Rrezikon shembjen ura e Devollit
Ura e vetme mbi lumin Devoll, që lidh tërë zonën Juglindore të Shqipërisë, rrezikon të shembet. Bëhet fjalë për urën në dalje të Komunës së Gostimës, rreth 40 kilometra në jug të qytetit të Elbasanit, nga ku lidhet direkt zona e Sulovës, Kuçovës, Beratit e më gjerë. E ndërtuar rreth viteve ‘80, vetëm me një kalim, ura në fjalë aktualisht mbart mbi “shpinë” një qarkullim të dendur automjetesh të tonazheve të ndryshme, por këmbët e saj duken sikur qëndrojnë “zbathur” mbi valët e lumit. Nga shfrytëzimi i inerteve prej dhjetëra vitesh, valët e ujit kanë nxjerrë mbi sipërfaqe këmbët mbajtëse nga bazamenti ku ishin ndërtuar. Rreth një lartësie prej 1,5-2 metra, këmbët e urës janë të zhveshura nga gërryerjet e ujit. Por, më tepër se nga poshtë, rreziku urës po i vjen nga lart. Në dalje dhe hyrje të saj qëndrojnë varur dy tabela orientuese, që nuk lejojnë kalimin e mjeteve mbi 24 tonë. Në fakt, prej më se pesë vjetësh, aty kalojnë mjete mbi kufijtë e 50 tonëve ngarkesë, madje edhe 70-80 tonë. Bëhet fjalë për mjete të rënda që ngarkohen me zhavorr të lagësht apo rërë, që firmat e ndryshme private i përdorin për punët sipërmarrëse që kanë në akse të ndryshme rrugore të Rrethit të Elbasanit. Ura në fjalë lidh 40 mijë banorë të zonës së Banjës e Sulovës, pa llogaritur zonën e Kuçovës e Beratit, që më së shumti kalojnë në Elbasan, duke shkurtuar distancën nga aksi rrugor Berat-Lushnjë-Elbasan. Përkundër ankesave të banorëve të zonës e krerëve të pesë njësive vendore, e vetmja “masë” që është marrë nga organet kompetente mbetet tabela e bardhë e shkruar me të kuqe: “24-tonë”!!!
#