Posti i Bushatit
“Spiuni” u gëzua shumë dy net më parë, kur pas disa vitesh pa ish-kryetarin e PDK-së, Zef Bushati. Nuk e kishte parë që kur ishte bërë ambasador i Shqipërisë në Vatikan, duke dhënë dorëheqjen nga posti partiak. E gjeti ulur te lokali “Davidoff” në zemër të ish-Bllokut, bashkë me Anton Gurakuqin e përkrahës të linjës anti-Ndoka, që kanë krijuar PDK-në e re.
Pasdite, në adresë të “Spiunit” erdhi një letër nga zyra e shtypit e PDK-së së Gurakuqit, ku thuhej: “Ne do vazhdojmë t’i drejtohemi prokurorisë dukebërë një kallëzim penal për të gjithë ata individë të cilët kërcënojnë në celular anëtarët e Këshillit Kombëtar të PDK-së për shkak të detyrës. Ne shprehim bindjen e plotë se demokristianët e vërtetë me moralin e tyre nuk kompromentohen përballë asnjë formë joshjeje apo presioni”. Kjo letër politike i kujtoi “Spiunit” një ngjarje që i kishte ndodhur shtatë vite më parë, kur PDK-ja ishte vetëm e Zef Bushatit kryetar, por që aspirohej nga botuesi i “Koha Jonë”, Nikollë Lesi. Ishte viti 2001, kur kryeministër ishte Ilir Meta dhe president Rexhep Meidani. Aq shumë donte të kishte edhe një post si kryetar partie, i nderuari Lesi, saqë ia arriti t’i mbushte mendjen Bushatit që të merrte një detyrë diplomatike, sepse partinë do t’ia “ruante“ Nikolla. “Spiuni” bëri një shkrim në gazetën ku punonte, sipas muhabetit që ishte bërë mes qeverisë dhe botuesve, dhe të nesërmen u shpall në gazetë se Bushati së shpejti do të bëhej ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Të nesërmen Bushati mori në telefon “Spiunin”: -Është e vërtetë se unë do të bëhem ambasador në Vatikan? -Padyshim, kjo është vendosur tashmë në qeveri nga Kryeministri dhe do të dekretohet edhe nga Presidenti - e siguroi Bushatin “Spiuni”. -Uroj që këtu të mos ketë ndonjë lojë, sepse askush nuk mund të tallet me shtetin e Vatikanit -u përgjigj me dyshim kryetari i PDK-së.
Kështu, Bushati u bë ambasador në Vatikan, Lesi kryetar i PDK-së dhe “Spiuni” u ndje krenar për shërbimin që kishte bërë për forcimin e demokracisë në Shqipëri. Por që kur ka nisur lufta mes PDK-ve, asaj të Ndokës, Gurakuqit, Lesit dhe Bushatit, “Spiuni” është betuar të mos bëjë më shërbime të tilla, edhe sikur këtë t’ia kërkojë kryeministri i shërbesave, Sali Berisha, që nuk po ngopet duke i bërë çorap aleatët, vetëm e vetëm që të jetë ai i vetmi gjel në politikë.