E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë vrimës së ozonit, po greva e Xonit?

Një zbulim shumë me fat. Shkencëtarët janë shumë të vendosur të kapërcejnë skepticizmat dhe krerët e shteteve që mblidhen për të shpëtuar planetin nga katastrofat. Historia e vrimës së ozonit, e vërejtur fillimisht 25 vjet më parë, tani duket një përrallë. Vrima në fakt është në rrugën e “shërimit”. Kurse politologët shqiptarë as që mund të parashikojnë një zgjidhje për të dalën më mirë në zgjedhjet e ardhshme. As se kur një grevist me emrin hipotetik Xoni (meqë nuk bëhen publikë emrat e grevistëve) kur do të shkojë në spital për kauzën kutiste të Ramës. Sepse do s’do Rama, zgjedhjet e 28 qershorit 2009, janë mbyllur përfundimisht dhe jo në kuti e fiksasione precox të shefit të opozitës socialiste.
Asnjeri nuk ka marrë vesh seriozisht, qartë, shkurt e bukur pse nuk mund të hetohet nga komisioni parlamentar, Prokuroria apo Gjykata Kushtetuese, kjo “vjedhja e votës”. U çmendën qytetarët e Tiranës duke dëgjuar slogane në mitingje, por arsye nuk u shpjeguan asnjëherë. Shumëkush artikulon sot pa ekuivokë semantike se kutitë janë vetëm një pretekst për ta mbajtur në nivel të panegociueshëm krizën politike në Shqipëri. Edi Rama vuri kushte që edhe ai e dinte që nuk mund të pranoheshin dhe në të vërtetë këtë kërkonte; mosmarrjen vesh me maxhorancën, që këtë ta përdorte si alibi.
Gjithashtu argumentet e sajuara kinse për transparencë vijnë prej humbjes dhe kërkesës së fitores në tavolinë të pushtetit.
Pretendimet hipotetike (sepse kurrë të hetuara) të “krimit elektoral” dhe se PD u ka marrë pushtetin dhe u nevojitet transparencë, janë veçse fiktivitete që sugjestionojnë ndonjë militant grevist. Argument tjetër që është tepër aktual, është fakti se këto protesta koti, këto greva të nisura pa paralajmërim e domosdo, pa arsye, jo vetëm që janë ridikule, e po bëhen gazi i botës, por po duket si instrumente për të destabilizuar situatën politike në vend, në prag të vendimeve të mëdha për Shqipërinë, siç është liberalizimi i vizave me BE.
Natyrisht është e qartë në dritën e diellit se Edi Rama sot e gjithë ditën nuk ka problemin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, porse ka frikë nga zgjedhjet lokale që po vijnë, pra ka frikë për oreksin e karriges së vet. Sot vendi ka Kushtetutë, demokraci parlamentare dhe funksionuese, si rregull duhet që çdo gjë të ndjekë rrugën institucionale sepse nuk mund të ketë iluzione Rama se mund të bëjë marrëveshje politike me Berishën për hapje kutish e rinumërim votash në kundërshtim me ligjin themeltar të vendit: Kushtetutën. Aq më pak të ketë iluzione infantile se mund të marrë pushtetin me rrugë revolucionare, në një kohë që jemi në NATO. Bashkëpunim për përgatitjen e një kuadri ligjor dhe infrastrukture zgjedhore që garanton zgjedhje edhe me të mira dhe transparencë edhe më të madhe për zgjedhjet e ardhshme; kjo është zgjidhja dhe ajo që duhet. Tek e fundit, a nuk është ky shqetësimi i Ramës, zgjedhjet e ardhshme, pasi rezultatin e ka njohur dhe nuk kërkon ta ndryshojë? është koha të rikthehen në Shtëpi; nënat tek fëmijët e vegjël, burrat tek bizneset kolosale, apo edhe ndonjë i panafakë tjetër. Të kthehen në shtëpi edhe parlamentarët grevistë, se po dëmtojnë interesat e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›