Topi: Kosova, sa më shpejt anëtare e OKB
Në ditën e tretë të debatit të përgjithëshm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti shqiptar Bamir Topi në fjalimin e tij i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të pranojnë sa më parë anëtare me të drejta të plota Republikën e Kosovës.
“Shqipëria e konsideron krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës si ngjarjen historike dhe zhvillimin më të rëndësishme politik të këtij fillim shekulli në rajonin tonë. Kosova e pavarur dhe demokratike, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, përbën simbolin e investimit më të suksesshëm të komunitetit ndërkombëtar drejt zbatimit të shtetit të së drejtës, për stabilitet, paqe aftgjatë e zhvillim në Ballkan e më gjerë”- tha Topi në fjalimin e tij.
Pavarësia e Kosovës, sipas tij e çliron përfundimisht këtë pjesë të Evropës nga makthi i luftës, i konflikteve ndëretnike, i spastrimeve e gjenocidit etnik, përmbush dhe respekton vullnetin e lirë të një populli për t’u shkëputur nga zgjedha politike, nga padrejtësia historike, nga pamundësia për zhvillim. Kosova nuk udhëhiqet më nga Jugosllavia e dështuar, as nga jugosllavët e rinj të moderuar, por nga parimet e Evropës së civilizuar dhe të OKB-së së universalizuar.
“Shqipëria ka inkurajuar dhe inkurajon popullin dhe Qeverinë e Kosovës në përkushtimin e tyre për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumëtnike ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banor i saj e ndjen veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij. Kushtetuta e re e Kosovës dhe Paketa Ahtisari përmbush standartet më të larta të të drejtave të njeriut dhe ofron mbrojtje të gjerë për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë, në veçanti, për serbët e Kosovës”- tha më tej ai.
Topi ka theksuar se në vijim të udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, do të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura për përfundimin, sa më shpejt që të jetë e mundur, të rikonfigurimit të pranisë së OKB-së dhe shtrirjen e Misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, duke shmangur kështu çdo vakum pushteti, cdo mbivendosje kompetencash dhe parandaluar çdo tentativë regresive kundër këtij procesi euro-atlantik pavarësisht nga dirigjohet ajo.
Shqipëria, sipas Topit i konsideron të pabaza përpjekjet për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Argumente të panumërta historike, juridiko-kushtetues, politike, demografike, etj., dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik, sui generis, dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben, as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij.
Çdo ndërmarrje kundër shëndoshjes së shtetit të Kosovës, politike, ekonomike, ushtarake apo diplomatike, ka shtuar më tej Topi, nuk është veçse përpjekje e pashpresë kundër proceseve integruese, në NATO e në BE të rajonit tonë, investim regresiv kundër investimeve dhe progresit, për të cilat kemi kaq shumë nevojë dhe aq më pak, ajo nuk mund të shitet si vlerë e Bashkimit Evropian. Ëndrrat historike nuk duhet të errësojnë vizionin për të ardhmen.
Shqipëria sipas tij, është e bindur se njohja e shtetit të ri të Kosovës është në interes të Kosovës, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të gjithë fqinjëve të afërt ose të largët të saj, të Evropës dhe të hapësirës mesdhetare.
“Prandaj Kosova, ky realitet i ri politik, ekonomik dhe social, meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtar i Organizatës sonë të Kombeve të Bashkuara. Ju bëj thirrje të pranoni me realizëm këtë zhvillim të pakthyeshëm duke e njohur dhe e mbështetur Republikën e Kosovës”- përfundoi ai.