E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë vullnetarë! Nis rekrutimi i "mercenarëve"

Projekti për të shndërruar ushtrinë shqiptare nga një formacion "vullnetarësh" në një formacion profesionistësh është prezantuar dje në qytetin e Fierit nga përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Prezantimi i kryetarit të ri të Degës së Rekrutim-Mobilizimit, si dhe sensibilizimi i njësive të qeverisjes vendore për rekrutimin e kontingjentit të ushtarëve profesionistë ishte në qendër të takimit të organizuar paraditen e djeshme në ambientet e Prefekturës së Fierit. Në takim merrnin pjesë gjeneral brigade Vladimir Qirjazi, komandant i Komandës Mbështetëse Tiranë, kolonel Zihni Goxhaj, komandant i Qendrës së Personel-Rekrutimit Tiranë, prefekti i Fierit Shahin Bejdaj, shefat e komisariateve të Policisë së Qarkut Fier, ushtarakë të lartë dhe drejtuesit e komunave e bashkive. Fillimisht, krerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes prezantuan kreun e ri të Degës së Rekrutim-Mobilizimit, për Prefekturën e Fierit. Qendra e Rekrutim-Mobilizimit Fier do të drejtohet nga Ibrahim Hasani. Më pas, gjeneral brigade Vladimir Qirjazi informoi mbi politikat e qeverisë për modernizimin e ushtrisë shqiptare. "Ne synojmë krijimin e një strukture të armatosur moderne, bashkëkohore, e denjë për të qenë pjesë dinjitoze dhe profesioniste, në kuadër të aderimit në strukturat e NATO-s", tha gjenerali. Ai shtoi se "në kuadrin e reformimit të ushtrisë, krijimit të një strukture ushtarake profesioniste dhe eficente, qeveria vendosi që në vitin 2010 forca e armatosur të përbëhet nga efektiva profesionistë, ushtarë me pagesë. Aderimi i Shqipërisë në NATO, pjesëmarrja e ushtrisë shqiptare në misione të përbashkëta ndërkombëtare, modernizimi i përgjithshëm i ushtrisë nuk mund të kuptohet jashtë praktikave bashkëkohore të ushtrive më të modernizuara të botës", u shpreh Qiriazi. Ndërsa koloneli Zihni Goxhaj tha në takim se "struktura e mbrojtjes me ushtarë vullnetarë nuk mund t‘i plotësonte parametrat, ndaj u vendos që ushtria të kalojë me rekrutë profesionistë". Sipas tij, në muajin mars filloi kontingjenti i parë i rekrutëve me pagesë, të cilët po stërviten dhe trajnohen nga specialistë të NATO-s dhe vendeve të ndryshme evropiane. Ky kontingjent aftësohet në profesione të ndryshme, si dhe në mësimin e gjuhëve të huaja, për të qenë të aftë të shërbejnë në çdo lloj arme dhe në çdo operacion të përbashkët në vende të ndryshme të botës. Nga ana e tij, kreu i ri i Degës së Rekrutim-Mobilizimit, Ibrahim Hasani, tha se qëllimi i tij është të realizojë rekrutimet e parashikuara për vitin 2009, vit gjatë të cilit ushtria shqiptare do të funksionojë me strukturën aktuale. Hasani, që vjen nga detyra e komandantit të brigadës së Bunavisë, ka siguruar se procesi i rekrutimit në Qarkun e Fierit do të bëhet konform ligjit, duke reflektuar kështu ankesat e shumta për rekrutimet me forcë që janë bërë në të shkuarën e afërt në Fier.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›