Rishkrimi i Historisë?
Një mënyrë për të kuptuar shtetin modern është të shikosh arkivat, spitalet, dhe burgjet e tij. Rëndësia e burgjeve dhe spitaleve mund të jetë e qartë. Po a ka kuptim të flasësh për arkivat, në një kohë kur institucione të tjera kanë probleme thelbësore? A nuk është, tek e fundit, trumbetimi periodik zyrtar i nevojës për “rishkrimin” e së kaluarës një manovër politike, siç janë edhe zënkat e përvitshme në Nëntor?
Edhe në qoftë kështu, të flitet për institucionet e dokumentimit ka kuptim. Në radhë të parë, sepse arkivi është i pazëvendësueshëm. Për mirë apo për keq, trashëgimia e shkruar mbetet burimi kryesor që na lejon të vlerësojmë kulturat dhe organizimet e tyre shoqërore. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të shkruhet histori pa arkiva, madje edhe histori e klasit të parë, por se nëpërkëmbja e arkivave është një tregues i shkëlqyer se çfarë prodhon kombinimi i injorancës me pushtetin. Këtu mund të shtohet edhe degradimi i bibliotekave, si pasqyrim i ushqimit mendor të një vendi, dhe pakujdesia kolektive për arkitekturën dhe objektet e trashëguara.
Çfarë do të thotë konkretisht të rishkruash historinë shqiptare? Mund të fillohet në mes të Tiranës, përtej sheshit anti-këmbësor “Skënderbej”, tek Biblioteka Kombëtare. E mbërthyer në kurriz të projektit të dikurshëm sovjetik, biblioteka është një hapësirë e rrallë në kryeqytetin e shpërfytyruar. Mund edhe të quhet Tirana Time Machine, sepse aty brenda transportohesh magjishëm diku rreth fillimit të viteve ’80. Këtë sekret kryeqytetas, siç duket, e kanë kuptuar një dyzinë pensionistësh që bëjnë xhiron e përditshme të gazetave në një sallë të errët në katin e parë. Jashtë qëndrojnë konviktorë të zymtë e studentë të rretheve që presin me një durim të habitshëm të dalin librat që kanë kërkuar. Por Gogoli vonon të dalë nga bodrumi dhe Lolita “del mungesë.” Është shumë e kërkuar.
Nuk duhet harruar edhe katalogu skematik e alfabetik prej druri i kohës së socializmit që kënaq dy funksione njëherësh: edhe si burim i pagabueshem bakteriesh, virusesh, dhe zhuli, edhe si relike që duket si e marrë borxh nga Muzeu Kombëtar. Është rast i rrallë ky i Bibliotekës Kombëtare ku nuk shikon qoftë edhe një libër të vetëm. Si dikur, kur librat dënoheshin, burgoseshin, dhe rehabilitoheshin, ata vazhdojnë të mbahen nëpër bodrume. Biblioteka është, në fakt, një hapësirë boshe ku rruga drejt librit është e mbushur me kërkesa, vonesa, mungesa, dhe acarim mes nëpunëseve të mbingarkuara dhe qytetarëve që edhe në bibliotekë presin si hallexhinj.
Rishkrimi i historisë mund të vazhdojë tek burgu, ose më saktë tek Arkivi Qëndror, i cili reflekton si të kaluarën edhe të tashmen e mbrapshtë. Tek porta e hekurt me polic, mbeturinë kokëfortë e praktikave të një sistemi ndërtuar mbi frikën e dhunën dhe jo hapjen institucionale ndaj qytetarëve, mund të duket sikur edhe këtu koha ka mbetur në vend. Por nuk është kështu. Arkivi ka evoluar në një agjensi verifikimi pronash. Salla është e mbushur me njerëz të djersitur e të egër që kërkojne tapi e troje, bërtasin, kërkojnë emra gjyshërish, nënprefektura të Zogut, kërkojnë shefen, bërtasin, dhe kërkojnë shefen duke bërtitur. Nëpunësit janë të paktë në numër, të mbingarkuar, e besoj të keqpaguar. Orari përtej “kafes” ështe i shkurtër; pritja për materiale është e gjatë. Ngaqë pakkush merret me materialet arkivore, klasifikimi ka mbetur në vend dhe ruhen ende absurditete “të rezervuara” që nuk dalin nga bodrumet.
Nuk është çudi që funksioni i institucioneve të krijuara në socializëm ka ndryshuar. Realiteti shqiptar i pas-socializmit është së pari biznes, për sa kohë kufoma e socializmit ka ende mish. Thërrime të këtij realiteti i gjen pra edhe nëpër institucionet e kujtesës dhe kulturës. Por në këtë mbrapshtësi të organizuar, hapësirat për t’i përdorur institucionet për qëllimin e tyre origjinal sa vijnë e ngushtohen kur duhet të ndodhë pikërisht e kundërta. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë të padukshëm por të gjithëpushtetshëm. Dhe njerëzit kërkojnë shefa e drejtorë sepse e dinë që zgjidhja është tek maja e piramidës. Kur vlera, qëllimi, dhe rëndësia vazhdojnë të mbeten tek vula, firma, dhe vërtetimi, qytetarët i shohin institucionet si hall, qoftë edhe bibliotekat e arkivat. Titullarët mbeten përgjithësisht të izoluar nga papastërtia e ndeshjes mes qytetarit dhe nëpunësit të thjeshtë, kështu që ekuilibri i mbrapshtësisë ruhet.
Një peizazh i tillë institucional nuk është i ri, por rezultat i shumë mandateve politike e një korruptimi gradual. Nuk është e këndshme, madje është monotone deri në mërzi, të merresh vazhdimisht me shtetin dhe të lidhësh çdo problem me të. Por ja që në Shqipëri shumë probleme vazhdojnë të mbetet të lidhura me shtetin, dhe shteti prodhon vazhdimisht probleme. Qytetarët vazhdojnë të kenë frikë nga institucionet dhe institucionet vazhdojnë t’u japin shkas atyre të jenë të vrazhdë e shpesh te paarsyeshëm.
Historia e të ashtu-quajturit tranzicion shqiptar mund të shkruhet fare mirë si historia e privatizimit të trupit socialist: një ndarje copash herë komike e herë e pështirë; një betejë e vazhdueshme për t’u kapur pas degëve të Ministrisë së Shitjes së Madhe. Për sa kohë vazhdon kjo shitje dhe institucionet e dokumentimit janë më tepër relike, hall, dhe jo zgjidhje, marrëdhënia me të kaluarën do vlejë vetëm për interesat e momentit. Rishkrimi do të jetë i vështirë. Nëse do të ndodhë, do të bëhet panvarësisht institucioneve dhe jo falë tyre.
*Department of History / Princeton University, USA