E Diel, 1 Nëntor 2026

Lapsi majë-thyer i z.Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka mprehur majat e lapsave që ai kurrë, - veç rasteve kur i është dashur të numërojë lekët, - nuk ka ditur t’i përdorë, dhe i ka vënë këto lapsa në duart e disa të rinjve që militojnë pranë partisë së tij.

Këta të fundit, kanë hedhur në shtyp vrer dhe akuza të ulëta këto ditë, ndaj “armiqve” të z.Meta, me të njëjtin stil që njeh mirë Berisha për të baltosur “armiqtë” e shpallur nga foltore prej të cilave në fakt duhet të japë llogari.

Arsyeja e këtij shkrimi, që të kuptohet që në fillim, nuk është aspak për të mbrojtur të shpallurit “armiq” të Metës e të Berishës. As për të vjellë vrer “miqësor” ndaj një tjetër mikut tim, Besjan Peshës (LSI), i cili pardje në një letër “miqësore” në gazetë, shprehej i zhgënjyer nga fakti që Erjon Veliaj qëndronte në marshimin e fundit të opozitës krahpërkrah me njerëz që, “i kishin ironizuar dhe kritikuar kur së bashku drejtonin Lëvizjen MJAFT!”. Te po këta njerëz qëndronte përkrah edhe vetë Pesha… Madje ai qëndron çdo ditë edhe përkrah Luan Ramës, për të cilin kontribuoi me protesta që të jepte dorëheqjen, pasi rrahu një gazetar. Një zot e di se si ia bëjnë me njëri-tjetrin kur takohen në korridoret e LSI-së!

Por, le të flasim pak për z.Meta, “lëvizjen e tij të fundit” që ka nisur të artikulojë publikisht: të rrëzojmë Berishën duke bojkotuar Parlamentin. Bojkot Parlamentit??? Po janë ca shifra që thonë se z.Meta në fakt, ka shumë kohë që e ka braktisur Kuvendin e Shqipërisë.

Ilir Meta, së bashku me një anëtar tjetër të grupit të tij parlamentar, Dritan Priftin, bëjnë pjesë në listën e 10 deputetëve më pak prezentë gjatë gjithë legjislaturës së fundit. Iliri, nuk ka qenë i pranishëm në ekzaktësisht 80% të veprimtarisë parlamentare, ndërsa Prifti ka munguar në 67.5% të veprimtarisë parlamentare, që nga shtatori i vitit 2005. Kështu që, kur ai bën thirrje për të bojkotuar Kuvendin, në të njëjtën formë aspak vizionare për shqiptarët, si Fatos Nano e Sali Berisha dikur, nuk bën asgjë tjetër veçse thotë publikisht: Ndiqni shembullin tim!

Pikërisht në këtë Kuvend, ky progresist që lufton të na integrojë të gjithëve në Europë, ka bërë edhe shfaqjen olimpiko-sportive më të bujshme të të gjithë karrierës së vet sportive: ka kapërcyer duke shkelur të gjitha rekordet e vrapit me pengesa, kombinuar me moshën: plot katër tryeza të Kuvendit, është sulur drejt e te podiumi për t’i kapur fytin femrës që drejton Kuvendin; ndërsa plot 2 vjet më vonë po ky rekordmen-vrapues me pengesa, ka protestuar se pse “ka kaq pak femra në politikë”…(!)

Ilir Meta, së bashku me 6 anëtarët e tjerë të grupit parlamentar të tij, janë njëherazi edhe ndër njerëzit më të pasur të vendit. “Ta thyejnë hundën me lekë”,- siç thotë një batutë metropoli. Vetëm në bazë të deklarimit të tyre të pasurisë, në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, totali i përafërt i pasurisë në lekë (neto) i grupit parlamentar të LSI, është ekzaktësisht 1 miliardë e 555 milionë 947 mijë 711 lekë. Për korrektësi, i zbresim kësaj shifre totalin e përafërt të pasurisë në lekë të Paskal Milos, meqë prania e tij në këtë grup është për “arsye shifrash”, i bie që gjashtë nga anëtarët e LSI, ata më të devotshmit që përfaqësojnë shqiptarët në Kuvend, të marrë së bashku, të kenë një pasuri prej: 1 miliardë e 396 milionë 627 mijë 110 lekësh.

Të jesh i pasur nuk është krim. Problemi i vetëm është se ne jetojmë në Shqipëri, ku 18 vjet përpara familjet tona përjetonin të njëjtin bilanc vuajtjesh, ashtu si dhe të njëjtin bilanc varfanjak financiar. Kështu që, minimumi që ne ish-të shtypurit mund të bëjmë, është që të paktën ish-të shtypurve si ne që sot nuk janë më si ne, e më tepër që sot pretendojnë të na qeverisin, t’u kërkojmë llogari: Pse janë kaq të pasur?

Pse janë kaq të pasur xhanëm? Si këta, si gjithë të tjerët e politikës shqiptare? Nëse nuk mjafton sqarimi zyrtar në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive, minimumi që mund të bësh është të kontrollosh se çfarë shkruan media. Dhe është e çuditshme fakti që Ilir Meta asnjëherë nuk u është përgjigjur akuzave (në atë kohë jo fort të dukshme) për korrupsion.

Për shembull, pse nuk ka folur ai asnjëherë për hetimin e skandalit të vagonëve të trenit, për të cilin akuzohet nga media, por dikur dhe nga Prokuroria. Për ta sjellë edhe njëherë në kujtesë: Sipas një denoncimi të bërë publik, organi i akuzës çeli atëherë dosjen në ngarkim ndaj Ilir Metës, që në atë kohë ishte në funksionin e Zëvendëskryeministrit shqiptar. Por kjo dosje pati një odise të çuditshme. Fillimisht, grupi i prokurorëve siguroi provat se Meta, në cilësinë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave, kishte mashtruar në organizimin e një tenderi për të sjellë disa vagonë treni nga Austria. Mirëpo, ndërsa Meta deklaronte e firmoste për një tender, sipas të cilit qeveria bleu vagonët, një faks i Autoriteteve austriake hidhte dritë, po sipas shtypit të kohës, mbi atë që e quante të vërtetë: faksi shpjegonte se vagonët, në fakt, ishin dhuratë e Shtetit Austriak… (!)

Rikthehemi atje, prej nga ku edhe nisi ky shkrim: Ajo që ka ndodhur këto ditë në shtyp, përmes editorialeve të panumërta, të pozicionuara qoftë në një krah, qoftë në krahun tjetër, është shumë interesante: Si Meta, si Berisha, kanë nëpërkëmbur shpresat e gjithë shqiptarëve tek të rinjtë, duke shfrytëzuar për interesa thellësisht personale të rinjtë e partive të tyre.

Të gjitha shifrat e mësipërme në këtë shkrim, për kujtesë, vijnë nga projekti “Unë Votoj”, i Lëvizjes “MJAFT!”, (ku rrogat në vit dhe taksat e paguara nuk kapin as totalin e 0.005 për qind të të gjithë pasurisë (së deklaruar) të LSI-së). Në analizë të fundit, të vjen keq për ata “të rinj” të cilët nga pozitat idealiste, u katapultuan në pjesën më të pisët të llumit politik.

Akoma më keq: e gjithë kjo situatë, bën që të harrohen problemet e vërteta: Gërdeci, korrupsioni, keqqeverisja, hajdutllëqet në nivel ministror e kryeministror, reformat e munguara, pensionet, varfëria, arsimi, abuzimet me fondet shtetërore, shëndetësia. Në fund po citoj një nga publicistët tanë të njohur, i cili, pasi shkruan sa i zhgënjyer është nga të rinjtë, formulon fjalinë:

“Fakti që deri tani politikanët tanë kanë zgjedhur delijorgjët nuk duhet të na heqë shpresën që ne, sigurisht duke zgjuar e fuqizuar qytetarin brenda nesh, do të nxjerrim një ditë politikanë që do të promovojnë virtytin dhe jo vesin në shoqërinë tonë”.

Ndaj, si një mjaftist u bëj thirrje këtyre “të rinjve” të politikës, ose të braktisin angazhimet që i detyrojnë t’u lëpihen “liderëve” të vjetër e të kthehen në qytetarë pa maska politike, ose të mos guxojnë të përmendin më lëvizje si “Mjaft!”-i për egot dhe ambiciet e cekëta politike.

*Autori është Drejtor Komunikimi i Lëvizjes “Mjaft!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›