E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga specialëve të Farkës, u kapën me 400 gramë kanabis

Tre persona kanë përfunduar në prangat e antidrogës së Tiranës, pasi janë kapur me rreth gjysmë kile kanabis. Dy prej të arrestuarve janë efektivë të repartit të helikopterëve në Farkë, ndërkohë që tjetri cilësohet si furnizuesi i tyre. Policia tha se operacioni për kapjen e tyre u zhvillua mesditën e djeshme gjatë shkëmbimit të mallit me paratë. Ndërkohë, speciali i ushtrisë ka deklaruar se e kishte blerë kanabisin për përdorim personal. Burimet policore të kryeqytetit thanë se nga seksioni kundër drogës u bë arrestimi i Gerald Fatmir Bajraktarit, 22 vjeç, ushtar në repartin e helikopterëve, Klodian Arqile Stefa, 27 vjeç, efektiv i repartit të helikopterëve dhe Julian Hysen Hila, 25 vjeç. Grupi hetimor shpjegoi se arrestimi i tyre u bë, pasi në orën 14.00, në rrugën "Margarita Tutulani", u kapën në flagrancë Gerald Bajraktari dhe Klodian Sefa, me 8 qese plastmasi të mbushura me bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis. Pas marrjes në pyetje, ata deklaruan se këtë sasi bime narkotike e kishin blerë nga Julian Hila, i cili u arrestua më vonë nga uniformat blu. Ndërkohë, policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 422.2 kanabis, një motoçikletë e tipit "Vespa Skuter" dhe tre celularë. Policia tha se kjo lëndë narkotike dyshohet se do të shitej brenda repartit ushtarak, megjithëse të arrestuarit kanë deklaruar se i kishin për përdorim personal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›