E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lap-topi i Gjinit

 

“Spiuni” u intrigua shumë nga oferta e një shoku shkolle që nuk e tradhtoi mësuesinë, ndryshe nga ai që lap-topin e përdor për të shkruar artikuj për gazetë. “Unë do të marr lap-topin dhe do të lëshoj certifikata në zonat e thella të Shëngjergjit. Kështu marr më shumë rrogë se në gjimnazin më të mirë të Tiranës”,-tha i entuziazmuar arsimtari dhe me fytyrën e skuqur nga e qeshura dukej tamam si Gjini te ai spektakli humoristik. “Spiuni” piu kafe në një lokal me uarles dhe u fut te faqja e qeverisë. Gjeti njoftimin e datës 28 maj 2008 për mbledhjen e qeverisë dhe fjalën e Berishës për lap-topët: “Nuk do të hapen gjendje civile, por do të përgatisim arsimtarë, të cilët do të pajisen me lap-topë, ku do të kenë të memorizuar të gjithë regjistrin e gjendjes civile të zonës dhe me një shtesë në pagën e tyre, si dhe me një orar të caktuar kundrejt asaj page, do të kryejnë disa nga veprimet më të shpeshta të gjendjes civile, në mënyrë që njerëzit të pajisen me vertetime ose certifikata". Ky ishte premtimi i Kryeministrit të qeverisë në dietë që vendosi të mbyllë shumë zyra të gjendjes civile për t’i kthyer ato në ambulatore.

“Spiunit” iu kujtua një premtim i hershëm i Berishës se do t’ua hiqte nga fyti shqiptarëve të ngratë certifikatomaninë, sepse ky shtet vetëm certifikata pa hesap kërkon. Kërkoi te arkiva e www.km.gov.al dhe gjeti fjalimin e Berishës më 28 shkurt 2007, me temë “përshpejtimin e fillimit të zbatimit të projektit për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, duke e konsideruar atë si një përparësi që do të përmbushë jo vetëm një angazhim të qeverisë në kuadër të programit të saj, por njëkohësisht do të lehtësojë qytetarët nga barra burokratike e lëshimit të certifikatave”.

“Ky është një detyrim për identifikimin e zgjedhësve, që përbën një kërkesë të rëndësishme në mënyrë që të arkivohet përfundimisht diskutimi mbi vërtetësinë e dokumenteve të lëshuara nga gjendja civile dhe të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të çlirohen nga certifikatomania.... Duhet të ecim me shpejtësi. Është ecur për përzgjedhjen e karakteristikave teknike, por duhet përzgjedhur mënyra se kush dhe si do të lëshohet karta, çmimi, i cili duhet të jetë detyrimisht i arsyeshëm dhe jo një çmim që të rëndojë buxhetin e qytetarëve, ndonëse nga pikëpamja ekonomike është me interes shumë të madh për qytetarët, pasi me marrjen e kartës së identitetit ata shpëtojnë nga dëshmia e pafundme e certifikatave".

Qeveri ka premtuar se do t’i bëjë kartat gati në vitin 2009. Deri atëherë Berisha do t’i ketë mbushur arsimtarët me lap-topë dhe ata do ta shpërndajnë certifikatomaninë anembanë Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›