E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Profilizimi siguron konkurrencë në tregun e punës

Konferenca Kërkohet një vëmendje e veçantë për arsimin e minoriteteve, që reflektohet edhe në pyetësorin e BE-së

Ministri i Arsimit e Shkencës, Myqerem Tafaj, ka qenë dje i pranishëm në qytetin e Gjirokastrës për të marrë pjesë në Konferencën Shkencore organizuar prej universitetit “Eqrem çabej” në Gjirokastër, me temën e ditës “Procesi i Bolonjës, një realitet tashmë i prekshëm, sfidat për t’u zgjidhur”. Gjatë kësaj konference, ministri Tafaj ka vënë në dukje nevojën e profilizimit të universiteteve publike dhe krijimin në këtë kuadër edhe të profileve konkurruese, si kusht për ardhmërinë e garantuar të universiteteve publike dhe jopublike në mbarë vendin. Krijimi i profesoratit të aftë dhe me nivel në profilin e mësuesisë, eksperienca e fituar në degën e mësuesisë, historisë dhe kulturës greke, dhe nevoja e një specifikimi të një profili konkurrues në treg për të siguruar jetëgjatësi dhe interes për universitetin, sipas ministrit Tafaj, bën që ky universitet të orientohet drejt degëve të profilit të mësuesisë, studimeve albanologjike dhe ballkanike. Duke diskutuar mbi sfidat e procesit të Bolonjës për universitetet me profil pedagogjik, ministri ka inkurajuar Universitetin e Gjirokastrës për të përfituar kurse studimesh në këto fusha dhe në kuadrin e autonomisë universitare të ardhurat që krijohen të përdoren në interes të vetë zhvillimit të tij, duke bërë prezente shanset mbi fuqizimin dhe kërkimin shkencor në mësuesi dhe albanologji. Universiteti i Gjirokastrës, për herë të parë këtë vit ka të miratuar një program master në arkeologji dhe administrim të pasurive arkeologjike dhe sipas rektorit, prof.dr.Gëzim Sala, synohet edhe zyrtarizimi i studimeve të nivelit të dytë dhe të tretë në fusha të tjera.

“Ekzistenca këtu e një përvoje të pasur të profesoratit të këtij universiteti dhe të kontributit shumë të çmuar që keni dhënë në diplomimin e mësuesve të gjuhës greke, janë krijuar shanse për të ngritur edhe një qendër potenciale studimesh ballkanike”, tha Tafaj në Universitetin e Gjirokastrës. Sipas tij, objektivi kryesor në arsimin e lartë është arritja e standardeve europiane jo vetëm në akses, por edhe në cilësinë e studimeve. “Për të rritur investimin për arsimin e lartë, qeveria po punon për
reformimin e sistemit të financimit për të orientuar buxhetin publik kryesisht te “studenti”, në bazë të meritës dhe statusit social të tij, pavarësisht se cilin universitet zgjedh ai, publik apo privat”, theksoi ai. Gjithashtu, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka zhvilluar pasditen e djeshme edhe një takim me studentët e filialit ekonomik të Universitetit të Tiranës, në qytetin e Sarandës. “Përmirësimi i cilësisë

kërkon investime dhe buxhet, për të arritur që të prodhojmë specialistë të aftë edhe për tregun ndërkombëtar të punës”, tha Tafaj. Tafaj është shprehur për një vëmendje më të veçantë për arsimin e minoriteteve, që reflekton drejtpërdrejt edhe në pyetësorin e BE-së dhe që rezulton se Shqipëria ka plotësuar disa standarde europiane në këtë drejtim. Ne besojmë, përfundoi Tafaj, se kjo reformë do të krijonte mundësi për rritjen e kompetivitetit midis arsimit publik dhe privat, rritjen e
investimit privat për arsimin e lartë dhe rritjen e cilësisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›