E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza: Ndërtesa e Juridikut, me rrezikshmëri të lartë

Heshtja e gjatë e shtetit në lidhje me Fakultetin e Drejtësisë duket se ishte e pajustifikuar. Ekspertiza e kryer në terren ka vërtetuar se ndërtesa përbënte rrezik për studentët dhe pedagogët dhe se në të nuk mund të zhvillohet mësimi. Burime nga universiteti bëjnë me dije dje se tashmë do të vijohet me zgjidhjen provizore të përcaktuar deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit. Por, studentët e Fakultetit e Shkencave Sociale kanë riprotestuar dje, duke kërkuar mjedise të përshtatshme për mësimin. Sakaq, ende pa përgjigje ka mbetur padia e dorëzuar në prokurori nga rektorati i Universitetit të Tiranës për firmën e ndërtimit.

Ekspertiza

Ndërtesa e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale përbën rrezik për studentët dhe pedagogët dhe nuk mund të përdoret për mësimdhënie në kushtet aktuale. Ky ka qenë përfundimi i grupit të ekspertëve të ngritur për këtë çështje, të cilët pasi e kanë përfunduar ekspertizën, pritet t`ia dorëzojnë atë eprorëve të tyre në Ministrinë e Punëve Publike dhe në Ministrinë e Arsimit.

Burime pranë këtij grupi të ngritur posaçërisht për të verifikuar gjendjen e godinës, kanë bërë të ditur dje për “standard” se godina përbën rrezik dhe se nuk këshillojnë që aty të zhvillohet mësim, ndërkohë kanë deklaruar se edhe sekretaria duhet të zhvendoset. Në muret e Fakultetit të Drejtësisë, sidomos në katet e para, të çarat e krijuara nga plasaritja e betonit janë të dukshme. Vrima të mëdha në faqet ballore të mureve kanë krijuar panik mes studentëve, të cilët i frikësohen një shembjeje të ndërtesës.

Asgjë e re nga fronti i Shkencave Sociale

Ndërkohë që mësimi në Fakultetin e Drejtësisë ka nisur në mjediset e kinoklubit dhe të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, Fakulteti i Shkencave Sociale nuk dihet se ku do të zhvillojë mësim. Për këtë arsye, studentë të këtij fakulteti kanë zhvilluar paraditen e djeshme një protestë përpara Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

Një grup i vogël studentësh, të cilët kanë protestuar për zvarritjen e zgjidhjes së problemit të ndërtesës, kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe u gjykua si indiferent qëndrimi aktual i institucionit. Protestuesit qëndruan përreth 20 minuta përpara ministrisë, përpara se të shpërndaheshin paqësisht.

Ministria e Arsimit reagoi ndaj protestës, duke deklaruar se është duke marrë të gjitha masat dhe se problemi do të zgjidhet shumë shpejt, siç kishte deklaruar edhe rektori Kule. Ndërkohë, protestën në vetvete e cilësoi si të motivuar politikisht.

Padi pa përgjigje

Prej muajsh, Universiteti i Tiranës ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme një padi ndaj firmës ndërtuese të ndërtesës ku strehohet Fakulteti i Drejtësisë, për plasaritjet e mëdha që janë në muret e objektit. Deri tani, sipas përfaqësuesve të universitetit, prokuroria nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Universiteti i Tiranës ka kërkuar gjithashtu fonde për një godinë të re për Fakultetin e Drejtësisë, jo vetëm për shkak të plasaritjes, por edhe për shkak të mbipopullimit të godinës aktuale, ku strehohet Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Shkencave Sociale. Por, deri tani, një fond i tillë nuk është akorduar nga buxheti i shtetit, duke e lënë situatën e krijuar në mëshirë të fatit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›