Të mos dish të servirësh trashëgiminë
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës e gjeti qytetin e lashtë bregdetar në të njëjtën situatë të përvitshme. Vlerësimi dhe promovimi i vlerave historike që mbart qyteti u shpalos në një mënyrë krejtësisht mjerane dhe të përsëritur, pa mundur të tërheqë qytetarët dhe as nxënësit e shkollave drejt monumenteve dhe historisë. Amfiteatri antik i Durrësit hapi dyert e tij, ndërsa autoritetet e mbrojtjes së monumenteve tentuan të jenë aktivë në këtë ditë, duke nxjerrë në dritë stendat e pluhurosura dhe informacionet e fiksuara në to. Me rastin e kësaj dite, galeritë e amfiteatrit të Durrësit u shndërruan në ekspozitë për të pasqyruar thatë dhe pa audiencë të shkuarën e lavdishme të një prej qendrave më të rëndësishme të botës antike. Ndërkaq, drejtues të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës u shprehën se sfida kryesore mbetet promovimi i turizmit arkeologjik dhe atij historik përgjatë sezonit turistik të këtij viti. Gjithnjë e më shumë flitet për turizmin kulturor dhe arkeologjik dhe padyshim që Durrësi ka ç‘të servirë në këtë drejtim, por shumë prej objekteve të tij mbeten të fshehura, janë pjesë e një itinerari ende të panjohur për turistët e huaj, madje dhe ata vendas. Një vit më parë, Bashkia e Durrësit ndërmori hapin e parë për vendosjen e tabelave sinjalizuese që të orientojnë për vendndodhjen e monumenteve, por ende kërkohet punë dhe investime konkrete për promovimin e këtij turizmi. Në të kundërt, atë që me bujari na e ka falur pozicioni gjeo-strategjik, historia dhe paraardhësit, nuk mund ta shfrytëzojmë. Monumentet e kulturës, amfiteatri antik, amfiteatri i Durrësit janë të vetmit të këtij lloji në vendin tonë dhe nga më të mëdhenjtë në rajon. Mund të mbante 15000-20000 spektatorë. Vetëm gjysma e tij është zbuluar. Amfiteatri daton në fillim të shek. II e.s. Ndodhet në hyrje të Rrugës Tregtare, pranë bashkisë së qytetit. Forumi bizantin është i vetmi monument i arkeologjisë bizantine në vendin tonë. Sipërfaqja është e shtruar me mermer dhe rrethohet nga një kolonadë rrethore me diametër 40 m. Forumi daton në fund të shek. V e.s., dhe është përdorur deri në shek. VIII e.s. Mendohet se është përdorur dhe si shesh publik me ambiente tregtare. Më pas u shndërrua në varrezë. Ndodhet pas pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu". Termat romake, termat ose banjat gjenden nën themelet e Pallatit të Kulturës. Janë ndërtuar në fillim të shekullit II të erës sonë dhe prej tyre janë ruajtur kaldariumi me përmasa 13x8m dhe pishina e shtruar me pllaka bardhezi. Ndonëse të rrethuara, termat përdoren nga endacakët dhe të droguarit për t‘u strehuar gjatë netëve të gjata. Durrësi ka qenë një qytet i fortifikuar me mure, të cilat u ruajtën gjatë shekujve. Në shek. IV-V e.s., fortifikimet u shkatërruan nga një tërmet i fuqishëm, por Perandori bizantin, Anastasi I, nga Durrësi, e rifortifikoi qytetin duke krijuar kështjellën më të fuqishme në Ballkanin perëndimor, sipas arkeologëve. Më vonë, të tjera kala u ngritën përreth qytetit duke krijuar një barrierë të fuqishme mbrojtëse ndaj sulmeve barbare. Muret rrethuese të qytetit janë lehtësisht të vizitueshme dhe ndodhen vetëm disa dhjetëra metra larg bregut të detit, në Lagjen 1 të qytetit-port. Kala të tjera mesjetare të rëndësishme janë ato të Kepit të Rodonit dhe Ishmit, por nuk janë lehtësisht të vizitueshme për shkak të infrastrukturës së rrënuar rrugore që të çon në to. Kisha të vjetra në qytetin e lashtë të Dyrrhachiumit janë gjetur rrënoja të godinave të kultit pagan, paleokristian dhe kisha mesjetare. Kisha paleokristiane të stilit bizantin janë gjetur në Durrës, në fshatin Arapaj dhe Gjuricaj. Skulptura dekorative arkitektonike dhe mozaikët dëshmojnë se këto ndërtime kanë qenë të zbukuruara artistikisht.