asnjëra syresh nuk shkëlqeu si Grace Kelly. Ajo dukej e mrekullueshme edhe e veshur me diçka fare të thjeshtë, edhe e papudrosur e pa buzëkuq, edhe në ato që mund të ishin ditët e saj jo të mira. Ajo kishte gjithmonë atë fytyrën prej kelteje. Njëri nga gjyshërit e saj ishte gjerman, ndërsa tjetri irlandez. Me një origjinë të tillë ajo nuk mund të ishte veçse një qenie e mrekullueshme dhe e pakrahasueshme. Grace nuk kishte asnjëherë pamjen e një personi të zakonshëm si në ekran, ashtu edhe jashtë tij. Ishte një princeshë, edhe kur nuk ishte e kurorëzuar si e tillë. Ecte mes njerëzve si të ishte një kërcimtare e vërtetë dhe njëherazi dukej njerëzore dhe e prekshme. Asnjëra nga shoqet e saj bukuroshe të ekranit nuk kishte buzëqeshjen dhe nurin e saj të rrallë dhe askujt si ajo nuk i mbusheshin menjëherë sytë me lot në një moment prekës. Tek ajo ishin bërë bashkë fëmija, gruaja plot vetëbesim në bukurinë e saj, lozonjarja, vajza që dinte të ishte e rreptë kur duhej dhe të thoshte jo, klasi dhe sportivja. Në rolin e saj të parë të rëndësishëm me “Mogambo” në vitin 1953, të gjitha elementet e sipërpërmendura që e karakterizonin u shfaqën si në një sfilatë të vërtetë për t’i lënë me gojëhapur admiruesit dhe kritikët e saj. Një ndër të parët që vuri re cilësitë e mrekullueshme të Grace ishte i famshmi Hiçkok, i cili e mori aktoren që të interpretonte në shumë filma të tij dhe me një sukses të madh. Regjisori ishte i magjepsur pas pamjes së saj perfekte. Ai e ka fiksuar në celuloid në këndvështrime nga më të ndryshmet, të cilat të gjitha japin imazhin e një nimfe të vërtetë të ekranit. Ai mund të thuhet me të vërtetë se i bëri një homazh të madh kësaj perëndeshe. Grace ishte një grua që dinte të puthte në mënyrë të rrallë. Kur e bënte këtë nëpër filma ishte shumë reale. Janë të paharrueshme skenat e puthjes së saj me të famshmin Clark Gable, i cili edhe vetë u befasua nga mënyra e puthjes. Bëhet fjalë për filmin “Mogambo”. Në filmin tjetër “The Bridges at Toko-Ri”, ajo puth burrin e saj të vdekur. është një puthje lamtumire, por me shumë pasion dhe dhimbje. Por skena më e paharrueshme e puthjes vjen nga filmi “To Catch a Thief”, që ishte edhe filmi i fundit që ajo bëri me Hiçkok. Kelly në këtë film luan rolin e Frances, një vajzë shumë e llastuar dhe e pasur. Në këtë film ajo luan me Cary Grant dhe puthja që të dy shkëmbejnë bashkë në një moment shumë të papritur të filmit ka mbetur në fondin e artë të kinematografisë botërore dhe mishëron më së miri të puthurën plot pasion ndaj të personave që sapo janë takuar dhe e ndiejnë se janë bërë për njëri-tjetrin. Në filmat e saj ajo ka puthur dhe ka përkëdhelur e përqafuar pa fund partnerët e saj të ekranit. Falë Zotit, në atë kohë filmat ishin shumë konservatorë dhe nuk shfaqnin kurrsesi pamje nudosh apo skena erotike, siç ndodh në filmat e sotëm. Trupi i saj ka mbetur një mister në mendjet e meshkujve të brezit të saj dhe atyre të mëvonshëm. Ideja e një marrëdhënieje intime me Grace Kelly ishte thuajse e paimagjinueshme. Ajo ndoshta do ta kishte prishur imazhin e krijuar nga ajo grua me pamje engjëlli që i përkiste një tjetër kohe dhe njëherazi të gjitha kohëve. Por, përveç pamjes së saj të jashtme, ajo që figura e saj arrin të përçojë edhe sot e kësaj dite është gëzimi për jetën, gjallëria, pra cilësi që shkojnë përtej joshjes fizike dhe bukurisë së jashtme. Ajo shndriste dhe rrezatonte nga dëshira për gjithçka që e rrethonte. James Stewart në eulogjinë e mbajtur në funeralin e saj tha: “Grace solli në jetën time, në jetën tuaj një dritë të ngrohtë e të butë. Sa herë që takohesha me të, apo rrinim bashkë, për mua ishte një ditë feste, një moment feste”. Grace ishte një nga ata njerëz që i bënin për vete të tjerët, pasi u përçonin një energji pozitive dhe një kënaqësi të veçantë. Njerëzit me ta takuar donin të rrinin me të, të bënin për të, të merrnin diçka nga ajo përzierje magjike që e bëri aq unike. Breza të tëra kanë rënë në dashuri me pamjen dhe shkëlqimin e saj, me sytë e saj blu.

Grace do të mbetet edhe një nga ikonat më të mëdha të veshjes dhe elegancës. Stili i saj ishte shumë natyral dhe që nuk tentonte të të imponohej. Eshtë ndër më të imituarit, duke filluar nga vetë princesha Diana e deri tek aktoret e Hollivudit, si Kate Winslet me shoqe. Ajo preferonte shpesh edhe pantallonat, treçerekëshe, të ngjitura pas trupit, të cilat i shoqëronte me këmisha burrërore. Në fakt fillesa e saj është nga bota e modelingut për të vazhduar më pas me Hollivudin dhe rolin e fundit dhe me të gjatë të jetës atë të princeshës së vërtetë. Deri sa u martua me princ Ranierin e Monakos ajo ishte e dashuruar pas stilistëve amerikanë që ishin shumë sportivë dhe avangardë krahasuar me ata europianë. Më pas kur u bë princeshë sigurisht që iu desh t’ia linte në dorë pamjen e jashtme stilistëve më të mëdhenj francezë të kohës, por kurrë nuk i lejoi ata që të bënin si të donin me figurën e saj. Gjithmonë ishte ajo që thoshte fjalën e fundit për të gjitha detajet, edhe ato më të imtat e veshjes. Siç ka thënë një shkrimtar, që është marrë shumë me jetën e Grace, ajo ishte shumë sensuale, por njëherazi kishte pamjen e dikujt që nuk mund të prekej, që ishte gjithmonë e largët dhe mbante distancë nga realja dhe e zakonshmja. Kjo shprehej edhe përmes veshjeve që ajo zgjidhte, gjithmonë mes sharmantes, sportives dhe seriozes. Ishin filmat e Hiçkokut që e shndërruan Kelly-n në njërën prej grave më të dëshirueshme në botë.

Filmi “To chatch a Thief” u xhirua në vitin 1955. Një vit më pas, më ’56-n, ajo shpalli martesën e saj dhe njoftoi njerëzit se do t’i jepte fund karrierës me filmin “The Swan and the High Society”. Stilistja që ajo pati në këtë film do të stilonte edhe fustanin e saj martesor, me të cilin vuri kurorë në Monako. Sot ajo rrëfen: “Grace më frymëzoi jashtë mase dhe e vuri në punë fantazinë time dhe gjithë sensin krijues. Në fund të fundit është aq e lehtë që të punosh bukur kur ke për muzë një nimfë të vërtetë me shoqet e rralla në këtë botë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›