Mançester Junajtid: Synojmë të mbajmë Ronaldon dhe Tevez
Pas festës për titullin në Premiership, drejtuesit e Mançester Junajtid e kanë të qartë si duhet të veprojnë. "Kristiano Ronaldo? Nuk do të largohet nga skuadra për t‘u transferuar te Reali. Tevez? Situata do të jetë më e qartë në qershor, por synimi ynë është që ta mbajmë", deklaroi drejtori i përgjithshëm i Red Devils, Devid Gill, për "BBC". Duke shpjeguar planet për merkaton e verës, ai shtoi: "Duhet vetëm të bëjmë disa ndërhyrje të vogla në skuadër. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: Ronaldo nuk do të largohet, ai është pjesë e rëndësishme e ekipit. Nuk kemi arsye përse duhet të heqim dorë nga ky futbollist, madje kemi deklaruar qartë se ai ka një kontratë afatgjatë (deri në vitin 2012) me klubin". Më tej, Gill shpjegoi se problemi për Tevez qëndron te vlera e kartonit, i cili zotërohet nga kompania Kia Jorabkian. Çmimi i argjentinasit është 30 milionë euro dhe nëse Mançesteri nuk vendos ta blejë, sulmuesi mund t‘u ofrohet klubeve të tjera brenda dhe jashtë Anglisë.