E Diel, 1 Nëntor 2026

Ringjallet ideja që ngujimi të zhvendoset në Pezë, pasi vetëm aty kryetari e pranon agjërimin

Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut

Dje më mori malli shumë, mjaltëz, por s’e shuaja dot virtualisht, ashtu siç po e shuajmë përnatë këto 11 ditë, sepse ai Koçoja s’mundi ta identifikonte krejt armikun që i endej nëpër çadra dhe vendosi të zbatonte një black-out për të gjitha lidhjet tona të internetit. Ka akoma ato parullat e koduara, që mësonte vetë në fund të viteve ’80 dhe sa t’i zbërthente në shtëpi me Endrin e Dashin, na privoi ne të tërëve nga lidhja e vetme me botën në anën tjetër të bulevardit...
ç’të të tregoj më përpara, moj grua, se ditët tek ne janë kaq aktive, sa ndodhin shumë gjëra në të njëjtën kohë. Të mos të të tregoj më pas për netët, se një zhurmë, zallamahi e gallatatë të tillë, s’ka pasur as në dasmën tonë, që mbahej si më qejflesha e më e zhurmshja e fisin tonë, që prej kaonëve e këndej... Të gjitha “motrave tona të idealit” u ka hipur një entuziazëm që s’po ua shuajmë dot. Dje bile, u regjistrua një sherr i vogël, lidhur me minutazhin që do të regjistrohej në një emision televiziv, që si andej rastësisht do kalonte andej pari... Si gjithmonë, Olta fiton të drejtën të flasë e para, por ngaqë asnjëherë s’ka ndonjë gjë për të thënë (merret vesh, se në këtë listë ajo vjen e dyta, pas Elisës, por meqenëse ajo nuk është...), ajo mbaron shpejt. Shegushi, edhe për shkak të moshës, por edhe të makiazhit të rëndë që preferon të vendosë në fytyrë, meqë dikush e ka gënjyer se makiazhi e rëndë e tregon të uritur - për ushqim, merret me mend - ka marrë pjesën e luanit tek minutazhi. ç’mbeti i shfrytëzoi Elsa, e cila, si pa përvojë politike siç është, më shumë i prishi punës kauzës, sesa i ndreqi.
Pas ditës së dhjetë të grevës, kanë plasur barcaletat grua, dhe ti e di, në aso gjërash unë s’ia them, prandaj jam bërë një grusht, se më duket se dikush ma ka me hile e po do të më errësojë sakrificën që po bëj për kryetarin e që më ka ndarë për së gjalli prej teje, mjaltëz. Por unë s’dorëzohem, i jam futur internetit dhe kam grumbulluar një numër barcaletash, të cilat i kam ndarë në barcaleta politike, sportive dhe të pista (e merr me mend grua se përse flasin), dhe i jam futur përkthimit, por do më duhen edhe nja dy ditë të tjera, që të mund t’i mësoj përmendësh. E pas këtij momenti, kush më mban më mua, por kam frikë se mos deri atëherë, Olta ua pi lëngun miqësive këtu nëpër çadra dhe e kandis kryetarin të dalim që sakrificën ta vijojmë rrugëve, a ku e dimë, ndoshta edhe në Pezë, atje ku Kulla e Dashit duket si vend i sprovuar për ngujime. Atje me siguri edhe kryetari do të bindej të ngujohej me ne, dhe atëherë...vanë edhe barcaletat e mia. Kur kryetari është mes nesh, dihet se askush s’flet, se kryetari është i zënë me mesazhe që shpërndajnë vija sjelljeje nëpër dritare mediatike.
Më ka zënë mërzia moj grua, por zemrën e mbajmë të fortë, se e fortë duket partia brenda çadrës. Sa për atë jashtë, qeskat e partisë ishin rritur si shumë e parashikoj se shumë shpejt, një udhëtim tjetër urgjent do të merret; ja për Petrelë, ja për Paris, s’e kam idenë tamam, që të gjendet dermani i këtij stresi që po infekton të gjithëve.
Hajt ishallah më del llafi mjaltëz, se kjo afron edhe takimin tonë jovirtual.
A presto, mia topolina!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›