Problemi quhet Ben Blushi
Sot dita politike do të ishte ndryshe po të mos lindtte brenda Partisë Socialiste fraksioni i mendimit ndryshe. Gjithçka erdhi si rezultat i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Partia Demokratike kishte fituar zgjedhjet parlamentare por nuk kishte maxhorancën e nevojshme për të bërë 71 vota në Kuvend, condicio sine qua non - për të qeverisur. Aleanca mes Partisë Demokratikë dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në krijimin e koalicioni qeverisës me 74 vota erdhi me një deduksion qëllimesh të përbashkëta të integrimit Europian, por natyrisht, edhe për shkak të ndarjes së lidershipit të PS me LSI në votimin e kodit të ri zgjedhor. Ky kod zgjedhor pati edhe një grevë tjetër urie.
Afërmendsh sajesa e një kauze “kutiste” erdhi pasi PD zyrtarizoi aleancën me LSI, sepse Edi Rama shpresonte për një qeveri të përbashkët. Aty filluan kontestimet e para. Sigurisht, zjarrit i hodhi benzinë Ben Blushi, kur deklaroi pa ekuivok që Edi Rama duhej të jepte dorëheqjen si humbës i zgjedhjeve. Shkaku i acarimit dhe i nevojës se një kauze, erdhi nga qëndrimi i Ben Blushit, sepse ai vuri në dyshim faraonin Amon-Ra-ma. E them këtë sepse sikur Ben Blushi të praktikonte disidencë mendimi dhe të mos e kontestonte kryetarin, Edi Rama nuk do të kishte nevojë të niste kauzën e kutive për të legjitimuar fronin. Sot Lëvizja për Mendim Ndryshe papritur lëviz krejt ndryshe. Hesht!
Ndërsa me dalje bombarduese çdo ditë në konferenca për shtyp, Edi Rama ia ka arritur qëllimit të ambientojë kauzën “kutiste” në shkretëtirën intelektuale të medies dhe rrugës, bile edhe aty ku nuk mundet shtyn militantët fanatikë të djegin gazetat, siç ishte rasti i fundit i djegies së gazetës “55” në mitingjet e opozitës socialiste. Mirëpo dikush ka harruar se ekuacioni është i kompromentuar, - dhe ky është problemi - sepse ne nisemi nga një parakusht thellësisht i gabuar: si “krimi elektoral”, aty ku nuk ka minimumin e indicies për një akt-akuzë të këtillë. Gjithsesi sot nuk ka Ben Blush që del e kundërshton vijën politike edviniane sepse me të parën kryqëzohet për së gjalli aty përpara kryeministrisë si armik dhe revizionist, dhe si shërbëtor i Berishës. Gjithashtu një nga shkaqet e amplifikimit të radikalizimit të aksionit politik të PS nga demiurgu Amon–Ra-ma është edhe mbytja e zërit ndryshe në parti, pasi në një situatë të tillë të acaruar dhe ekstremiste askush brenda PS nuk mund të marrë përsipër t’i qepë filipike kryetarit. Sigurisht tha gjysmë llafi për grevën e urisë si metodë e gabuar ish-presidenti Rexhep Meidani, por shpejt u shkarkua bateria e armatës së baltosjes së tij.
Kurse Ben Blushi po përdor taktikën e mbijetesës, simulimin e vdekjes në politikë. Ndofta si njeri që ka shkruar shumë e lexuar pak, ai e mban mend një libërth të Gaqo Bushakës “Tregime për fëmijë”, ku në një tregim të shkurtër paraqitej historia e miqësisë, dhe sigurisht tema e miqve të mirë që nuk të lënë në baltë përballë ariut të murrmë. Aty flitet për një sulm ariu, kur njëri kacavirret teorikisht e tjetri ia mbath në grevë a Bruksel, kurse vetë personazhi ynë shtrihet përtokë e bën si i vdekur, duke ia arritur gjithashtu të mbijetojë. Në politikën e sotme Ben Blushi paraqitet si një projektim i këtij tregimi, i kësaj strategjie mbijetimi, ku, pasi shokët e lanë në baltë, të vetëm kundër ariut të bashkisë, që po u merr erzin të gjithë kundërshtarëve të brendshëm, e vetmja mënyrë mbijetese që i ka mbetur të bëjë është që të hiqet si politikisht i vdekur. Dhe këtë gjë po e bën me aq profesionalizëm, sa besojmë që mund të ketë vdekur me të vërtetë. Ka shumë kohë që po bëhet i gjallë në media, kur pronari i PS-së po inflacionohet përditë përpara kamerave, në gazeta, në radio, në protesta, aq sa po krijon një deficit perceptimi. Politikani Blushi në mos ngjaftë si i vdekur po i ngjan publikut si një i dehur prej intelektit të falur nga perëndia, por shpërdorimi tej-mase i kësaj dhuntie është gjithashtu blasfemia e gatshme, që do ta kishte zili çdo fundamentalist.