E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë për Agjelin Nënshatin

Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare mjeshtri i fotografisë, Agjelin Nënshati. Pasardhës i fotografëve të shquar të familjes Nënshati, ai krijoi një model krejt ndryshe të të bërit fotografi. Në fondin e tij personal numërohen rreth 500000 foto, të cilat ndodhen gjysma në fototekën "Marubi" dhe gjysma tjetër në fototekën e tij familjare, të cilën e ka krijuar në vitin 1990, duke rritur dukshëm jo vetëm cilësinë e hapësirën e tyre.

Nenshati është vazhdues i denjë i traditës së lënë nga mjeshtrit e fotografisë si Marubi, Pici, Jakova e Raboshta. Pasionin për fotografinë ai ia ka lënë dhe tre djemve për ta mbajtur gjallë dinastinë Nënshati. Agjelin Nenshati ka lindur në Shkodër më 12.12.1929. Ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme në gjimnazin "28 Nëntori" dhe nga viti 1948 deri në vitin 1957 ka punuar si mësues në shkollat e Pukës dhe Shkodrës. Që në rini ka pas pasion të madh për profesionin e fotografit, duke e ushtruar atë që në moshën 14 vjeç pranë fotografit të njohur Raboshta. Në Pukë ka krijuar laboratorin e parë fotografik në vitin 1948. Deri në vitin 1957 është marrë me fotografinë si amator, duke e vazhduar më vonë si profesionist. Me shtetëzimin e repartit të

fotografisë, që nga viti 1958 e deri në vitin 1990, ka punuar si fotograf profesionist dhe është shquar si i tillë, duke fiksuar ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit e më gjerë ngjarje të gëzueshme në jetën e njerëzve, duke u bërë kështu "syri" dhe "kronisti" më i shquar i Shkodrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›