Laporta: Një prej sezoneve më të mira të Barcelonës
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është shprehur mjaft krenar për triumfin e skuadrës së tij në La Liga. Humbja 3-2 e Realit në fushën e Vijarealit i dha titullin matematikisht katalanëve, që menjëherë nxituan të festonin në sheshe. "E mrekullueshme", deklaroi njëshi i klubit për "Barça TV". "Po përjetojmë një ëndërr, në një vit rekordesh. Fitimi i dy trofeve në Spanjë është një rezultat historik dhe duhet ta shijojmë. Ky është një prej sezoneve më të mirë në historinë e Barcelonës. Tani luajmë finalen e Ligës së Kampioneve me Mançesterin. Kemi të gjithë kohën e nevojshme për t‘u përgatitur. Do të jetë një sfidë ëndrrash, ku të dyja skuadrat e meritojnë fitoren". Nëse "blaugranat" triumfojnë edhe në Champions, kjo do të jetë hera e parë që një spanjolle i merr tre trofetë e mëdhenj brenda një sezoni. Ndërkohë, festa për fitoren matematike të titullit është shoqëruar me 63 të arrestuar (4 të mitur) dhe 51 të lënduar, mes të cilëve 15 ishin agjentë të policisë.